César Vallejo
Kalendari poetik: César Vallejo (1892-1938)
Nesër, më 16 mars, është 130 vjetori i lindjes së Sézar Vajehos (emri i plotë-César Abraham Vallejo Mendoza), poet i njohur nga Peruja.
Kritiku Thomas Merton e quante “poeti më i madh botëror, pas Dantes”; kurse poeti, kritiku dhe biografi Martin Seymour-Smith ka thënë për të “…poeti më i madh i shekullit XX për të gjitha gjuhët.”
Vdiq në Paris, ku jetonte pas vitit 1923, më 15 prill 1938 dhe u varros në Montparnasse. Ja një poezi prej tij:
LAJMËTARË OGURZINJ
Jep jeta goditje kaq të rënda sa…S’e di!
Mu sikur të jenë rrufe Perëndish
Të gjithë mundimet na kthehen sërish
E na kalben brenda në shpirt…S’e di!
Pak janë: ama…gropa të zeza hapin
Në krenaret fytyra, ijet më të forta.
Si të jenë kuajt e Attila barbarit
A lajmëtar’ ogurzinj që dërgon Mortja.
Janë rrëzimet e Krishtërve në shpirt,
Të ndonjë feje të lartë që Fati përndjek,
Me goditje gjak e flakë si shkrumbim
I bukës kur goj’ e nxehtë e furrës e djeg.
I shkreti njeri!… Sjell sytë përqark
Sikur dikush në sup e godet lehtë;
Zgurdullon sytë dhe jeta bëhet në çast
Pellg i qelbur faji në vështrimin pa jetë.
Jep jeta goditje kaq të rënda sa…S’e di!

© shqipëroi Maksim Rakipaj