MARTOHET ME NATËN / Baladë nga Kristo Çipa “Mjeshtër i Madh”

 
Baladë nga Kristo Çipa “Mjeshtër i Madh”
 
 
MARTOHET ME NATËN
 
Vesë e hollë bie
Lan mendimet koha
Botë dashurie
Ftohej si lehona
 
Në brigje të dritës
Ku nata verbohet
Zemrat e dëshirës
Zunë e dashurohen
 
Djali lidh mëngjezet
Me lakun e syrit
Vajza gjithë rezet
I bën lëmsh tek gjiri
 
Mjegullën këmishë
E bën djalë pasioni
Vajza ngjyros sytë
Në ujrat e Jonit
 
Kur bashkë takohen
Dielli shkon e fshihet
Bota kuqëlohet
Vezë e pashkës ngjyhet
 
Livadhet dhe sheshet
Si dyshek i ngrohtë
Yjet që vet dehen
Jastëk nën kokë
 
Si kokër qershie
Ardhmëria duket
Tragjedia fshihet
Pajës në sënduqe
…………. ……………
Nëpër kreshmën e ringjalljes
Agjëron Prilli
Gjithë shënjtorët përreth paqes
Zgjojnë Krishtin
Margariti nën vesë
Pret Kalinën
Sikur do t’i marrë rrufesë
Vetëtimën
Shtegu fill e përcëllimë
Vetë nxihet
Eja ku je moj Kalinë
Si të rihet?!
Ra kambana e mesnatës
Zbret ringjallja
Drithërohet korri i psalmës
Si llambadha
Përtej kishës, buzë honit
Tret Kalina
Mbretërimi i zakonit
Bën çudira
Nëna eshtër e merakut
Qorton zëmrën
Pse ja thatë lulet zambakut
Vratë ëndrën?!
Si gjëmim i rëndë bore
Fjala thuhet
-Haro lodrat vajzërore
Do shkosh nuse!
……….. ………..
Si t’i shkosh ditët e hirta
Netët me zift e katran
Gur loti shkrihet mërzitja
Pastaj s’ka pritë që e mban
 
Kalinë shpirt trëndafiltë
Ta dëgjoj kujen e xhanit
Nga trishtimi u gërvishën
Sytë që mëngjezin hapnin
 
U bëre si vjeshtë e tretë
Ti që të kish zili dielli
Floku i gjatë në gërshetë
Të duket si litar ferri
 
Dhe baluket togje-togje
Si trëndelina në pajë
Vetëm hënën ke për shoqe
Ulet hallin të ta qajë
 
Të jep të verdhën e faqes
Erën rërë me thërmija
Po hallin e manushaqes
S’e qan dot as shën Mëria
 
Dhe Margariti i syrit
Tri herë shkrepi por nuk ndezi
Ëndrat që fati i lidhi
U tretën vesë mëngjezi
 
Orë e dasmës për lart morri
Ti zbret si kova në puse
Zëri i zakonit foli:
-Shko të diel bëhu nuse!
………….. ……………
Ky fustan i bardhë si bora në hone
Vet nga retë ka ardhë, të të marrë sonte
Ku do shkosh Kalinë, zogë bishtë larë
Pse zjarret mbërdhijnë, krushqit gëzim çarë?
 
Nuk shkelet mbi zemër për një dasëm qorre
Fati zbriti shtrembër, nuk ke faj,se zgjodhe
Dita faqe ligur po përton të zbresë
Ylli i aratisur në dasëm s’merr pjesë
 
Nisi këngë e çmëndur në zi me vetveten
Zogjtë janë trëmbur, janë friksuar detet
I dhëmb qeshja dritës, jeshillëku barit
Çarçafët e prikës i janë falë savanit
 
Vjen një dorë si kosë e ngre re në këmbë
Fjala mbrin në S.O.S.- Mbama lotin Nënë!
Derëbabe qofsh ëndër që s’e pata parë
Fatin kur je femër e ke qorr a çalë
 
Dasma shkon në udhë si bletë në koshere
Kënga vret në buzë, duket si përcjellje
Dasëm kaq memece s’kishte parë vëndi
Moj Kalinë e vetme, gjëmën kush ta bëri?
 
Dhëndi si qivuri ngre vetull sëpatën
Nusja cipull nuri, martohet me natën
Nata si hata, ndalon të kalojë
Një cip mjegull ra, dasmën ta mbulojë
 
Në dolli dasmorësh u deh vet rakia
Nëpër tepsi zorrësh zgjohet marrëzia
Përtej nuse zeza bluan serë në mëndje
U burgos hareja në hapsana zëmre
 
Ku po shkon Kalinë me gërshet të mpleksur
Poshtë honi greminë, lart yje të vdekur
Ç’farë pret me gërshërë, gërshetin a jetën?
Hëna e pabërë e di të vërtetën
 
Dy pashë gërshetë për qafën e hollë
Ëngjejt vijnë të zbehtë të vënë kurorë
Shtrati i amanetit në vajin e qyqes
Kalina ku fjeti?- Në degën e ilqes
 
Nusja vallëzonte valle tragjedinë
Si xhindja në hone e vetmja Kalinë
 
Nëna-  O ju o qeveritarë
            Pse nuk ja prisni litarë
            Me gërshetin është varë
            Era tund vello fustanë*
 
*- Kjo baladë mbështet mbi një ngjarje reale. Pas njoftimit për gjetjen e vajzës së varur në pemë, xhandarët shkojnë në vendngjarje, por prisnin ardhjen e prokurorit për të konstatuar vdekjen dhe më pas ta ulnin vajzën nga litari. Nëna e që u njoftua dhe erdhi, nuk duroi dot të shihte vajzën që lëkundej në litar ndaj ju kthye xhandarëve me këto fjalë. T.M.
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s