Poezi nga Mirela Leka Xhava
Pikturat e qiellit
Në këtë copë qiell mbi kokën time
ndriçojnë rrezet e diellit, në mëngjes,
të tjera rreze të hënës, në mbrëmje.
Këtu qielli është blu.
Vendi me qiell blu, sy blu, oqean blu,
kufij qiellorë, të padukshëm blu.
A thua gjithçka e përfshin kjo ngjyrë
Të gjitha, dhe të zezën ky vend, e përkthen në alfabetin e ngjyrave në gjuhën blu.
***
Tutje, në copa qiejsh të tjerë, mbi koka të tjera
të tjera histori koloresh, ndoshta janë njerëzit,
janë kombet, që si fëmijet pikturojnë qiellin.
Disa të kuq, simbol i betejave me toreadorë
e si perëndime të nxehtë, të gjakosur,
dikush të verdhë, me diellin që ia bën lëkurën çokollatë
e zemrën të bardhë,
dikush i vendos yje, dhe në çdo yll një filozof, një perëndi, një mit,
Qielli është blu, yjet aty, në mes të ditës, të dukshme e të padukshme perceptim…
***
Dikush i urren ngjyrat,
ndyshe nga klasi Armani, Chanel,
i urren deri në vdekje, sidomos blunë qiellore, hyjnore.
As e ka pasur, as do ta ketë,
e as të tjerët të mos e kenë…
Ky njeri me penel e lyen të gjithë të zezë
i vë një kryq te zi, si shenjë varri
kanavacës e qiellit të tij, i shton rrufetë e Zeusit
e poshtë zjarr, zogj gjithandej të vdekur
të pafajshmit, mbi kokë, sillen rrotull si korbat.
***
Dhe pyes veten, këta “artistë” qiejsh te trishtuar
dhurojini bojra, shumë blu, shumë ngjyra,
sepse qielli është kanavacë e madhe, horizont pa fund!