Poezi nga Suzana Zisi
ODE PËR DASHURINË…
Më çmend piskama e heshtur e manushaqes,
kur çan cipën e borës,
duke rrëmuar brenda vetes për me gjetë pranverën,
që mandej ta shpalosë tej e ndanë…
.
Më dhembin shtërzimet e lukunisë së bletëve,
teksa “sjellin në jetë” Mbretëreshën…
.
Më pikojnë në shpirt
lotët e qenit,
kur i zoti, ndërron jetë…
.
Më ther ashtin ulërima e kalit,
nga pamundësia për t’i thënë kalorësit një fjalë…
.
A do mundem të shkruaj një Ode për Dashurinë dhe Dhimbjen,
të cilat nuk ikin as me vdekjen…?
.
@Suzana Zisi
Botuar në Revistën “ILLZ” nr.28,
Tiranë, 2020