“Agu i një shprese” i autorit Nikolla Dika / Nga: Viktor Bakillari

 
 
 
“AGU I NJË SHPRESE” I AUTORIT NIKOLLA DIKA
 
Syrgjyn kam qenë, / Syrgjyn do vdes, / një varg i hidhur, / Nga unë do mbesë.
(Nikolla DIKA “Nuk jam”, f. 67)
 
Ç’është ky libër?
“AGU I NJË SHPRESE” është një vëllim i BUKUR poetik me këto të dhëna:
 
Autor: Nikolla DIKA
(Nikolla DIKA (*1959), me profesion inxhinier mekanik, ka mbaruar Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike-Elektrike në Universitetin e Tiranës (1988). Pas vitit 1991 është shpërngulur në Selanik (Greqi).
Sh.B.: “Neraida”, Tiranë, 2009
Libri ka 119 faqe brenda të cilave hedhin valle e lodrojnë 77 poezi të bukura, nga të cilat 6 (të fundit) janë krijime në gjuhën helene.
 
***
Shumë prej nesh kemi krijuar një ide, fatkeqësisht të gabuar, se duhet detyrimisht të jesh letrar në formim, mundësisht të kesh mbaruar për filologji, letërsi, të kesh lexuar pirgje me libra teorikë dhe letrarë, të kesh edhe cazë dell poetik që të mund të bëhesh poet.
Fatmirësisht, kjo nuk qëndron. Gabon “proverbi”.
Kush mendon kështu, në i pëlqeftë zhgënjimi, le të lexojë librin e Ing. Dikës.
Unë e lexova me një frymë.
Poezi të bukura. Poezi të ajërta, poezi tokësore, poezi me me rimë, me asonancë; të thjeshta, të qarta, drejtshkrimorisht të pastra.
Të gjitha me domethënie dhe me mesazhe pozitive, optimiste.
Në poezitë e ing. Dikës lëvrijnë tema nga më të larmishmet: për jetën e përditshme, për gëzimet familjare, për ëndërrimet e zhgënjimet djaloshare.
Në vëllim ndeshen dendur edhe poezi që rrahin temat filozofike, biblike, mitologjike etj.
Kemi edhe pak fabula shumë të bukura.
Disa nga poezitë e ing. Dikës të tërheqin vërtet vëmendjen dhe të yshtin për të shkruar diçka.
Ja disa prej tyre që më lanë shumë mbresa të bukura:
Poezia “Me pak fjalë” (f. 8) një poezi filozofike, do të thoshim, trajton temën e së vërtetës.
E vërteta është si puna e atij ujit të ftohtë që të shkakton dhimbje në gojë po pate ndonjë dhëmb të prishur.
Për të thënë të vërtetën, – thotë poeti, – nuk duhen shumë fjalë, “duhet veç një penë e mprehtë dhe një plagë e marrë” ose “një lot i nxehtë dhe një fletë e bardhë”.
Larg vendlindjes, cilido përjeton dhimbje e nostalgji. “Shpinëkërrusur në ferrin e mërgimit përditem”, – thotë poeti në poezinë “Monologu i shpinëkërrusurut” (f.11).
Vëreni nga pikëpamja gjuhësore dy neologjizma interesantë e të pranueshëm në gjuhën tonë brenda të njëjtit varg. Kompozita “shpinëkërrusur” dhe folja “përditem” (shtyj ditët).
Mjaft bukur trajtohet edhe problemi i rritjes së fëmijëve sot, ku, sipas autorit (edhe sipas nesh, eh! O Kohë, o zakone! (O temporal, o mores!”), po shkelet mbi traditën. Pedagogjia popullore e rritjes së fëmijës me ninulla e përralla, sot është shkelur me të dyja këmbë. Sot (jemi te poezia “Djepi ku rriten fëmijët” (f. 13), gjyshi e gjyshja “kanë harruar përrallat me mbretër, qerosë, kuçedra, hajdutë, harruan rapsodët e vjetër, Homerët me tel e lahutë.”
Në këtë poezi brilante autori shpërthen gjithë sarkazëm: “Po ç’duhet më zjarri në vatër, / P’rrallat me qerosë e hajdutë, / Ç’na duhen rapsodët e vjetër, / kur kemi ekranin e ngurtë?”
I indinjuar dhe i papërshtatshëm me epokën e zhvlerësimit të shumë vetive pozitive, autori shpërthen:
“O kohë e pabesë, o kuçedër, / Që trutë i sharrove si drutë / e lisave të pyllit të vjetër, për rafte, parkete, kolltukë.”
Shkurt, autori, në mënyrë lakonike, vepron sipas thënies: me një të shtënë, dy të vrarë: Tharjen, mpirjen, topitjen trunore dhe zhdukjen pa kriter të pyjeve.
Një vend të veçantë në vëllim zë, vetëkuptohet, edhe poezia lirike, dashurore.
Ja sa bukurthjesht shprehet autori në poezinë “Duke të pritur ty” (f.40-41):
 
Duke të pritur ty, / Kam temperaturë. …Duke të pritur ty, / Trëndafilat u vyshkën, / Vera u bë uthull. / Duke të pritur ty, /Ëndrrat u ndryshkën, / Shpresa u mblodh kruspull. / Duke të pritur ty, / Vetmia më ka mpirë, / Duke të pritur ty, /Paska gdhirë.
 
Shumë vargje në këtë vëllim tingëllojnë bukur, marrin formën o të një shprehjeje të bukur, ose të një fjale të urtë. Mjaft që të përmendim:
“Jeta s’është kalldrëm i shtruar” (f. 43);
S’na bindi dot shkenca, / As fetë, as Ungjilli, / Mos vallë e vërteta, / Është pjellë e një trillimi (f. 57).
Trojën e rrënoi, / Një dhuratë e ngurtë, / Që i ngjante kalit, / Thotë një fjalë e urtë. (Fjalë e urtë, f. 76).
Më mirë i tradhtuar, / Sesa tradhtar, / Më mirë i helmuar, / Sesa gjarpër zvarrë. (Bindje, f. 83).
Kujt i rëndon palla, / Dysh s’i bëhet fjala, / Kur palla zë ndryshk , / Zë dhe gjuha myshk, / Kur fjala s’ka peshë, / Zë dhe goja lesh. (Palla dhe fjala. F. 84).
 
***
Shpeshherë autori e shikon të vërtetën nga shumë këndvështrime. Janë disa poezi filozofike e urtore që kanë në epiqendër të vërtetën. Si armik i pakompromis kundër gënjeshtrës dhe si mik i së vërtetës, autori na jep një krijim shumë të bukur lidhur me të Vërtetën:
Të vërteta për të vërtetën, – e titullon (f. 85):
E vërteta është si dielli që ndrit , / Dikujt i nxin faqen, dikujt i hap sytë.
E vërteta është porsi një pasqyrë, / Ku secili sheh të veten fytyrë.
E vërteta është si kripa në dete, / Dhe detet të thahen, ajo do të mbetet.
Gënjeshtra, mos sot, nesër do të vdesë, / E vërteta përjetë, e gjallë do të mbesë.
Një vend modest në këtë vëllim zënë edhe traditat e shëndosha dhe morali i fortë që duhet të ketë njeriu.
Shumë therëse është një poezi sa denigruese për njeriun e ulët, aq edhe moraliste.
Poezia “Gjunjëzimi” (f.91) Dikush që nuk ishte mposhtur nga asgjë, gjunjëzohet turpshëm prej brekëve me theka e dantella. Në mënyrë lakonike mbyllet kështu:
“Atë që s’e mposhti, / As dhuna, as zgjedha, / E gjunjëzuan brekët, / Me thaka e dantella.”
Shumë të bukura janë edhe dy fabula “Kur të merr erë koka” (f. 92), ku në mënyrë alegorike, lepurusha nën një ferrë polli njëzet këlyshë dhe donte t’i bënte princër në oborrin e mbretit luan. Luani nga ana e vet u përgjigj në mënyrë lapidare:
S’do ta mbush oborrin, – tha, – / Me lepuj gëmushash, / Mbretëria do luanë, / E jo lepuj fushash”.
Po kështu, shkumë bukur është sajuar artistikisht edhe fabula tjetër “Si morri në jakë” (f. 101).
Morri i uritur, / Rri urtë e tulitur, / Morri sapo ngopet, / Fillon tregon topet.
Sapo ngope barkun, / Kapërceve pragun,
Si morri në jakë, / Dukesh, mor i ngratë.
Poetët e kanë zakon, nuk parapajtohen asnjëherë me realitetin. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me ing. Dikën: Në kërkim të një bote më të mirë, në kërkim të një shoku, ai deklamon: Kërkoj një shok që t’i them: “Kjo botë vëlla, / për ne nuk është e denjë.”. (f.65: Kërkoj një shok).
Vëllimi mbyllet me nota optimiste.
Merre jetën si të vijë (f. 103)
Merre jetën si të vijë, / Thoshte xha Stefani, / Se ajo ka mëmë e atë, / Evën dhe shejtanin.
Merre jetën si të vijë, / Bëje zemrën gur.
Po çdo gjë ka dhe kufi, / Mos harro, je burr’.
Dhe: “Kur nuk ka fjalë të të ngushëllojë” (f. 105), autori e mbyll:
Kur nuk ka fjalë të të ngushëllojë, / Dhe frikë e vdekjes të përpin,
Shpreso ringjalljen që premtoi, / Flijimi i tij mbi kryq, Amin!
 
Vjeshtë e tretë, brymës, brymor, britmi i tretë, shëmëhill
Tir-15.11.2021-anë.
 
Nga: Viktor Bakillari
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s