BALADË E GURTË / Poezi nga Miradie Maliqi

 
Poezi nga Miradie Maliqi
 
 
BALADË E GURTË
 
Me kokën pas,i bart me vete copat e atdheut,e kthehem gjithmonë,
në shtëpinë që nuk është e imja.
Unë, ikacake e vendit ku më quanin Njeri!
Këpucët me pluhurin e dheut t’im,i palos,me përulje.
Pastaj, i nxjerr nga valixhja copat e atdheut, i vari nëpër varëse
sipas ca ngjyrave që mi zgjodhën,
ata që ma gjykojnë Lirinë.
E gjithnjë ca copëza të pakapshme,
më rrëshqasin nga dora.
E gëlltis këtë të vërtetë,
se vetëm me mungesë i preka ato vise
që ca të tjerë, i prekën me jetërat e tyre,
ca të tjerë, me gjak të njomë
vizatuan krahët e Lirisë!
Shumë herë i shkola ato vise ku nuk lash gjurmë
I përjetova ato t’merre ku nuk isha.
Nga mallëngjimi,
përqafova ato që nuk patën formë.
E koka pas më mbeti.
Vendi im, lashtësisht zemërbardhë, me ca shpresa të ndritura, për ata që besojnë në atë ditë.
Të quhesh me emrin tënd të vërtetë.
Vonohesh në ëndrrën time,
e unë me ëndrrën për ty,zgjohem më herët.
Si këmba kryeneçe, që kërkon të shkelmojë gardhet,për dy dashuri: Dheu, e, njeriu.
Njëra, për mungesë dashurie, nuk bëhet,
e tjetra për atë mungesë, nuk fiket.
Unë, ikacakja, që gjithnjë harroj diçka, kur i palos copat e atdheut në valixhe.
 
Takimet e nëntorit, Moosburg, Gjermani,30.10.2021

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s