Poezi nga Ledia Dushi
Femna s’asht Njeri
Nata
del
prej avujsh t’përroit,
si lodhja e vajzës
t’derdhun andrrash…
Shiu frymon
ndër pemë,
engjëjt lëshohen
fruta
n’parrizat
e trupit tim…
Gurëzit
janë qetimet
që rrëshqasin me verën
prej bishtit t’trunit…
Se dielli
u zhbaka
n’tavana t’zambakët…
lulediella t’zinj
dillojnë
përmbas shiut.
Ishte dreqi
Mbi krye
m’shkundet natë.
Dimni flen n’mue
tue m’rrejt përherë
me rreze
pa t’nxehtë.
Ndër vorre
jam tue këndue
me shishe që derdhin ranë,
thithi lule-shpirtin
me buzë, me gjuhë, me dhambë…
Flokëve e gjoksit
m’shkrihet rrjedhshëm
tmerri i shpërnguljes
s’hanës;
trupi
m’u këput prej dheut
m’ra n’qiell.
Ia ndjeva
dorën e bukur
me gishta t’akreptë…
Ishte Dreqi
që m’puthi dhambshëm n’vesh,
tue m’gërdhishtë n’shpirt
emnin e vet,
me pëlhurën e kuqe
t’dashunisë n’trup.
Mali
…mali qenka
nji zhgjandërr e andërrt
që m’bjen ndër mend
zhdukjen e kalit,
vdekjen e vajzës së çmendun…
N’zemër
m’u mbyt nji shpend,
kjava e qesha,
loti u ba balonë
der te yjet…
Sa herë fishkulloj gjethshëm,
ndër supe m’lëshohet
përroi i arrshëm,
zemra
me ndjesi t’sirenta
lëkundet…
N’nji trandofil
që lind n’Nandor
dridhet përditë
jeta e falun e zogut.
Këputje
N’fund t’ujit
janë mbytë
kullat e dreqit femën
lëshohen thellë
n’buzët e andërrdiellta
t’sirenave…
Lepujt
m’zhduken n’kujtime
tue m’lanë n’thembra
lule t’brejtuna
me shije dheu…
Nji shportë
gështeja vorresh
mbajnë kunorën
e kryqit t’hanës…
Nji grue e kuqe
me lot
kris mollëzat e veta.