Ekzistencë / Tregim nga Teuta Keli

Ekzistencë

 

16395943_1690768224272671_74327231_n

Tregim nga Teuta Keli

-Çfarë shqetësimesh keni zotëri? pyeti doktori pacientin, i cili po e shikonte drejt e në sy gjithë frikë.

-U bë disa ditë që kam dhimbje të forta në kraharor, ja tek kjo pjesa këtu, tha pacienti dhe vuri dorën në vendin ku kishte dhimbje.

Doktori ngriti kokën si për ta matur me sy pacientin, nëse vërtet kishte diçka serioze.

-Po mirë, në rregull, po bëjmë një vizitë të përgjithshme dhe më pas vazhdojmë me detajime, i tha doktori, ashtu sikurse rëndomtë u thoshte të gjithëve atyre që hynin dhe dilnin në “dhomën e vizitave” dhe që rëndomtë mbanin emrin “pacientë”.

Pacienti, i cili për doktorin quhej një prej të shumtëve, ngriti rrobat lart dhe filloi të merrte disa here frymë thellë, me qellim që të ndihmonte doktorin për të dëgjuar më mirë frymëmarrjen e tij.

Pas disa vizitave të shpejta me stetoskop doktori u ngrit në këmbë dhe filloi të bënte disa ecejake nëpër dhomë. Në këtë moment pacienti u shqetësua pak dhe për inerci filloi edhe ai që të ecte pas tij, derisa ndaluan të dy afër dritares. Askush nuk foli, nuk kishte guxim dikush që të thoshte diçka. Doktorin e kishin lodhur shumë shpjegimet e dhimbsura, që sipër dreq i kishin rastisur që të ishin të shumta së fundmi dhe pacienti po ndjente që në atë çast po e donte shumë veten, e nuk mundte të mësonte diçka jo të mirë për të.

Vazhdoi heshtja edhe për pak, derisa doktori ktheu kokën dhe u çudit që e kishte pacientin ngjitur, në krahë të tij dhe bashkë me të ai shikonte jashtë dritares, aty ku shtrihej një oborr me dhe gri, pa lule.

-Uluni ju lutem, i tha më në fund doktori pacientit, sepse do na duhet që të flasim ca.

Në këtë moment pacienti e humbi pak kuriozitetin e mëparshëm dhe u fokusua me sytë gati të mbyllur tek një njollë e madhe muri, e cila qëndronte afër me një tabelë që shpjegonte rreziqet e duhanpirjes. Kurrë nuk kishte pirë duhan më parë, por gjithësesi, mendoi, meqënëse ajo tabelë ishte afër me atë njollë muri që po i interesonte aq shumë, më mirë ta  lexonte, sepse mund ta tregonte si njohuri të marrë, gjasme nga leximi i shumtë. Ndërsa ishte në fund të leximit të informacionit, ndjeu papritmas disa fjalë, që i kumbuan dhe i prishën qetësinë e leximit.

-Gjendja është e rëndë, i tha doktori. Kam dëgjuar shumë frymëmarrje të rënda, të lodhura, të shpeshta, të trishta, por sot më shumë më shqetësoi fakti që nuk dëgjova frymëmarrje fare. Të them të vërtetën, unë jam i  shokuar, vazhdoi më tej doktori dhe ju afrua një biblioteke të vakët, e cila qëndronte pa shije në zyrën e tij të bardhë. Ai tërhoqi një libër voluminoz prej njërit prej rafteve dhe sikur të dinte gjithë përmbajtjen e tij, ndaloi vetëm tek një faqje dhe aty po lexonte pa zë, por po ndiqte me shumë vëmendje lëvizjet e gishtit të tij, sikur të kishte frikë, se mos ndoshta një rresht i vetëm fjalie do përmbyste kuptimin e gjithë librit.

-Jo, jo, vazhdoi më tej doktori, as këtu nuk thuhet gjë. Një rast i tillë është i pa dëgjuar dhe studiuar më parë, prandaj të lutem shtrihu edhe një herë që të vizitojë, i tha ai pacientit, që tani ishte më shumë i përfshirë në dramën, që dukej se po u ndodhte të dyve.

Pacienti bëri siç i thanë, u shtri shpejt dhe po aq shpejt ngriti rrobat lart dhe filloi të merrte frymë thellë. Ai po e shihte drejt e në sy doktorin, sikur donte t’i thoshte: “Po hë de, se u lodha, nuk mundem që të marr dhe të nxjerr kaq shumë frymë, se nuk kam”. Doktori vazhdonte punën e tij kujdesshëm dhe as e vrau mendjen aspak për atë çfarë heshturazi po i thoshte pacienti, më i çuditshmi pacient që kishte pasur ndonjëherë. Doktori më tej shtoi:

-Më vjen habi, sepse ja unë ty të shoh: ti merr frymë, e nxjerr frymën jashtë, por nuk arrij që ta dëgjoj frymëmarrjen. Në këtë moment ai afroi veshin afër fytyrës së pacientit, për t’i ndjerë frymëmarrjen më afër, se nuk po kishte më besim tek asnjë prej teknologjive që po përdorte.

-Jo, vazhdoi më tej, nuk dëgjoj, nuk ndjej frymëmarrje. Gjithësesi mendoj…. Ai këtu ndaloi mendimin, e pa pacientin në sy dhe ndjeu detyrimin e madh moral se duhet të jepte një mendim, edhe sikur thjesht një opinion për të sqaruar gjithë atë çfarë po ndodhte. Pacienti ishte aty dhe ai e shikonte, nëse nuk merrte frymë nuk kishte të bënte aspak me mosekzistencën e tij, por me shkaqe të tjera më madhore, më kozmike, të cilat nuk pretendoheshin që duhej të zgjidheshin në një dhomë vizitash të një prej fshatrave të humbur, të qytetit “Harruar”.

Doktori iu afrua tavolinës dhe afër me bllokun e recetave pa telefonin e tij. Ishte gati për të shkruar diagnozën, por një mendim i momentit të fundit i ndryshoi komplet rrjedhën e asaj çfarë do shkruante. Mori telefonin në dorë, hapi kameran e tij dhe filloi t’i bëj disa foto të shpejta pacientit. Buzëqeshi me disa prej tyre, sepse meqënëse pacienti nuk po kuptonte çfarë po ndodhte, në shumë foto kishte dalë herë me sy të zgurdulluar dhe herë me buzë të përveshura. Më pas doktori i tregoi pacienti fotot dhe pacienti shtangu:

-Si ta kuptoj këtë doktor, pëshpëriti pacienti?

-Si diçka të madhe, pozitive, i tha doktori. E shikon që ti ekziston, se për pak më kapi paniku, por mirë që më shkoi mendja të bëj disa foto… Ja e shikon këtu, ja pra ku je! i tha doktori i lehtësuar…

Pacienti u ngrit në këmbë, rregulloi rrobat dhe po bëhej gati të dilte prej dhomës së doktorit, kur befas u kujtua:

-Doktor, se për pak harrova, por unë kam një dhimbje në kraharor, këtu në këtë pjesën këtu, tha ai dhe u mundua që ta tregonte sërish vendin ku ndjente dhimbje.

-Po, e di, se më kujtohet, tha doktori. Ma the njëherë, por mos u shqetëso për të, ajo është thjesht dhimbje shpirti, na ndodh të gjithëve, por e rregullojmë tani, në moment. Pa afrohu pak këtu, i tha doktori miqësisht pacientit të tij.

Ky i fundit iu bind dhe i shkoi nga pas, si një fëmijë që pret të marr me padurim lodrën e munguar.

-Ja, i tha doktori, nga gjithë kjo mori fotosh zgjidh njërën, cila të pëlqen ty?

Pacienti i pa fotot dhe ato ishin njëra më e shëmtuar se tjetra, por gjithësesi bëri një zgjedhje.

-Ja, tek kjo këtu mendoj se kam dalë më bukur, i tha pacienti.

-Po, tha doktori, paskemi shije të njëjta, edhe unë këtë do zgjidhja. Pra, tani vazhdojmë, tha doktori. Këtu tek kjo foto ne e dimë që ti je, vazhdoi ai më tej, sikur të kishte bërë një zbulim marramendës, por ti na ankohesh se ke dhimbje, pra vuan nga diagnoza “dhimbje shpirti”. Pa shiko pak këto filtrat e telefonit, vazhdoi më tej shpjegimin doktorit. Cila të pëlqen prej tyre?

Pacienti pa disa ngjyra, disa edhe të pangjyrta dhe u mundua që të zgjidhte njërën prej tyre, atë që mund t’i shkonte.

U munduan të dy, edhe doktori dha sygjerimet e veta, derisa arritën të zgjidhnin atë që i shkonte prezencës së tij.

Pacienti e falenderoi miqësisht doktorin dhe sapo bëhej gati të largohej u kujtua, ose së paku duhet të pyeste për diçka:

-Doktor, i tha pacienti, por nëse kam sërish dhimbje, ose nëse simptomat e mia përkeqësohen, çfarë duhet të bëj?

-Tani e di zgjidhjen, i tha doktori i buzëqeshur, ndrysho filtrat, është shumë e thjeshtë. Ne fituam betejën, kuptuam që ti je, pjesa tjetër pak rëndësi ka…!

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s