Tregim nga Marjeta Shatro
Ai është lypësi i vogël i qytetit tonë
I ngjan një kerubini, me këmishë të grisur, pa këpucë dhe ecën zbathur rrugëve të qytetit .
I shtrirë në mes të rrugës, pranë ka nënën e tij, e cila e mëson si të ngjallë mëshirën e kalimtarëve që kalojnë dhe t’i hedhin gjësend.
Ai e sheh botën me sytë e tij të futur brenda zgavrave dhe të vegjël.
Shikon me admirim, pse jo dhe me zili moshatarët e tij, që përkëdhelen e bëjnë naze në prani të prindërve të tyre.
Kurse atij i duhet të fitoj vetë gjithçka, duke shtrirë dorën e mëshirës përkundrejt njerëzve që kalojnë pranë tij. Do të luajë dhe ai si gjithë të tjerët, shpesh e kapin marrina në kokë të largohet nga kjo lloj jete dhe të humbasë nëpër labirinthet e qytetit , por nëna e mban me forcë në rrugë dhe e porosit t’u afrohet tavolinave të lokalit aty afër. U afrohet klientëve dhe u përgjërohet që t’i japin ndonjë gjë.
Kur i falin lekë rend drejt dyqanit më të afërt, të blej bukë dhe më pas e kafshon i uritur.
E shijon me mënyrën e tij këtë vakt ngrënie dhe qesh plot gas.
Ashtu fytyrëzbehur largohet me vrap dhe nuk mund të kuptojë përvuajtjen e vet në përballje me realitetet jetësore, programet sociale që duhet ta përkrahin apo drejtësinë hyjnore që duhet të afrojë shans dhe për të drejtat njerëzore të tij.
Ai do rritet i paditur, i pashkolluar, i pagdhendur si një fëmijë i rastit dhe i destinuar përjetë të mbetet në rrugë.
Endet pa qëllime në jetë, si endacak, me kujtimet e tij të vagëlluara ose rikthyer për ta lënduar më shumë dhe me fytyrën e nxirë dhe të mbuluar nga pluhuri .
Ashtu duke shpresuar se e nesërmja do i falë diçka më shumë se dita që kaloi e zë gjumi në rrugë, mbuluar me kartonë të vjetër.
… dhe ashtu i dobët e me pamjen e ligur nga mjerimi, si për të sfiduar kohën e tij të pa kohë, rrezaton sërish pamjen e një ëngjëlli të vogël që vetëm buzëqesh .