Hilda Hilst
Kalendari poetik: Hilda Hilst (1930-2004)
Më 21 prill 1930 u lind Hilda Hilst, poete, shkrimtare dhe dramaturge e njohur braziliane. I ati ishte me prejardhje gjermane, nëna me prejardhje portugeze. Kritika e mban si një nga autorët më me peshë të gjuhës portugeze të shek. XX. Në shkrimet e saj, ku ndjehet ndikimi i James Joyce dhe Samuel Beckett, trajtohen kryesisht tema që kanë të bëjnë me misticizmin, marrëzinë, trupin e njeriut, erotizmin, etj. Ja një poezi prej saj:
GJITHÇKA KAM BRENDA MEJE
Gjithçka jeton brenda meje, gjithçka hyn
në jetën time të trazuar.
Prandaj mos u gënje, njeri, vëlla,
kur thua se natën vetëm veten shoh.
Shoh veten, ty. Dhe ata që dalin
mëngjezeve me frikën dhe varfërinë e tyre.
Kam sy të mprehtë, të gjithë brenda meje i kam,
sepse poeti është i afërt me gjithçka fshihet brenda njerëzve.
Zbulon ç’ka përtej dukjes, para së gjithash
është i lirë, prandaj i di gjërat.
Kur poeti flet,
nga dhoma e tij flet, jo nga skena, jo nga mitingu,
ai s’kërkon pasuri, nuk bën shkëmbim, e di se ari është gjak.
Sytë te shpirti i njeriut i ka,
në pafundësinë e atij shpirti.
Secilit ia njeh etjen. Dhe meqë është kështu,
kaq të kërkoj: dëgjomë, kuptomë.
Deri sa të jetë gjallë qoftë dhe një poet,
njeriu gjallë do të jetë.

© shqipëroi Maksim Rakipaj