SHEMBËLLTYRA IKU NË SHËTITJE / Tregim nga Odise Kote

 
Tregim nga Odise Kote
 
 
SHEMBËLLTYRA IKU NË SHËTITJE
 
E goditi aq fort pasqyrën sa ajo u bë copë e thërrime. Erdhi vërtet Ftesa nga ajo vajza e mbrëmjes? Prej rrotullimit në shtrat flokët ishin ngatërruar aq keq sa ngjanin me një kaçubë përplot mistere. Fashitu pak, i foli përhumbshëm dhimbjes si frymëmarrje e gjatë dimri, që pas atij gjesti, sikur priste të nderej disi në tisin e mugët të qytetit. Midis nxitimit dhe asaj, këlthiti rrëzimi.
A jam gati?
Në heshtje, përbrenda, kur shpirti iku prej terrine, sytë iu bënë më të mprehtë, panë veten në lakuriqësinë shterpë, shqetësuese: shembëllimi nuk ngjau më me të vërtetin. Mos e kishte fajin copa e thyer e pasqyrës, thelbi i një ëndrre apo ishte thjesht ajo fabula imagjinare?
E ndjeu, e mendoi vetëtimthi, pa pritur sqarim se diç e ndryshme, jashtë formave të arsyes po ndodhte. Ajo ishte aty, thuajse e varur në boshllëkun e asgjësë, në lidhjet e rreme, tek imazhet e copëtuara, të shpërbëra. Një hije e hollë ndarëse, e mezidukshme, kishte rënë midis unit dhe shembëlltyrës. Me një stërmundim të epërm uni që ndjeu kërcënim, kërkoi rikthimin, rifitimin e pamjes, vetëdijës normale, raportin lidhës me idetë, botën e prekshme.
Por, ishte tepër vonë. Asgjëje s’mund t’ia kishte më besën.
Ç’është kjo rrëmujë? Kjo poterë? Po kërleshen premtimet?
A pandehmat po therren?
Mbaj vesh, dëgjo sesi çapitet nata, o shpirt! Nga doli kjo?
Marramendja, ose forma e palëndë e gjërave, nisi të rrotullohet me fuqi imagjinate si fugë ferrparajse.
Cilën fytyrë të zgjedh për atje?
Në çdo copëz pasqyre të thyer dilte një profil. Hundë e shëmtuar. Vesh i prerë. Fat që ajo nuk ishte aty! Gjysëm fytyre shenjt, gjysma tjetër djall. Ndërsa buzët, ah ato ishin përgjakur pa e vënë re guximin dhe frymën përtallëse të hijeve. Ishin prerë si mos më keq. Megjithatë buzët e prera ngjanin si të gatshme për faljen.
S’më duhet fytyrë për të paraqitur jetën, por thjesht për një takim dashurie, e përplasi pyetjen: A njihni dikë që pas kësaj fjalie ta ketë pushtuar lumturia?
Mbi vetëkënaqësinë, ti ambicioz, s’mund të ndërtosh qetësinë tënde, u krekos pa ditur përse. E di që je njeriu më fatkeq në botë, por a s’të nxitën të gjithë të jesh gjithnjë i pari?
Duhej t’i gjente një zgjidhje egos. Në garderobë kishte tesha të shtrenjta. Maskat e ballove ishin në anën tjetër të dhomës. Mund të zgjaste dorën e t’i merrte. Ngurroi.
Para tij si lypëse, shembëlltyra ishte thuajse lakuriq. Tek po e shihte, në vend të dhimbsurisë për të zhveshurën, ndjeu mahni dhe flakë. Dhe dehje.
Megjithëse në shtrat, mbështjellë me kuvertë leshi, gjymtyrët e tij nuk ishin ngrohur dot. Lëviznin të trishtuara. Bërr, bërr, sa ftohtë! Çuditshëm, shembëlltyra lakuriq as dridhej, as mblidhte gjymtyrët dhe për më tepër buzëqeshte. Ndihej e lumtur. U ndje njeri fatkeq. Një brisk xhelozie ia përshkoi tej e tej ijën e majtë. Qetësia nuk ishte bërë tepër e thellë dhe ai guxoi: A këmbehemi bashkë?
E kërkoi përgjigjen papritur, si të ishte xhind, me këmbëngulje kryeneçe.
Nuk mundem, jo, jo, – belbëzoi shembëlltyra. Mbase në një kohë apo botë tjetër.
Refuzimi i butë sikur e thërrmoi shpresën e fundit.
Ki mëshirë – u përgjërua si fëmijë – po vjen mëngjesi e më gjen bosh, pa plehun e ngrohtë, ende të ndezur të ëndrrave të mia.
Mëngjesi nuk është ngushëllim – xixëlloi sytë – as mbështjellë vazosh përmbushur me shpuzë ëndjesh. Mëngjesi është ajër, nisje, liri.
Atëhere po ngrihem – fërshëlleu një melodi të njohur. Dushi është gati. Vesh këmishën e kaltër, xhaketën e bardhë dhe po dal. Po shkoj vetë në takim. Shoferi e ka bërë gati Land Roverin?
Ajo ktheu kryet nga dritarja.
Ti më the se erdhi Ftesa nga ajo vajza e re? Apo jo? Madje më the që takimi është lënë në lulishten e liqenit tek ai Bari me emrin e çuditshëm, Pikëlime Shiu…
Jo, jo. Kjo gjë s’më kujtohet – e ndërpreu pasionin e beftë shembëlltyra. S’më kujtohet. Jam e sigurt. Dhe nuk mund të të kem thënë një gjë të tillë. E pamundur. Kujtohu!
Ashtu? Atëherë …
Ti e di që ndjeshmëria është përgjakje dhe torturim. Dil dhe provoje njëherë …
Pas kësaj, si t’i kishte shtënë me plumb në ballë, shembëlltyra u largua pa folur. Iku në shëtitjen e përditshme të mëngjesit të ri.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s