JON, I DËSHIRUARI IM! / Poezi nga Bardhyl Maliqi  

 
Poezi nga Bardhyl Maliqi
 
 
JON, I DËSHIRUARI IM!
 
Në pelena resh u mbështolla
tek u hepova nga djepi i diellit dhe rashë,
aty, në Konispol,
në vendbanim tim
të stërlashtë
atje, ku shtëpitë
hapet si pëllëmbë në shpatin e tre maleve,
ku njerëzit kanë tridhjetë e një mijë vjet që jetojnë,
dhe ngjizin ëndrrat
stralleve.
 
Ishte ditë e diel,
e një mëngjesi të grunjtë korriku kur unë u kalmenda
në një pëqi drite për t’u ritrupësuar si mbret ilir
në viset e mia thesprote,
Unë, bard i lashtë i kësaj toke,
bir i diellit,
i përveçuar
ndër mote!
 
Deti Jon,
i dëshiruari im,
ti tashmë e di,
ta kam pëshpëritur në vesh mijra herë,
unë linda me hingëllimën e kuajve të tu të bardhë,
që jelet tundin si shamiza vashash brigjeve
e herë shkumëzonin me tërcëllimë duke përplasur thundrat.
Shpesh zgjasja doçkat drejt teje,
që i tundja në erë si përshëndetje të bardha
dhe për çudi,
më dukej se ti m’i ktheje përshëndetjet
me vrapin e dallgëve të tua të kaltra.
 
Të kundroja çdo mëngjes nga tarraca e sterës,
ku çikrikët kërkëllinin për të mbushur kovat e mëdha
që shuanin etjen gushtore të bimëve,
që dielli përvëlues i mesditës t’i gjente më të fuqishme,
për të mos i mundur thatësira,
kuçedra e keqe e përrallave.
Ndërsa plazhi i mohuar i Shëndodhërit më thërriste,
që poshtë Qafës së Botës,
të rendja drejt të detit tim të dëshiruar
në një eros përvëlues,
në aromën e kandellave,
ku karakollet vëzhgonin kërcënueshëm
deri në absurdin e vet
lirinë tonë të munguar.
 
Ndaj unë e shuaja etjen për ty
në bujanat e Pavlos,
të lumit dredharak që na mahniste me çudirat e tij,
duke na përmbytur dimrave të egër,
duke na u përkëdhelur nëpër këmbë në verërat lulore,
që gjithësesi na falte kënaqësinë e zhytjeve,
të guvave me guvjaçë të trembur dhe gaforre.
 
I adhuruari im Jon,
të kundroja çdo mbrëmje në perëndim të diellit
dhe më trishtonte errësira
që si perçe e zezë nderej në hapsirat e tua,
a do të jesh nesër po aty, i shtrenjti im,
a do të më presësh me ledhatime valësh të buta?
E di se do të jesh,
që tej nga Qelqira pasqyrat e ujrave reflektojnë
nën llamba inkadishente
dhe reflekse të përhënura argjend në manushaqe.
 
Ndaj bëra ç’është e mundur të vija tek ti,
Vonë, shumë vonë,
kishin kaluar 11 vjet të mijëvjeçarit të ri,
kur i thashë ushtarit grek tek dogana se ku do të shkoja
ai ngriti supet i habitur:
“Je i çmëndur apo si?!”
Jo, i them, do të takohem me të dashurin tim në Shëndodhër,
tej burimeve të taposur të Lumbardhës sime,
ku egoizmi i arhondëve,
e shteri ujin shtigjeve.
Ushtar
e kam pritur dhjetra vjet këtë ditë,
t’ia kalëroj kuajt e bardhë të Jonit,
të më kolovitin valët e tij në shpinë,
të prehem në njelmësinë magjike të tij;
dhe në vdeksha të vdes siç linda
në lodrime valësh,
me shumë dashuri…
 
Konispol, 19 korrik 2011

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s