Tre fragmente nga tre novelat e librit “Këmbënyjëtuarit” të autores Flogerta Krypi
-Merimanga
Njeriu çmendet në forma të ndryshme, por kontaktin me botën e humbet vetëm atëherë kur e gjithë koha ndal në një kujtim që përsëritet pambarimisht. E gjithë ajo periudhë është një përjetësi. E vetmja njësi matëse është pikërisht ai çast kur rrjeta e merimangës brenda teje shkatërrohet dhe ti nuk je në gjendje ta rindërtosh
më, por gjithmonë tenton të kthehesh tek ai moment duke e rimenduar se çfarë mund të kishe bërë ndryshe. Rindërtimi i realiteteve nuk është asgjë më shumë sesa përpjekja për të mbajtur gjallë merimangën, si të vetmen rrugë shprese që kemi për të fituar lirinë.
-Një kuti poste për vdekjen
Mjafton një çast për të ndryshuar një jetë përgjithmonë. Kështu mendojnë të gjithë. Në fakt kjo nuk është e vërtetë. Jeta nuk ndryshon. Ajo është njëlloj si vdekja. E njëtrajtshme. Ajo çfarë ndryshon është mënyra sesi ne shohim botën, përditshmërinë, njerëzit rreth nesh. Disa e quajnë rritje, maturi, forcë, mbijetesë. Emërtimet janë të shumëllojshme. Unë do e quaja thjesht një pikë. Po një pikë. Pika e ndryshimit të kohës. Jeta ka kuptim sepse ka kohë. Vdekja humbet kuptimin sepse mendojmë që atje nuk ka një orë, një kalendar, apo një kuti poste. Por nëse do e dinim që dhe atje fshihet diçka e tillë a do e gjykonim atë si përgjegjësen për
trishtimin tonë? Pse vdekja nuk mund të jetë thjeshtë një pikë? Mos vallë po kërkoj shumë? Ndoshta jam gabim. Kjo ka pak rëndësi. Nuk është faji im. Nuk mund të jetë gjithmonë veç faji im…
-Pavioni 256
Njeriu është qënie tre dimensionale. Unë nuk e lidh këtë me studimet fizike rreth tij. Kjo fushë nuk më takon mua. Jeta është një pikë nga ku dalin tre dimensione, e shkuara e tashmja dhe e ardhmja. Ata zhvillohen paralelisht të treja, por nuk ne nuk jemi të ndërgjegjshëm për këtë. Gjatë këtij viti zbulova se nga kjo pikë priten dhe dy drejtëza të tjera. Dimensioni i katërt i njeriut është vullneti për të qenë i lirë kurse ai i pesti është padyshim ndërgjegja.
Flogerta Krypi