Poezi nga Mark Simoni
MOS U ÇUDIT
Fjalët i ka marrë malli për ty.
Ndaj mos u çudit nëse një mbremje
Brenda zarfit që kam nisur tek ti
Ke për të gjetur një fletë pa germa,
të pashkruar, të bardhë,
Fjalët ta kanë braktisur letrën,
Për të mbërritur tek ti sa më parë.
Edhe fjalët i ka marrë malli për ty.
(Shkëputur nga libri “Sa shpejt kalojnë 3 minutat”. Poezi e shkruar në gjimnaz)
MË MERR NJË MALL TJETËR
I kam rënë qosh e në qosh të Europës
Duke parë kështjella të vjetra,
Me frëngji të ngushta,
Bedena të lodhura dhe mure të rrënuar.
Cicëronët me fytyrat e tyre të zbehta,
(Si kapakë regjistrash të vjetër),
Tregojnë ditë përditë datat heroike dhe vdekjet e trimave.
Këto kështjella më kujtojnë përherë
Plakat e lagjes së vjetër, që s’u martuan as njëherë,
Që nuk iu gëzuan kurrë dashurive
Dhe u lodhën nga beqaria e tyre e përjetshme.
Më ka marrë malli të dëgjoj historitë e ca kalave të vogla
Që pushtoheshin butë në ndonjë mesnatë,
Nga ndonjë tradhëti tunduese e ndonjëres prej grave të bukura të kështjellës,
Që gjasme kishte harruar padashje porten e madhe hapur.
Dhe s’kishte as vringëllima armësh, as të vrarë, as klithma, as gjak,
Kalatë e vogla pushtoheshin e binin ngadalë.
Si gratë e bukura që rrëzohen në shtrat.