Henrik Ibsen
Kalendari poetik: Henrik Ibsen (1828-1906)
Më 20 mars 1828 u lind Henrik Ibsen, në një familje me prejardhje daneze dhe gjermane. Në Shqipëri i bë i njohur nga shqipërimet e Fan Nolit, që solli në shqip mes të tjerash dramat e tij “Armiku i popullit” dhe “Shtëpia e Kukullës”. Ishte dramaturg, regjisor teatri dhe poet i shquar norvegjez, mbahet nga kritika si babai i dramaturgjisë moderne. Sjell sot një shqipërim nga Ibsen të para tetë viteve:
FUQIA DHE KUJTESA
Dëgjoni! E dini se ç’bën zbutësi me ariun
kur e mëson të mos harrojë ç’i mëson njeriu?
E lidh mirë mbi një tigan të madh kafshën e ngratë,
pastaj ndën atë tigan vete dhe vë flakën.
Këtej matanë, fillon i bije fizarmonikës
dhe këndon këngën “Gëzo jetën, hiç mos ki frikë!”
Nga dhëmbja e madhe, kur ndjen se digjet për së gjalli,
ç’të bëjë ari i gjorë? Valles ia merr, nga halli.
Kështu ariu, kur dëgjon muzikën tjetër herë,
“Ah, u dogja” thotë dhe nis vallen menjëherë.
Dikur mbaj mënd, n’atë tigan më vunë edhe mua,
këtej matanë vu orkestra, s’kishte të pushuar.
Shkoi e djegura në mish, të gjallë më përvëluan,
se ç’hoqa unë e di, kurrë s’kam për ta harruar.
Kështu tani, sa herë dëgjoj melodinë prapë
“aha, -them – tani më lidhën, më vunë në tigan!”
Ndjej zjarrin në mish e në kockë, fillon llahtaria
dhe valles ia marr me këmbët e vjershave të mia.

© shqipëroi Maksim Rakipaj