Ç-MEME ose ÇMIME TË VDEKURA / Nga: Rudina Çupi

 
Rudina Çupi
 
 
Ç-MEME ose ÇMIME TË VDEKURA
 
Njerëzit koleksionojnë lloj-lloj gjërash e, nëse dikush do të donte të koleksiononte çmime, në Shqipëri do t’i gjente LIRË dhe të një FAUNE të larmishme, madje do të gjente edhe Ç-MEME. Unë kam marrë çmime virtuale, vetëm përmendje, vetëm kaq; kam marrë një çmim që nuk kishte as certifikatë për të fshirë… buzët pasi t‘i lëpish. Kam marrë çmime PA NJË VLERË, që më kanë bërë të ndihem kapadai si njësh PA një bandë zerosh me xhufkë nga pas. Kam marrë edhe çmime veç me një trofe – një gur për të çarë kokën. Kam marrë dhe çmime që duhej t’i ndaja me të tjerë… madje kam dhe çmim që e kishte emrin Fond. (Madje, një herë më kanë përjashtuar nga lista e çmimeve se e kisha marrë njëherë… ka dhe kështu)… Sa shumë çmime dhe sa të pamjaftueshme! Të gjithë e marrin autorin për NAIV, që rron me ajrin e frymëzimit dhe me LIKE-n e lëvdatës, pasi çdokush përveç tij është i paguar për punën e vet: institucioni që e ndan çmimin, juria, madje edhe fotografi i eventit. E gjitha kjo më sjell në mendje budallanë te “Dasma e Sakos”. Dhe të mendosh se shumica e këtyre çmimeve janë të vdekura… muri im i lavdisë është një varrezë e certifikuar çmimesh, pasi çmimi është në kapak floriri, pas të cilit nuk ka më ngritje: ftesa për evente, intervista, biseda e shumëçfarë, pjesëmarrje në juri (nëse i do këto duhet t’i cytësh vetë e kur nuk je i tipit “lëvdomë o gojë se të çava”, mbetesh). Ka shumë autorë që kanë marrë çmim pas vdekjes, por kur e merr në të gjallë e kur të gjithë sillen sikur kanë mbaruar punë me ty, kjo është shije më e hidhur sesa të mos të të kishin vlerësuar. Është çhonepsje! Me një hon të thellë midis! Sidoqoftë…
 
Po atëherë, pse pas gjjithë kësaj gurguleje të përsëritur besojmë përsëri e marrim pjesë në garë? Për atë të shkretë KRITIKË. Hallkën e fundit… Si autore librash për fëmijë më është dashur të bëj punën e një stafi të tërë: të krijoj tekstin, të gjej ilustruesin (dhe ta paguaj), të faqos, të paguaj shtyshkronjën, të dërgoj librat te librari, të afroj librat me lexuesin në një gjeografi të gjerë dhe me të gjitha këto ia kam dalë. Por kritikën nuk ta dhuron kush, nuk blihet, nuk bëhet dot vetë e as nuk bëhet me porosi. Kalimi i një libri në sitën e një jurie ka mbetur e vetmja shpresë për të pasur kritikë, edhe pse gjykimi fundor vlerësues është veçse një fjali në certifikatën e çmimit, jo një trajtim i mirëfilltë kritik. Por… tekefundit… pasuria e kujt është libri? Cilët janë përftuesit e kritikës? Pse këtë çështje duhet ta ngrejë vetëm autori, kur ajo i shërben edhe lexuesit, edhe librarit, edhe shtëpisë botuese, edhe gazetarit të kulturës, edhe vetë kritikut, se fundja libri është PRODUKT KULTURE, i ngjashëm me emrin, që ti e mban (ti e bën, në këtë rast), por të tjerët e përdorin. Pse nuk ndihen të tjerët?!
 
Pas panoramës së parë nga lart, tani le të dalim te thelbi: Shoqata e Botuesve për të disatin vit nuk ka ndarë një çmim për librin për fëmijë dhe, nëse para dy vjetësh doli me sebepin e turpshëm “nuk ka prurje”, sivjet nuk ka shfaqjësime. Libri për fëmijë dhe autorët e tij kanë qenë të vetmet evente kulture në qytet gjatë këtij viti dhe të gjitha këto falë punës së palodhur të autorëve që lënë punën, shkojnë në terren, lexojnë, komukojnë e takohen me lexuesit e nuk i bien rehatisë e nuk bilbilosin si “e ëma e Zeqos” siç bëjnë disa institucione, që nuk i ndahen kullës së tyre të fildishtë (në takimet e tyre kanë po të njëjtët spektatorë, nuk di nëse i paguajnë si duartrokitës me mëditje, se mes tyre nuk ka asnjë lexues… e kujt i nusëron kjo nuse pa krushq?) Si mendon t’i sigurojë lexuesit e ardhshëm të librave të saj kjo shoqatë nëse sot nuk bën asgjë për mbjelljen e farës sot të vjekë mot?
 
Në fakt, po ta mendosh, është TURP mbi TURPE ta marrësh çmimin nga një juri-manekin që nuk ka asnjë të drejtë vendimmarrjeje përveçse të zbatojë lepe-peqe verdiktin e kryetarit; është TURP ta marrësh çmimin nga një shoqatë e cila të vetmen gjë që di të bëjë është të VJELË mundin e botuesve të tjerë një herë në vit kur bën një palo-panair copy/paste vit pas viti pa ofruar asgjë të re ajo vetë, me ca aktivitete me rob shpie e operatorë; kur me paturpësi thotë se është mbështetur nga X institucion shtetëror i kulturës (vetëm banjat i kanë mbetur për të mbështetur se stendat i paguajnë vetë shtëpitë botuese); që është një institucion aq shterpë sa gjatë gjithë vitit nuk bën as 1% të punës që unë si autore, e vetme, pa një staf, kam bërë vazhdimisht e kudo për të afruar lexuesin me librin; një shoqatë që nuk ngre asnjë nga problematikat e shumta të botimit, të taksimit, të librit e të leximit, që janë me okë? Kujt i hyn në punë një shoqatë e tillë? Pse botuesit janë kaq indiferentë dhe e pranojnë gozhdimin e të njëjtit kryetar shoqate në fronin e artë, kur ndërkohë ata vetë përpiqen të zhvillohen e të sjellin të reja, të jenë me hapin e kohës dhe të përparojnë? Pse heshin këta njerëz? Dhe kur intelektuali hesht, kush pritet të nxisë zhivillim??? Apo presin ta bëjë revolucionin Kosova dhe këta ta ndjekin? Pse asnjë gazetar nuk kap më thumbin e problemeve, por vetëm fluturat e lëvdatës? Turpi ka vetinë të mos jetë vetëm.
 
Shoqatë e Botuesve, ju lutem, ma ktheni librin tim t’i fal një LEXUESI. Ai është shumë më i denjë se ju dhe është vlerësim i painteres.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s