Poezi nga Rexhep Shahu

 
Poezi nga Rexhep Shahu
 
 
***
 
Ti kurrë nuk ke qenë më e bukur
Se kur unë pikturoj në ty, në fytyrën tënde
Sigurinë time, vrasjen e frikës dhe përkëdhel shpresën.
 
Kurrë nuk mund të jesh më e bukur
Se kur ta pi lotin e gëzimit në burim të cepi i syrit,
Lotin e sigurisë së burrit që njom rrënjët e paqes
Dhe mëkon fuqinë për jetën.
 
Ti kurrë nuk mund të jesh më e bukur
Se në çastet kur unë shkruaj në ty
Në fytyrën tënde me gishtërinjtë e mi
Fjalët e pashkruara që s’i thotë asnjë gjuhë.
 
Ti kurrë nuk mund të jesh më e bukur
Se në çastet kur ta marr kokën në duar,
I ngazëllyer çmendem e harroj të flas,
Të vështroj e të puth të vështroj e thërras.
 
Nga libri: “Qyteti i lutjeve”
 
 
Mbi fushat e inatit tënd
 
Në këtë ditë dimri me diell
Era pëshpërit fjalë prej teje,
Më qesh fytyra dhe nga padurimi
Çoj dorën nëpër flokë.
Dielli sjell dritën e syve të tu,
E ndjej veshtrimin tënd të butë
Të derdhet mbi mua.
Nisem për tek ti. Ecja më vonon,
Ndaj fluturoj, këmbët s’më zënë tokë,
Fluturoj mbi trafikun e thashethemeve të ditës,
Mbi vogëlsitë që njerzve u duken mal.
Sa kohë humbëm me ecje dhe s’fluturuam.
Fluturoj dhe krahët zgjas lart, shumë lart
Për tek dielli që ta marr në duar
Siç merrja hënën netëve për ty
E ta zbrisja në dritare.
Zgjas krahët për tek ëndrra, aty ku jetoj me ty
Marr një ëndërr në planetin tonë
Si një tufë me lule
Dhe ta sjell aty ku më pret.
 
Nga libri: “Lis i vetëm në fushë”
 
 
***
fragment
 
Çfarë të bëj këtu vetëm me vdekjen në mes të fushës,
Të luftosh në luftë, e kotë thotë ajo
Njëlloj të jetosh si mes të gjallëve, mes të vdekurve.
Çfarë të bëj, më thuaj!
Teksa gjethet bien dhe i flak dhunshëm era e çmendur,
Dashuritë vriten nga frika e humbjes,
S’ka varrezë dashurie në këtë qytet.
Vrasja duartrokitet në tribuna, salla e sheshe
Kalërojnë kuajt e inatit dhe urrejtjes,
Tërheqin zvarrë kufomat e ëndrrave të mia të bukura,
Kufomën ende me shpirt të shpresave të përdhunuara
Nën ritmin e ulërimave që çmendin zhgënjimin tim
Tek shoh si vrasin njëri – tjetrin ata që fitojnë humbjet
Dhe kalërojnë kuajt e urrejtjes drejt humnerave të harrimit
Duke sharë me loçkë të shpirtit diellin.
 
Nga libri: “Qyteti i lutjeve”
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s