Poezi nga Lumo Kolleshi
DHIMBJE
Me dhimbjet e mia bëj ç’të dua,
Murgesha i çoj në manastirin e heshtjes,
Veç në sytë e tu të mos derdhet një krua,
Në liqenet e tyre të rritet veç zambaku i buzëqeshjes.
RIPËRTËRITJE E TEATRIT ABSURD
Për prona që nuk i gëzuan kurrë,
U ndanë,
U bënë armiq për vdekje
Vladimiri dhe Estragoni.
Në dy skajet e një rruge
Secili në vetmi vetëm pret,
Secili Godonë e vet.
NË NJË PLANET…
(fabul)
Në një planet të rrallë, diku,
Kishte jetë si dhe këtu
Dhe ujërat ishin po kaq blu.
E, që të jemi të sinqertë,
Jeta atje ish tjetër jetë,
I gjithë planeti ish një shtet.
Shtet,por çfarë shteti,ububu,
Nuk kish nevojë fare për tru,
Mbahej vetëm me një hu.
Atje,or mik, nuk njihej miku,
Çdo njeri qe zot çifligu,
S’kish punë kallashi as belxhiku.
Ca gjëra ndryshe me sojin tonë,
Gjithë qentë ishin me diplomë,
Partinë e tyre kishin , thonë.
Dy gjuhë zyrtare zotëronin,
Madje gjuhët i ndërronin,
Fjalët kurrë s’i kafshonin.
Ta themi copë e sinqerisht,
Qentë flisnin njerëzisht,
Njerëzit lehnin qenërisht.
LARASKAT
Leri laraskat, të them unë,
Kanë hall të madh në këtë jetë,
Dy ngjyra kanë e jo më shumë,
Të bardhën e një të zezë të zbehtë.
Mikrofonin mos ua vër përpara sqepit,
Kaq. Më tepër ç’të të thotë robi?
Edhe gjuhën lart, në majë të plepit,
Të gjorat ia kanë vjedhur korbit.