Fragment nga romani “PËRROI QANTE NË MESNATË” të autorit Kristaq Turtulli

 
PËRROI QANTE NË MESNATË
 
– Viktima dhe vrasësi janë nga vendi juaj,- i foli ftohtë polici Zhuktin.
Drinit i zhurmonte koka dhe i merreshin mendtë.
‘Hej dreq o punë; viktima dhe vrasësi nga vendi im dhe kaq larg, në fund të botës! Kush të jetë ky fatkeq që ju shkurtua jeta?! Dhe ai djall me brirë që i mori jetën! Hëm, sikur jemi qindra miliona. Ky qytet është dy herë më i madh nga popullsia se vendi im dhe rrallë me zë veshi vrasje. Përse të vritemi e pritemi me njëri tjetrin? Ç’ është ky barbarizëm, primitivizëm dhe, aq më tepër në një vend të huaj, mijëra kilometra larg atdheut, o Zot o madh. Përse, përse?’ foli me vete, me dhembje.
Përse duhej, një mënyrë apo në tjetrën të implikohej, të ish dëshmitar i padëshiruar në vrasje kur, s’donte të dëgjonte të flitej për vrasje. Ngjarje të tilla e kishin shokuar qysh herët në rini, lënë vragë të thellë në shpirt. I vinte të ulërinte:
’Përse dreqin mu shfaq në ëndërr si në film, kur dergjesha i sëmurë, përroi dhe qarja e lebetitur. Kush ishte ajo flamë dorë, e hidhur që zgjoi, shkundi mykun e kohës dhe me ngulm e shtyu drejt ëndrrës sime, kur gjendem ndarë nga një oqean i madh!?
Çfarë parandjenje e mundimshme, dhe për ç’arsye më paralajmëronte, kur s’isha i aftë të lëvizja prej shtrati dhe aq më tepër s’ kam dhe s’dua të bëj më me të?! Boll kam telashet dhe hallet e mia.’
Çfarë dreqi është kjo, nostalgji e shkuar, e çfarë dreq mase, forme mund të jetë; shtëllungë reje, uragan, shungullimë, ligështim, shkundje, tërmet, dallgëzim, valëzim, nanuritje, apo tronditje e thellë që, të zbut, të qull, të detyron të hedhësh prapa shumë kujtime, tundime, dhembje të hidhura!?
Drini ndjeu prerje të fortë në ballë, s’i ktheu përgjigje. I duhet të dëgjonte broçkullat e tij. Për një çast e urreu policin që i çante kryet, ambientin e ftohtë, morgun e spitalit, gjithçka. U kapërdi me vështirësi. Iu bë sikur në trup i hyri një hekur e nxehtë dhe e shpoi në brinjë për brinjë dhe, foli pa e pasur mendjen:
-E dhimbshme është përgjakja.
– E llahtarshme,- dërdëlliti Zhuktin.
Drini pa vengër policin dhe u grind me vete:
‘Në qindra e qindra vjet jemi përgjakur. Deri kur vallë, për hiç mos gjë grindemi, hidhërohemi, mbajmë mëri, vrasim me njëri tjetrin, Tani më duhet të dëgjoj llomotitjet e këtij polici, ndërsa të tjerët fërkojnë barkun dhe bëjnë qejf.’
 
 
 
KRISTAQ TURTULLI.
PËRROI QANTE NË MESNATË
Botuar në; Prishtinë, Kosovë, 2021

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s