Lina Kostenko
Kalendari poetik: Lina Kostenko 19 mars 1930
Poete dhe shkrimtare ukrainase, përfaqësuesja më e shquar e “Brezit të viteve 60” të poetëve ukrainas. Në fëmini provoi vuajtjet e Holodomor-it, zija e bukës në vitet 1932-33, kur vdiqën nga uria miliona ukrainas. Në vitin 1936 familja e saj u vendos në Kiev ku vazhdoi shkollën. Në vitin 1956 përfundoi studimet në Institutin e Letërsisë Maksim Gorkij, në Moskë, si studente e shkëlqyer. Në vazhdim botoi tri përmbledhje poetike që u pritën shumë mirë nga lexuesit dhe kritika letrare, por jo nga partia në pushtet. Për rreth 20 vite, deri në vitin 1977, iu hoq e drejta e botimit. Ka shkruar edhe një libër për katastrofën e Çërnobilit. E bija, Oksana, jep gjuhë dhe letërsi ukrainase në Universitetin La Spienza, në Romë. Me rastin e 92 vjetorit të lindjes, sjell këtë poezi nga poetja ukranase, duke i uruar jetë të gjatë dhe përfundim të shpejtë të luftës në atdheun e saj:
PËR FLATRAT TONA (Про наші крила)
Vërtet, atyre me flatra, toka nuk u duhet.
S’ka tokë, ama ka qiell.
S’ka lirishta, por ka liri.
S’ka ugar, janë retë lart.
Kjo është e vërteta e zogut.
Po për njeriun? Cila është?
Jeton në tokë. S’mund të fluturojë.
Por flatra ka. Flatra ka!
Por s’janë prej puplash e pendësh.
Janë prej së vërtetës, nderit, besimit.
Dikush i ka në besnikërinë ndaj dashurisë.
Dikush – në frymëzimin e përjetshëm
Dikush – në punën e ndershme.
Dikush – në një shpresë, një ëndërr.
Thonë njeriu nuk fluturon.
Por ka flatra. Flatra ka!

© shqipëroi Maksim Rakipaj