Poezi nga Anila Qirjazi Mihali
Në ditëvdekjen e shpresës
Do ikë dhe ajo
e fundit e të fundve
Kur lulet të jenë vyshkur për dorën
dhe pikën e ujit,
S’do ketë më vajtoca mbi krye
në shtegëtimin e shpirtit ,
Nën tokë vetëm një vend të vockël fare
Dhe lotë të tharë prej kohësh.
Si mbetet gjë tjetër
veç ta thurë vetë me thupra eshtrash
banesën e fundit.
Për amanet
gjithë njerëzimin,
që në fluturimin e jetës
s’ pyeti kurrë pse shpresa vdes e fundit.
ZJARRIN MBAJ NE DUAR
E mbaj mes pëllëmbêsh atë lule
Përpëlitet si zog i trembur i dëborës
E flakur, e shkelur prej refuzimit
S’ pranonte t’ia falja ngrohtësine e dorës.
Buzëqeshjen varur, pre e lëndimit
E kish humbur kur priste një falje.
E kish ngrirë acari i zemërimit,
Që fjalët ngatërruan atë mbrëmje.
Kjo lule e brishtë që dridhej,
Si dashurinë po i humbte petalet
E fundit nga ngjyrat rindizet
Mes pëllëmbêsh frymojn dy zjarre.
Larg shkoi dora që e mbajti
Larg dhe ai që faljen refuzoi ,
Larg edhe pse jetojnë dashuritë,
I bën bashkë ai zjarr që i krijoi.