Poezi nga Dhimitrula Lapi
Murg i zemëratës
Ti nuk provove të njohësh shpirtin tim
dhe kurrë më, s’ ke për të provuar.
Nën tempullin e zemëratës,
si murg i vjetër, jashtë saj ke për t’ u endur.
Ne buzëmbrëmje çarçafësh
mes pëshpërima puthjesh kredhur
sipërfaqësore ishte ndjenja,
spirancat për në shpirt s’ i pat hedhur.
Ti ende i druhesh faljes
Fshihesh, si diell në perëndim.
S’ më bind dhe pse pas portës
kurrë s’ ke trokitur në agim.
Fatin të tillë e bëre qëllimisht,
në duar ma le, ta mbaj kujtim.
Pa ditur se këmbanës së pritjes
ti i bije gjithmonë, por në largim.
Natë e grindur
Më rendon kjo natë e zbrazët,
që veten gric e ha me dhëmbë
e zbrazët, si shpirti të pasurit,
që veç para ka për të dhënë.
Qan e grindet porsi fëmijë
kjo natë bosh, si dru i thatë.
Thua se lodrën e preferuar
ia ka marrë një më i madh.
Nuk di në është kohë për gjumë
bën veç naze e buzëvarur
s’ pyet se poshtë saj ka udhëtarë,
por i sheh veç me të tallur.
Me rëndon kjo natë e zbrazët
e mbytur në errësirë.
Peng nuk dua t” ia lë shpirtin,
se do ta vras në të gdhirë.
Vitet e ikura
Vitet e ikura tashmë qartë dallohen
kanë lënë gjurmë mbi lëkurë.
Aty mund të shohësh pa sforco,
se për bukurinë s’ ka përkufizime kurrë.
Vitet e ikura mbi fytyrë janë ulur,
endin e qëndisin me durim.
Pa dashur iu futën punës
të rrëfejnë mes vijash historinë.
Kalon duart nëpër faqe
ngec një çast, si në film.
Mijëra buzëqeshje ndjen mes gishtash
trofe të kthyera në përvijim.
Ato nën sy janë më të bukurat.
Aty është gdhendur çdo kujtim.
Në cep të tyre roman rrudhëzash
çuditërisht, s’ të falin më shqetësim.
Pëshperisin gishtat mbi lëkurë
Dukesh më e bukur se kurrë
Muzë…
Me vitet ulur mbi fytyrë!
Qytetar vetmie
Eshte gënjeshtare kjo botë,
pas buzëqeshjeve, fshihen mashtrime plot.
Maskë e bukur, e salduar…, sa kot!
Rrugëve endem, qytetar vetmie
të harboj si ata, s’ dua çaste mërie.
Ta gric me thonjtë e dinjitetit përvëlim…po dua!
Pas buzëqeshjeve të atyre që mbjellin veç zhgënjim
të mbaj të paster dua portretin tim.
Vend i tejmbushur përçmim!
Ligësi në fron, maskarenj kudo!
Vetkënaqësi e pakënaqur.
Nuk u ngope, të kesh plasur!
Nuk dua tryezë e karrige madhështie,
as të bëj pazare fëlliqësie.
Rrugëve endem, Qytetar vetmie!
Bir i errësirës
E lashë po ashtu dhe atë ditë.
Të trembur dhe shpresë pak.
Nga unë s’ doja të kishte frikë,
nga errësira e nxorra në dritë.
S’ qe mësuar me ngjyra, rreze të luante,
hijes së vet i shmangej pa fat.
Nënë errësira me kthetra e mbronte,
por unë e përkundja çdo natë.
Nga gërhimat e ngjirura
e shkula, e tërhoqa zvarrë.
Ditëve nëpër rrugë ngatërrohej,
gjunjtë i pastroja sa herë rrëzohej.
Errësirës iu kthye papritur.
Mua më deboi…,
sikur ta kisha ditur,
ti je biri i saj, i frikur.
U afrova për ta parë,
gjithë dritat i kish’ fikur.
Kur lehte e përkëdhela mbi ballë
më tha… Ti më ke vrarë!