Poezi nga Shejmondë Pacarada
SOT ËSHTË E HËNË
Sot është e Hënë
E hëna qe strukur përtej pragut më priste
Me vite.
Dhe nga streha në heshje me buzëqeshte
E herë pas here, ëmbël më pëshpëriste
Jo, jo, ju nuk e ndjenit, nuk e shihnit
Vetëm unë, ndjeja flladin e saj të lehtë
Që më përkëdhelte,
Vetëm unë e ndjeja, se ishte aty strukur
Në pritje për t’më përqafuar.
Po sot erdhi
Ende pa lindur dielli
më solli aromë deti , dallgë të ngrohta Marsi
Dhe qiellit i dha ngjyrë
Me hyri në zemer ,
Si nje Kristal shkëlqeu!
Kaluan tri vite në pritje
Dhe jetova shumë jetë ,
Por të sotmen, e jetova sot , e shijova sot
U bëra me emër të ri
Sot.
Do duhej ju, të ishit këtu me mua
Ju që më gatuat me dashuri
Për të përqafur suksesin tim,
Për të shijuar buzëqeshjen time,
Pas asaj pritjeje të gjatë
Pas asaj lodhjeje të gjatë
Në kërkim të ëndrres …
Zbarkoj sot…
Me krahët e së Hënës.
Nisa një javë të re
Një jetë të re
Pas krahësh hodha
Pelerinën e pluhrosur nga koha e vjeter.