José Hierro
Kalendari poetik: José Hierro (1922-2002)
Më 3 prill 1922 u lind poeti i njohur spanjoll J. Hierro. Poet i vlerësuar me shumë çmime të rëndësishëm në Spanjë dhe në botën spanjishtfolëse, si p.sh., Çmimi Kombtar i Poezisë, Çmimi Cervantes e plot të tjerë. U lind dhe vdiq në Madrid, por qyteti i tij më i dashur ku kaloi një pjesë të madhe të jetës dhe punonte më me dëshirë qe qyteti bregdetar Santander, i cili i frymëzoi vargjet:
“Si muero, que me pongan desnudo,
desnudo junto al mar . . . . . . .”
Ja poezia që përzgjodha në 100 vjetorin e lindjes së tij:
PO TË QE E VËRTETË
Po të qe e vërtetë se dy shpirtëra
ecin bashkë, anipse
trupat e tyre nuk njihen; po të qe e vërtetë
që njëri tjetrin prekur kanë prej kohësh,
të njëjtën dritë kanë pirë,
i njëjti fat i pat përkundur;
po të qe e vërtetë që janë gjethe
të së njëjtës pemë, përherë e gjelbër dh’e përjetshme;
po të qe e vërtetë se fitore e tyre
arrihet kur sytë e shpirtit binjak
shohin trupin binjak të tanishëm;
nëse gjithë kjo do të qe e vërtetë,
përse atë ditë shtatori
nuk të kërkova, nuk të fola, nuk të mora;
përse mohova që ishe aty,
përse s’më tërhoqi ylli
që të ndrinte në ballë;
si mund të mos qe
e shkuara jote tani, që më dhimbte,
nuk di si ndodhi. Përse
nuk e mbajta, me thonj, me dhëmbë,
me zemër…
Po të qe e vërtetë
që dy shpirtëra, anipse trupat
e tyre nuk njihen, dridhen njësoj, sëbashku shkojnë
drejt së njëjtës fole të ngrohtë,
përse atë ditë, në atë dritë thellë,
përse atë ditë në rrugë
drejt përballë perëndimit;
përse atë ditë nuk e ndjeva
që po më përshkonte vdekja?

© shqipëroi Maksim Rakipaj