KUR MBUSHET E DERDHET SHPIRTI I NJË POETI (Impresione nga leximii i librit me poezi “ Nostalgjia çapitet në rrugët me kalldrëm” i poetit Panajot Boli) / Nga: Hekuran HALILI-shkrimtar, poet

KUR MBUSHET E DERDHET SHPIRTI I NJË POETI
 
(Impresione nga leximii i librit me poezi “ Nostalgjia çapitet në rrugët me kalldrëm” i poetit Panajot Boli)
 
Bubullues, e kisha portretizuar Panajot Bolin kur e njihja nga pamja e jashtëme, së largu, si gazetar i minoritetit, në aktivitetet e ndryshme që zhvilloheshin në rrethin tonë. I bëshëm,hokatar,plot gaz e hare,fjalë ëmbël ,i mirëpritur dhe i dëgjuar me kujdes, nga shokët e miqtë e të gjitha trevave të rrethit tonë, mes të cilëve gjendej dhe diskutonte, portretizimi i shkonte përshtat. Kur gazetari Agron Mema, mik i yni i përbashkët na prezantoi, mësova se Panajoti në profesionin bazë është mësues i gjuhë dhe letërsisë shqipe, profesion që e nisi në vitet njëmijë e nëntëqind e tetëdhjetë në rethin e Libazhdit, kur mbaroi studimet në Universitetin e Shkodrës për mësuesi, në këtë degë, kuptova se përcaktimi im viziv, bubullues dhe i madh ,nisur nga pamja e tij e jashtëme, ishte në sinkron të plotë dhe vlente edhe botën e brëndëshme dhe shpirtin e Panajotit. Bubullues, gurgullues. Bubullues, gurgullues, shpërthyes , deri në pashtershmëri, burim ndjenjash shoqërie, miqësie, mirësie, frymëzimi, si “Burimi i Syrit të Kaltër” nga buron Bistrica, buzë të cilit ka shtëpinë e vet velahoviti Panajot. Në konceptin dhe ndjesinë time, krijuesi i çfardo fushe qoftë, lind i tillë, i mbarsur me farën e krijuesit që në zanafillë ,me bekimin hyjnor për të t’u bërë i till, pamvarsisht se në çfar kohe ,moshe dhe rrethanash, fara do të mbijë, lulëzojë, frutojë. Këtij mendimi tim i shtoj edhe tjetrin, se farërat me të cilët mbarsen krijuesit që në zanafillë, janë të ndryshme në lloje, por edhe në vlera dhe cilësi. Jo çdo lulëzim e fryt i tyre është krijimtari e mirfilltë. Krijimtari e mirfilltë për mua është pjesa e derdhur nga shpirti i mbushur i një krijuesi. Kush di ta njohë, ta mbledh këtë produkt shpirtëror – hyjnor, ta sistemoj me hijeshi dhe sinqeritet, pa e përzier , me orgjinalitet, është krijues i vlerë. Sapo lexova disa poezi të Panajotit, por më së shumti, kur lexova librin e tij në gjuhën shqipe me poezi, mbasi Panajoti shkruan e boton në dy gjujhë, shqip e greqisht, “ Nostalgjia çapitet në rrugët me kalldrëm” mendimin tim për krijimtarinë e tij poetike, gati e pëshpërita me zë: – Panajoti është një poet i vërtetë, mbasi e gjithë krijimtaria e tij në këtë libër është produkt i shpirtit të tij, e ka mbush atë, ka rrjedhë prej tij , e ka mbledhë si nikoqir i mirë, dhe na e fal me një bujari e fisnikëri që mrekullon dhe hijeshon shpirtrat tanë. Një poet që strukturon poetikisht mendimin plot thjeshtësi, plot ndjeshmëri, plot dashuri për çdo gjë që i sheh syri, mëndja dhe ja prek dora, një poet lirik , mjeshtër i gjetjes së detajit poetik, vërejtjës i hollë i asaj që ndodh në natyrë dhe në shpirtrat njerëzor në kohëra dhe moshra të ndryshme, një përcjellës i habitshëm ideo-emocional, spontan, befasues, nostalgjik , i ngrohtë, optimist, mbi të gjitha tepër orgjinaldhe ambicioz… Kështu do ta perifrazoja krijimtarinë e birit të Velahovës, që i ka kënduar me aq pathos, poetit Panajot Boli, shkurtazi, për vet karakterin e shkrimit dhe qëllimin e tij. Modestisht kaq, se Panajoti meriton shumë komente, analiza, fjalë të ngrohta dhe të mira! Faleminderit i dashur Poet, për atë që me aq punë të madhe na ke falur për ta lexuar dhe për t’u mrekulluar! Ju lutem, gjejeni dhe lexojeni librin e Panajotit, pastaj më thoni fjalët tuaja. Po sjell në vëmëndjen tuaj disa poezi ,që mbartin një pjesë të atyre që shkrova dhe komentova për vlerat e krijimtarisë së poetit Panajot Boli, si impresione.
 
 
 
PEOZI NGA PANAJOT BOLI
 
UNË ERDHA BABA
 
Si trumcakë të trembur dy karike rrinë në oborr
Dhe tavolina dalëboje si murg me tespihe në dorë,
Ulur pres mallin që përpëlitet në gjoks me ofshamë,
Ja, do të hapet porta, do të vijë baloja me babanë.
Pse vonojnë? Ku bredh ky baloja rrugaç i keq,
Pse s’del babai në derë, ëmbël, ëmbël ta tërheq?
Një pikë loti të ndrijë fshehtas në cep të syrit,
Të mos mbahet baloja, të më vërë putrat mes gjirit.
 
Ndoshta vjen nga turni, me hapa të lehtë, i djersirë,
Peshqiri është mbi sofa, ta fshij babin tim të mirë.
Të hap çantën për të, të mbushet tavolina plot,
Të dëgjoj zërin:-Sille, moj, atë të shkretën gotë.
 
Unë erdha baba, këtu në oborr s’dëgjoj zhurmë,
Të solla një pjepër sheqer, llokume që do shumë.
Heshtja ka ngrirë…Vetëm hardhia më ngushëllon,
Më hedh gjethe të verdha, dhimbjen, ah, më sëmbon.
 
 
 
MË FAL DET?… E DIJA
 
Ç’pati sot ky deti im?
Pse qëndron turivaruar?
O, sa fort dua ta përqafoj,
Ai prapë rri shtangur.
 
Ç’pate miku im, pse më Rri me kokë mënjanë?
Ke të drejtë, ti më prisje, por punët nuk më lanë.
 
Unë ty s’të ndahem, kurrë s’të mbaj inat,
Ti je qetësi e shpirtit tim, ti je imja shtërngatë
 
Të bie në prehërin tënd, të shtrëngoj fort e fort.
 
Më fal det?…Oh, e dija. Nise valët rradhëe rradhë,
Në vesh më pëshpërisin: Po, ti, shpejt të kishe ardhë.
 
Gjoksin seç ma ledhatojnë me naze, ëmbël puthin sytë,
Në grushte sjellin margaritarë, margaritarë plot me dritë.
 
Të iku zemërimi det, e dija mirë, ne jemi të pandarë,
Ti shpresa ime e kaltëruar, unë një zgalem i pavrarë.
 
Erdha nga thellësitë e tua, prapë ikij në misteren thellësi,
Bodigard kam valët e hënën, neriadat blu për dashuri.
 
Eh, si atë natë që mu zemërua ajo, duke pritur në stacion,
Gojëkyçur, ballin ulur, heshtja sytë po mi zgurdullon.
 
Dhe papritur seç ngre fytyrën, butësisht dorën më kap,
Zgjat buzët, puth e fol, fol e puth: “S’përsëritet, më , prapë.
 
 
 
MOS U ZEMËRO E DASHUR
 
E dhemsur vjeshta ime, do të ikij dhe unë me dallëndyshet,
Ngrohtësi duan ato të prehen, shpirti im me akull le të vishet.
Strehë të gjejë te Poli i Veriut, aty të bëjë gjumin e tij letargjik,
Mu ankua durimi, heshtje varri kërkon, si Pelegrini të ikë, të ikë.
 
Ti mos u zemëro e dashur, ca kohë do të mungojnë sytë e mi,
As mos prit mesazhe, edhe ato do të flenë pak nën hi.
Ndodhta kthehem prapë me dallëndyshet në një tjetër pranverë,
Ndodhta sjell një qiell krejt tjetër, ndodhta sjell një yllësi të tërë.
 
E trishtuar vjeshta ime, unë do të ikij bashkë me dallandyshet
Ngrohtësi duan ato të prehen, trupi im me gjebërim të vishet,
Strehë të gjej lugina e zanave, me to zemrën në valle ta deh,
Mu neverit dita e mjegullt, më tremb shumë hëna që u zbeh.
 
Ti mos u zemëro e dashur, e di, do të mungojnë shumë sytë e mi,
Edhe mesazhet tërë fllade dashurie, do të mungojnë, ah, unë e di.
Ndoshta kthehem prapë me dallandyshet si vesë prilli me blerime,
Ti puth vezullimet e saj, dhe dashurou fort me ëndrrën time.
 
 
 
U PLAK PRRALLI
 
Një prrall si dinosaur qëndronte hijerëndë përmbi shtëpi,
Kur e solli Herkuli, ne e kqyrnim duke vënë duart mbi sy.
 
Ai, kapedan levend, me fustanellën jeshile ballë erës rrebele,
Sfidonte diellin e mbështillte me hijen e tij 300 dele.
 
Kinemaja jonë verore me trillet fminore varur në degët e tij,
Me ëndrrat naive që skiconim të lumtur me gur e shkopinj.
 
Kacavirreshim në gjoksin e tij gjigand si guximtarë të marrë,
Ai na gërvishte si mace, s’ankoheshim ne për gjumin e vrarë.
 
Kur vinte skifteri të na mrrte pulat e të fshihej në degët e vet,
Si indianët suleshim, me gurë e shigjeta, si ushtarë të vërtetë.
 
Përralli i moçëm është akoma aty, i kërrusur , i plakur, i nxirë, i zi,
Me flokë të thinjur, i pakrehur, me milingonat që i futen në sy.
 
Prralli i moçëm është akoma aty, i zhgërryer, kufomë pa sy,
Mbështetem një çast e psherëtij dhe ndaj dhimbjen, ah, me ty.
 
 
 
KJO LEGJENDË
 
Shekuj të tërë u end në labirinthin e errët Bistrica ime,
Fillin e Arjanës gjeti një ditë Syri i kaltër me mundime
 
Vrau Minotaurin që e mbante robinë në labirinthin e zi,
Sa doli vuri shtatëmbëdhjetë qerpikë të argjend mbi sy.
 
Thirri zogjtë e bukur, ujë të kristaltë u dha të pinë,
Ta zgjojnë herët në mëngjes, ta përkëdhelin me melodinë.
 
Uli yjet nga qielli të pikturojë faqet mollë të lëndinës,
Një mantel jeshil të mëndafshtë i hodhi mbi supe luginës.
 
Gjarpërin gjigand e çoi lart në malin e Gjerë të vigjëlojë,
Pastaj mori rrugën, vëllanë e dhemshur Jon të përqafojë.
 
 
 
Nga: Hekuran HALILI-shkrimtar, poet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s