Poezi nga Shazim Mehmeti
HAPËSIRAVE T’QYTETIT, DITËVERA FESTONTE DITËLINDJEN E VETES…
Hapësirave t’qytetit,
ditëvera festonte
ditëlindjen e vetes.
N’trotuar,
ajo kaloi pranë meje,
harlisur, harlisur,
si drenushë e bardhë,
prej malesh zbritur.
I lodronin,
i vallëzonin hiret,
vithet.
Zot,
se si e pa
era këmbëngulëse,
se si e ndjeu,
se si iu ngjesh,
se si u çmend,
se si ia fluturoi mahnitshëm
dendjen e flokëve.
Ia pashë
veshin dritëlarë,
ia pashë qerpikun e gjatë,
ia pashë lëkurën e hollë t’qafës,
gufimin e gjoksit,
këputjen n’bel ia pashë,
dhe qiejt m’ranë,
dhe qiejt m’ranë
mbi kokë…