Poezi nga Iliaz Bobaj
NATYRSHËM
Unë të kam marrë nga ai tjetri,
prej meje të ka marrë ai,
njëri prej nesh, ka trupin tënd
dhe tjetri shpirtin tënd, të tij.
Ai që të ka vënë në krah,
mendon se të ka krejt të vetën,
një jetë ke ti në krah të tij,
po dhe tek tjetri, ke gjithë jetën.
Dhe të shkon jeta e dyzuar,
njëherësh në dy jetësi.
Unë them me bindje:- E kam timen!
-Eshte imja!- thotë bindshëm ai.
Veç ti nuk di si e ndjen veten,
në qënien tënde nuk di ç’heq.
Natyrshëm, diku ndjehesh mirë.
Natyrshëm, diku ndjehesh keq.
BOTA E PYLLIT
E madhe, paanë, magjike, e bekuar.
E vogël, e vetme, e mbyllur, e harruar.
E butë, e ëmbël, e ndjerë, miqësore.
E egër, e zymtë, e nderë, djallëzore.
E qetë, paqësore, e lirë, e shtruar.
E gjallë, shamatore, e vrrullshme, e trazuar.
E ngrohtë, mikpritëse, joshëse, bujare.
E ftohtë, e huaj, e mjegullt, tinëzare.
E re, e freskët, e brishtë, përrallore.
E vjetër, e thinjur, e rrudhur, shekullore.
E qeshur, e hijshme, e këngës, e bleruar.
E trishtë, e vrarë, e lodhur, e hutuar.
Bota e pyllit,
e madhe, e bukur, e mistershme,
e thellë, e dhimbshme, si bota e njerëzve.
TRUNGJET
Në ato çaste, kur jeta qe dhimbje
dhe dhimbja qe jetë për gjithkend,
unë ndenja, gjatë u mendova,
të gjitha i shkova ndër mend.
Ndërsa çelte hareshëm lofata,
mua brenga më shponte në gji,
e rrepta luftë e karriges,
e vishte vendin në zi.
I tronditur, brengosur, zhgënjyer,
si humbak nëpër botë mora rrugët,
se s’doja ta shihja atdhenë,
ta përgjaknin, t’i rripnin lëkurën.
Dhe tani, ndërsa ditët më ikin,
si plaka rrëgjake, ngarkuar me mund,
pres dorën e urtë të arsyes,
t’i heqë këta trungje, mbetur në rrugë.