Poezi nga Myrteza Mara

 
Poezi nga Myrteza Mara
 
 
NUK QAJ PËR VETE
 
Dhe për udhët që nuk shkoi, tim Ati,
i kërkuan taksë
sepse mbretin e zinte lemza në gjumë.
 
Si dhembët e një krehri pagoi me radhë:
-taksën e oxhakut, pa ndezur një herë zjarr;
-taksën e qiellit, pa fluturuar kurrë;
-taksën e gjakut, pa shkelur një varr;
-taksë për arën që rriste vetëm gurë!
(Pagoi dhe për taksën e urës,
kur tërë jetën kaloi në lumë!)
 
Unë pata fat,
pagova një taksë më pak, sepse
qesha kur më qahej;
brohorita edhe kur më binin dhëmbët,
gëzova edhe kur zemra më çahej!
(një taksë më pak ishte ëndërr!)
Dhe qeshja u bë maskë…
 
Tani qaj, si streha në dimër, dehur me ujë,
për nipat e stërnipat se do të paguajnë
edhe për taksën që s’pagova unë!
 
(nga vëllimi “Nën hijen e një ëndrre”)
 
 
ZHURMË, ZHURMË…
 
Në këtë botë ka shumë zhurmë,
ndaj dëgjojmë çdo ditë e më pak.
Kemi harruar të flemë dhe gjumë,
për të ngrënë mjafton dhe një vakt.
 
Më pak në këtë botë edhe dashuri,
ndaj dielli duhet futur në çmendinë.
Udhët janë ndotur me tradhëti
çdo hap mund të shkelësh mbi minë.
 
Më mirë do ishim në shkretëtirë,
atje ku mosmirënjohja nuk rritet.
Dunat e rërës do bëhen strehim
do kujtohemi të psallim dhe ritet.
 
Në këtë botë ka shumë zhurmë,
në botën tjetër më shumë akoma.
Shpirtrat e pangopur s’bëjnë gjumë
po cila nga botët është e jona?
 
Mos duhet të filloj sërish nga ameba,
kjo botë që po mbytet e tëra në gjak!?
Botë e shurdhër, dëgjoi poetët,
Në s’do të mbetesh verbëruar me natë!
 
 
DËGJOJ NJË TROK
 
Dëgjoj një trok të largët, larg
Si jehonë orteku vjen e afrohet
Të jet ylber!? Ylberi është fat
Ç’të jet ky trok që po vonohet?
 
Dëgjoj një këngë, këngë zemre
Bashkë me ortekun në rropamë
Ngjyrosur e tëra me bojë ëndrre
Ashtu siç ndodh në dashurin e parë.
 
Dëgjoj një lutje, një lutje shpirti
Do ngre për të një tempull me lot
S’do më mjaftonin muajt e një viti
Ndoshta gjithë vitet të ikin me trok.
 
Dëgjoj dhe veten të flas me vete
Zjarrin e psherëtimave si krua
E vogël zemra dhe mban kaq tërmete!
Ndodh kudo, apo vetëm mua?
 
Dëgjoj një trok që s’di të ndalet
Do dalë ta pres tek porta e diellit
Tek tempulli i lotit, atje do falem
Deri sa të ndizen dy ura ylberi.
 
Në u bëftë natë e ftohtë dhe acar
Do t’më gjeni mbi ikonën e lotëve
Vetëm atë kam si dëshmitarë
Drit’e dritës në udhët e dy botëve.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s