DITA E HUMBUR (ose monologu i poetit pa punë ) / Poezi nga Petrit Ruka

Poezi nga Petrit Ruka

 

DITA E HUMBUR

– ose monologu i poetit pa punë –

“Ku po shkon sot?” – më pyesin këmbët,
megjithëse e dinë vendin
që te pragu i portës.
U këpus një të sharë dhe kuptoj që shqipja
për sharje ua del gjithë gjuhëve të botës.

Kërkoj një mik për vreret e fundit,
telefoni ka qindra
s’gjej një për be…
Të denjët tani kanë vdekur të gjithë,
nuk pinë dot kafe…

Nga kafja shikoj përtej një tabelë
ku fjala “Atdhe” është lagur e tëra.
Sa shumë u deshëm në këngët e moçme,
tani hamë njëri – tjetrin
si deti dhe rëra…

Se tani s’je më imi, ke dalë në ankand
nga prijës të ndyrë,
më i mërzituri i planetit.
Asgjë s’ka mbetur të shitet më tej
veç shpirtit të poetit…

Tani s’di si ta ther vetminë e moçme
mu në mes të këmbëve
si një dash kurbani.
Të gjitha gënjeshtrat
u bënë copë e çikë
si ombrella e një lypësi që del nga kazani…

Kam frikë mos kam vdekur dhe s’tregoj nga inati,
xhixhëllima e vdekjes
një çast më përndrit.
I lutem Vdekjes si një gruaje të bukur:
– Falmi tradhtitë!

Sikur ta ndjente
një grua kthen kokën.
(çudi si i ndjejnë gratë burrat e vdekur!)
Më ndjen e më nis një dromcë buzëqeshje
kushedi nga ç’dhembje i ka mbetur…

– Mirë, – i them unë, – rrofsh, o shpirt engjëll!
Po të shpall mbretëreshë
sa të kalosh këtu parkun.
Ca gra si ti më kthyen nga udha
në të njëqind vetëvrasjet
mua, frikacakun…

Gënjej kamerierin me njëzet lekë bakshish
që të mos i ngjaj si i papunë…
Marr celularin në dorë –
arkivol i vogël,
cit* me të vdekur si unë…

Në shtëpi mbyll derën
dhe si nip i Aliut*
mendoj një çast kokën time në tepsi,
po nuk e gjej dot kamaren e turpit,
as borën, as kripën përbri…

Nuk di ç’të bëj dhe zë shkruaj
se nuk më lënë
të bëjë asgjë tjetër…
Po shpejt e ndjej që këtë këngë e kam shkruar
e më vjen të vdes drejt e mbi letër…

Tiranë 11 nëntor 2010

* plot
** është fjala për Ali Pashë Tepelenën

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s