NJË NGJARJE LIRIKO-TRAGJIKE / Tregim nga Hamit Taka

NJË NGJARJE LIRIKO-TRAGJIKE

 

Hamit Taka

Tregim nga Hamit Taka

Sa hapi sytë, Elsabeta ktheu kokën nga Xhorxhoja dhe mbeti e befasuar që ai nuk ishte zgjuar akoma. Si rregull bashkëshorti i saj çohej nga shtrati të paktën gjysëm ore para saj. I hiqte një brisk fytyrës, lahej, krihej, ndërronte rrobat e gjumit me ato të shtëpisë dhe pastaj përgatiste kafen. Kur e ndante në dy filxhanë, thoshte me zë të lehtë: kafet janë gati. Në se Elsabeta ishte zgjuar, çohej menjëherë, për ta pirë bashkë kafen e mëngjesit. Në se ajo ishte ende në gjumë, ai i vinte filxhanit të saj një pjatancë të vogël përsipër dhe gjerbëte lëngun fuqidhënës në kuzhinë ose në ballkon, sipas stinëve. Kafes, thoshte, po e le zbuluar, bashkë më avullin i ikën aroma dhe shija.

Mos o Zot! tha me vete Elisabeta, pasi iu duk se ai nuk merrte as frymë. Ashtu e merakosur u ngrit vrullshëm në gjysëm të trupit, për të vështruar me vëmëndje fytyrën e tij. Por u ndodh para një befasie të këndëshmë, që ia largoi bardhësinë nga fytyra. Një dëshirë e zjarrtë i hipi për ta puthur në gjumë. U përkul mbi të, por pati frikë mos e zgjonte dhe nuk deshi ta humbiste atë pamje të pazakonshme të 75-vjeçarit. Prej vitesh nuk e kishte parë ndonjë herë fytyrën e tij aq të çelur, aq të freskët, aq të ëmbël e aq të lumturuar. Dukej si dhjetë vjet më i ri. Lëkurës së bardhë i ishte shtuar një nuancë e hollë trëndafili, tamam si në rininë e vet, kur përskuqej para vajzave djallushe.

Tani flet me ëngjëjt, thoshte me vete Elisabeta. Kushedi në ç’kohëra fluturon shpirti i tij e kushedi se kush i fanepset si ëngjëll. Mbase jam unë vetë me vellon e bardhë në ditën më të lumtur të dasmës tonë. Mbase janë nipat e mbesat. Mbase ëndërron dasmat e tyre dhe i shfaqen nuset me vellot fluturuese. Sot Xhorxhoja im i dashur mbush plot 75 vite. Ndoshta shpirti i tij kthehet nga qiejt ku fluturonte gjatë gjumit dhe i shfaqet si stërgjysh, duke u ndarë dhuratat e Vitit të Ri vogëlushëve të dy brezave…
Shtangu ashtu në pozicion gjysëm të përkulur, për ta soditur me një mallë të praruar, pasi e dinte se ëndërrat zgjasin shumë pak. Nuk zgjasin më shumë se 2-3 sekonta, thonë psikologët, tha me vete.

* * * * *

Xhorxhoja doli nga salla e provimit dhe u nis direkt për te salla e seminareve, ku ishin grumbulluar të gjithë shokët e kursit. Ishte provimi i fundit të universitetit dhe të gjithë përjetonin emocione të shumëllojshme, disa prej të cilave të shpërqëndruese e hutuese: ankthi i provimit, drithërimat e ndarjes, trishtimi i dashuriçkave të ndërprera, ndarje përfundimtare të të dashuruarve, më shpesh për arsye biografike, por edhe për shkak tvendbanimeve fshat-qytet, emërimet e ardhëshme… Në situata të tilla të gjithë studentët ndihen pak si të dehur. Xhorxhoja hyri në sallë dhe vështrimet e studentëve konverguan mbi të. Çdo fytyrë studenti, kur dilte nga provimi, kundrohej sikur të ishte një barometër sinoptik, që tregonte atmosferën në sallën e provimit.
Ai hapi krahët sikur do t’i përqafonte të gjithë njëherësh dhe studentët e duartrokitën me brohoritje, jo vetëm pë provimin, por edhe për kostumin e bardhë që kishte veshur. I përshëndeti edhe ai me përzemërsi. E uruan dhe i uroi. Pastaj sytë i ndalën tek Elsa e veshur me një fustan te kaltër gjysmëtransparent. Ajo rrinte mbështetur te një katedër dhe e vështronte më vëmëndje. Fytyra e saj e ëmbël dhe e qeshur rrezatonte një ndriçim të butë melankolie. Xhorxhon e kapëloi një ndjesi e çuditshme ndroje dhe hutimi, që ia ngurosi tërë trupin e gjymtyrët. Ajo iu afrua dhe e uroi: Tani paç fat në jetë!…Ndali pak, buzëqeshi dhe vazhdoi: Një emërim të mirë dhe mbarësi në të ardhmen!
Elsa e kishte fare të qartë se ai e adhuronte që ditën e parë të njohjes. Edhe ajo e simpatizonte. Në auditor zinte vend gjithmonë pas tij. I vëzhgonte shpatullat e gjera e të drejta, kurorën e leshrave ngjyrë gështënje e çelur me onde, që, nën dritat e forta të sallës, lëshonin reflekse vallëzuese. Por më shumë prshtypje i bënte qafa e tij e shëndetshme dhe e fortë. Ajo e shikonte se, nën atë lëkurën e lëmuar dhe të zbetë prej studenti studioz, fshiheshin tërë ata damarë e muskuj, që i jepnin atij djaloshi një fuqi të papërballueshme. Kishte dëgjuar se fuqia e ujkut dhe mashkullit duken te qafa. Shpesh humbiste mëndjen gjatë leksioneve, duke menduar se çfarë do të ndodhte sikur t’i hidhte duart e saj delikate në atë qafë të fortë. Paragjykonte se tërë fuqia e tij do të derdhej mbi të. Para intelektit e karakterit, ajo i admironte forcën atij djaloshi të dëlirë si bora e maleve nga vinte.
-Elsa, -tha ai me një zë që i dridhej, -mos u kujtove për atë porosinë?
Elsa nisi të kujtonte.
-Atë tregimin, që jua dhashë për ta lexuar, – ia ndihmoi ai kujtesën.
-Ah, po, por mendova se do të ma lije për fare, si kujtim…
Çfarë zëri, tha me vete Xhorxhoja, si këmbanë tingëlluese argjëndi. Sikur të recitonte poezitë apo të lexonte me zë tregimet e mia!…
-Ta dhashë bruto, mund edhe mos t’ju ketë pëlqyer -vazhdoi me mëdyshje, ndërsa Elsa buzëqeshi dhe tundi kokën në shenjë pohimi se i kishte pëlqyer shumë.                                                                  -Desha ta rishikoja dhe një herë, ta krihja pak dhe t’ia nisja ndonjë gazete për botim. Po, nejse, s’ka gjë, le të mbetet tek ti…si kujtim.
Elsa bëri atë që nuk nuk ndodhte të bëhej publikisht. Iu afrua dhe e puthi lehtë në buzë, që studentëve të tjerë u ngjau me ato të puthurat në filmat e kohës, që bëheshin me gjasme. Xhorxhos ia përshkoi tërë qënien një flakë e bukur ëmbëlsuese. Në kulmin e lumturisë dhe ekzaltimit erotik ai priste diçka më të magjishme, por Elsa u tërhoq në vendin ku ishte me një perde të hollë lotësh në sy dhe një tis të lehtë purpuri në faqet e bukura të saj.

Endërra, ku s’duhej të mbaronte dhe Xhorxhoja u ngrit rrëmbimthi në funde. Vështroi murin përballë me sy të çakërryer, sikur e kishte hedhur dikush nga parajsa në ferr.

-Ishe në ëndërr , i dashur? -I tha Elisabeta.                                                                                     Ai ktheu kokën nga ajo, u skuq, i buzëqeshi, e puthi në ballë dhe u shtri sërish. Pas pak mbylli sytë përgjithmonë.
Elisabetës, fillimisht, iu duk e pabesueshme. Pastaj vuri kujën si Hekuba.
Enigma ishte, në se ëngjëlli i vdekjes i solli ëndërrën apo ëndërra thirri ëngjëllin e vdekjes.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s