Poezi nga Iliaz Bobaj

Poezi nga Iliaz Bobaj

 

MBRËMJE DHJETORI

Nëpër vitrina, si papritur,
u ndez shkëlqimi gjer në fund,
dyndje në rrugë si asnjëherë,
reklama të verbon sa mund.

Kureshtje, ngjyra, vizitorë,
çifte me fëmijë përdore,
me kalimtarët, krejt lirisht,
në rrugë shkon moda dimërore.

Të ngutura ca pika shiu,
furrishëm bien në asfalt,
më tej haplehtë, një e vetmuar,
nxiton dhe orën sheh ndërkaq.

Gjithkush ngarkon nga pakëz lodhje
dhe shkund po aq monotoninë,
siç shkundim pluhurin nga rrobat,
që ndenjën varur plot një stinë.

Nga gjethet zhveshur krejtësisht,
pemët e lodhura në park,
veshur në drita tërësisht,
s’duan t’ia dinë për to aspak.

Ngarkuar rëndë, teksa shpërngulet,
nga lodhja, ankthi, dufi, zori,
me erë, ndriçim, dhurata, shi,
ikën me ngut ky fund dhjetori.

 

ME TY

Sa çel mëngjesi, bëhem tjetër,
s’më mban shtëpia, kurrsesi,
më merr nxitimi, më nxjerr jashtë,
e di, pas portës më pret ti.

Midis vetmisë e shkove natën,
duke dihatur ankth e shpresë,
e gjithë në pritje e shndërruar,
gjersa të vijë sërish mëngjes.

Dita është jona, një parajsë,
që s’mund të na i prekë njeri,
në dehje rrojmë të dy bashkë,
sa të vijë mbrëmja përsëri.

Aty pas portës sapo mbërrijmë,
ti shndërrohesh, pritje bëhesh prapë,
unë brenda hyj, ku tjetra pret,
ta shkoj me të natën e gjatë.

Dyzuar si në një legjendë,
jetoj me këtë rregullsi:
me tjetrën shkoj natën e zezë,
ditën e artë e shkoj me ty.

 

NATYRSHËM

Unë të kam marrë nga ai tjetri,
prej meje të ka marrë ai,
njëri prej nesh ka trupin tënd
dhe tjetri shpirtin tënd, të tij.

Ai që të ka vënë në krah,
mendon se të ka krejt të vetën,
një jetë ke ti në krah të tij,
po dhe tek tjetri ke gjithë jetën.

Dhe të shkon jeta e dyzuar,
njëherësh në dy jetësi.
Unë them me bindje:- E kam timen !
-Është imja ! – thotë bindshëm ai.

Veç ti nuk di si e ndjen veten,
në qënien tënde nuk di ç’heq.
Natyrshëm, diku ndjehesh mirë.
Natyrshëm, diku ndjehesh keq.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s