Poezi nga Lumo Kolleshi
STATUJA TË GJALLA
I varfër për statuja vendi im,
Statujat s’e gjejnë këtu pjesën e vet,
Nuk është as lajthitje,as harrim,
Statujat i mbajmë veç në pushtet.
Eh,pastaj e hamë veten me lënjë,
S’i shkulim e s’i shkulim dot për be,
Ato na shkulin ne me gjithë rrënjë,
Qielli na digjet syve me rrufe.
ME QIRA E MORA KREJT FERRIN
Një natë tek flija me supet zbuluar,
U ngrita në ëndërr me flokë hapëruar.
E gjeta vetveten nën shi e gjëmime.
S’kish vend për të fjetur dhe rashë në mendime.
Vendosa të hap një biznes edhe unë,
Mendimet ,si shemratt,për flokësh u zunë.
Me Parajsën s’ke punë,më tha xhebrahili,
Këmbët atje s’i futi dot as Virgjili.
M’u dogj para sysh një ëngjëll meteor:
Merr ndonjë copë diku në Purgator.
Dhe aty i dhashë vetes urdhër të prerë:
Tregtia s’të shkon,po hidhu në Ferr.
E bluajta mendimin në mokrra të gurta:
Këtu paratë i ke krejt të sigurta.
Braktisa moralin,mëshirën dhe nderin,
Kështu me qira e mora krejt Ferrin.
Xha Karonin syskuqur,lundërtar i skëterës,
E pagova mirë në krye të herës,
Vozitnim lumenjtë të dy si ortakë,
Taksën u mblidhnim shpirtrave në batak.




























Leave a Reply