KUR DITA QAN SI FËMIJË KOSOVE / Poezi nga Xhevdet Bajraj

 
Poezi nga Xhevdet Bajraj
 
 
KUR DITA QAN SI FËMIJË KOSOVE
 
E strukur në skajin e qiellit ku zakonisht vdesin dhe motrat e saj
Vetëm shpinën ia shoh ditës që dridhet e qan si fëmijë Kosove
Edhe tingujt e këngëve të mariaçëve ngulen në gjemba kaktusësh
Bien nën rrota makinash po ato vdesin bukur o zotëra të mëdhenj
Ju që ma paketuat dhembjen në atdhe dhe ma dhatë me vete
Ju që afër njëzet mijë i dërguat në parajsë
E ne të gjallëve na mbyllët në kafaze me grila kujtimesh
Të stolisura me rruaza të kuqe gjaku
Dhe këngët i mbushët me varre
Edhe ju që bëtë që shqiptari të mos duket shqiptar
Kur ishte o sot o kurrë
E tashti kositni bar mbi pullazet e shtëpive të djegura
Për t’ia afruar popullit të cilin ende e përkund vdekja
Ju që në emër të shqiponjës
Fluturoni më lart e më shumë se vetë shqiponja
Edhe ju që në emër të fitores
E ngatërroni lirinë me letër të përdorur tualeti
Pastaj e lani dhe e varni që të thahet
Për ta mbështjellur njerëzimi ushqimin
Për të gjithë ju vlen
Në gjunjë
Përpara përmendores së gishtit të mesëm
Të ngritur nga kjo ditë që qan e dridhet si fëmijë Kosove
Që qan e dridhet
Ah
Si fëmijë Kosove

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s