Proza poetike nga Adem Zaplluzha / Shkëputur nga a libri me prozë poetike ”Fluturimet e korbave në netët pa hënë”

adem

Proza poetike nga Adem Zaplluzha

Shkëputur nga a libri me prozë poetike ”Fluturimet e korbave në netët pa hënë” 

 

DYERT

Nga kjo rrugicë e ngushtë zbres në lagjen e evgjitëve. Balta e përditshme bisedon me këpucët e mia të shqyera.
Enda nuk jam nisur për te ti gjyshi im, por një ditë do të shkojë, do të nisem një ditë për atë udhë të gjatë.
Kur ju më së paku më pritni, unë do të vi. Kam shumë befasi për ju . Do t’ua sjell ditarin tuaj që besoj se e keni harruar që është shkruar ndonjëherë.
E di që me mall e pritni çastin që të kthehem, por jam shumë i zënë i dashuri gjysh, kam edhe pak punë. Më kanë mbetur disa gjëra ende të pakryera.
Kur të përfundoj me vetveten, unë do të vij gjysh, e di, ti më pret te dyert me një pogaçe dhe pak kripë sipas zakoneve tona.
Gjyshja për çdo ditë gatuan pogaçe për kthimin tim, edhe ju jeni të vetëdijshëm gjysh se një ditë do të kthehem dhe të ju gjej ashtu si ju kam lënë.
Gjyshërit kurrë nuk plaken, edhe kur vdesin janë të rinj, lëkura e tyre e mavijosur pëlcet nga shëndeti, kështu kanë qenë dhe janë gjyshërit…
Ti e di se pse më ndoqën dhe kurrë nuk më fajësove por u mburre me nipin çamarrok siç më thirrje dikur, e di m’i ruan të gjitha letrat e mia që t’i kanë sjellë pëllumbat, i ruan si dhembjet që askurrë nuk u shëruan…
Më kujtohet si sot kur më the, bir, kthema amanetin, nuk ka me më pranua dheu pa u kthyer ti, amaneti im
E di, kur kthehem, do të më shikojnë me shumë mall çatitë dhe ollukët e vjetër, do të më bartin në krahë deri te guri i murrmë, do të bisedoj me ty dhe me të afërmit.
Secilin kur e përqafojë do ja ndie aromën e mishit të fisit aromën e shpirtit të atdheut.
Do të ketë edhe lot gjyshi im, por mos harro burrat qajnë o gjysh, nëse qan guri pse të mos qaj edhe burri?
Çdo gjë do të jetë si dikur, do ta mjelë gjyshja lopën e kuqe, nëse nuk mjelë kur të vij e di që më pret pitja me kulloshtër ,
Sepse kur gatuante gjyshja i gjithë fshatit i vinte era pite me aromë gruri të arave tona.
Takime të këtij lloji ka pasur dhe do të ketë edhe pas ardhjes sime, fëmijët do të lozin si zakonisht, lojën e tyre pa brenga, për miqtë e mi të vegjël asgjë nuk ka ndryshuar, loja e tyre vazhdon deri në mbrëmje, edhe pasi të bie sterra e varin lojën në një degë që nuk e ngacmon askush dhe shkojnë të nesërmen me të njëjtin elan lozin deri në pakufi.
Nuk di, por sonte nuk do të trokëllij askush në dyert e gjyshit. Të gjithë janë të vetëdijshëm se unë nuk do të kthehem, vetëm i kanë lënë portat e hapura sa ta mashtrojnë hijen e gjyshit që e pret amanetin të cilin nuk e tret as kjo tokë gratçore ,që nuk e tret as dheu i zi.

 

FYTYRAT E NJOHURA

Kjo frymëmarrje që hyn në mushkëritë e natës nuk po më duket sa ka një ogur të mirë, në këtë vjeshtë të vonë, kur bien gjethet, kur natyra e ndërron fytyrën si njerëzit gëzofët, diçka tragjike ndodh me lumin.
Nuk di se si e mbajnë shpirtin në trup këto gjethe që nuk fishken, nuk e humbin ngjyrën, herë i përngjajnë dimrit e herë fillimit të pranverës. Kanë bardhësinë e dëborës dhe gjelbërimin e Verës, kanë çdo gjë që u nevojitet rrënjëve.
Në tokën tonë gjethet ushqehen me rrënjë dhe rrënjët me gjethe, kështu kurrë nuk zhduket as bardhësia e dëborës e as gjelbërimi i barit
Sa për pak shi ka nevojë kjo dardhë e vjetër, që i kanë dalë rrënjët, mbi tokë e përtej tokës, duken si dejtë në duart e mia të mavijosura, duken si lashtësia jonë në gjeografinë e shpirtit.
Sot kam mjaft kohë, do të mendoj pak më esëll, për fluturimin e zogjve që përsëriten në çatinë tonë për çdo stinë e në çdo kohë.
Nuk më kujtohet dyndja e hienave , kam qenë picirruk i vogël ose as që kam ekzistuar, nuk isha askund kur erdhën por edhe nuk qëllova këtu kur ikën. Si vjedhës erdhën dhe si hajdutë u larguan, na i vodhën edhe këpucët që na mbetën nëpër oborre, pulat dhe zogjtë në kafaze , vodhën ç’ka patën për të vjedhur dhe ikën.
Nuk beson askush, por i vodhën edhe librat e të vdekurve, u pengonte çdo gjë që kishte aromë shqiptare
Në këtë lagje, para se të largohen zogjtë shtegtarë, ndalen edhe njëherë, pushojnë dhe me mall i shikojnë çatitë e shtëpive tona , ato çati ku i kanë rritur të vegjlit që sot do të nisen diku larg, në atdheun e tyre…
Nëse rastis të zbres teposhtë lagjes, këmbët disi më bartin me një shpejtësi marramendëse, ecin vet pa dashjen time deri sa të takohem me miqtë e mi që më presin te kafeneja jonë e njohur për të gjithë që na njohin, aty e përfundojmë kafen e mëngjesit,bëjmë besa edhe pak fjalë për përditshmërinë tonë politike, njëri ma përqesh mua partinë e unë të tjetrit, dhe në fund kur ndahemi, secili për në shtëpi të vet, përqafohemi si në rininë tonë, fortë e fortë se pale a kemi kohë të takohemi të nesërmen…
Kjo përditshmëri e ka edhe emrin e vet. Ka një rëndësi shumë të madhe, kur i lyejmë muret e qytetit, kur i presim dhe i përcjellim stinët nëpër rrugicat e ngushta , kur mbyllen qepenat e zejtarëve.
Ne fillojmë t’i numërojmë gurët dhe dyert që rrinë të hapura, se për çdo çast na përshëndesin fytyrat e njohura të rrugicave tona të vjetra që askurrë nuk plaken, as që ndryshon, edhe sot kanë një pamje të krijesave që dalin nga legjendat, kryqi rri me gjysmëhënën dhe nuk i pengojnë njëri tjetrit.
Askush nuk di se si dhe pse por nuk i pengojnë njëri tjetrit, as kur gjysmëhënën e pahit era e as kur dëgjohen krakëllimat e korbave të përgjumur duke e ëndërruar pranverën në rrënjët e lisave.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s