Shqetësuar dhe turbulluar rrjedh përroi nëpër natë… / Fragment nga romani “PËRROI QANTE NË MESNATË” të autorit Kristaq Turtulli

 
PËRROI QANTE NË MESNATË
 
Shqetësuar dhe turbulluar rrjedh përroi nëpër natë…
 
Nuk mund ta kuptonte në e kërkoi gjë-në me ngulm, etje çmendurake. Ndoshta ngaqë u rropat pa u ndalur në shkretëtirë dhe humbëtirë, gërmoi kudo me majën e bajonetës së pështjellimit deri sa e gjeti. Gjë-ja qëndronte fshehur diku dhe kur e pa që ai u lodh dhe u nevrikos, kërceu si nepërkë dhe, u shfaq me të gjithë pamjen dhe shtrirjen e saj. Ai verbuar, dorëzuar, tmerrësisht i zhgënjyer u llahtaris .
Me trishtim dhe dhembje u përpoq ta largonte prej vëmendjes mundin e pashpallur, ta flakte tutje, ta shkelmonte me indiferentizëm pasiv, se gjë-ja, nuk ish gjë dhe asgjëja ish një gjë që nuk mund të ishte. Por ish tmerrësisht e vajtueshme. A mundesh vallë të ngrihesh mbi atë që nuk janë ngritur dhe nuk kanë bërë të tjerët?!
Turfulloi me inat, u përpoq të shkundte trupin e kontraktuar, por nuk mundi. Përsëri me ngulm dhe nervozizëm lëvizi majat e ngurtësuara të gishtave, që iu dukën të shtrembër, të pistë.
Ndjeu marramendje të madhe dhe ligështim të keq…
Kur besoi se i largoi gërhimat, zhurmat dhe zërat e fikura po treteshin tutje, “gjë-ja,” iu shfaq në çastin kur rrokullisej i lodhur dhe i pafuqishëm në jastëkët e përdorur të ëndrrës. Masa në fillim hyri pa ndjerë duke shtyrë me ngut muret e sfungjerta të kujtimeve. Gjë-ja e çuditshme ish pa formë, lëvizte nëpër mjegullinën e dendur si kafshë amorfe shumëkëmbëshe dhe shumëduarshe. Gjymtyrët e kafshës herë i dukeshin të vogla, të holla, milimetrike dhe herë gjigante, të cilat shtriheshin së largu, kullës e vjetër në bjeshkë, me frëngji të ngushta, përdridheshin rreth maleve mbuluar me borën shumëvjeçare, e kësulën e reve. Ktheheshin me ngut e vinin deri në vendrojë, në shtratin prej kashte të ronitur ku ish shtrirë. Lëvizi me vrull këmbën e majtë ta shtynte të keqen.
Ndoshta ëndrrat e nxituara, krijuara prej lodhjeve dhe merakeve i ngatërrojnë keqas shfaqjet dhe gjithçka bëhet e rremë, e mjegullt e shëmtuar.
O zot, sa keq që ish nëpërkëmbur nderi, sedra e burrit. “Gjëja” sikur ta kish dëgjuar klithmën e ngritur prej shpirtit u tjetërsua, u zvogëlua, filloi të zvarritej këmbë e duar, rrokullisej, të lëshonte një zë të hollë përvuajtur dhe ngulmonte se ish fëmija fatkeqe pa nënë e babë humbur aksidentalisht në përrua shumë vite të shkuar dhe që e kish emrin Shestan.
“Nuk të besoj,” bërtiti.
Fëmija bërtiti, ulëriti me kërcënim, u rrotullua me forcë rreth vetes si të ish tornado, dhe përsëri u shndërrua në masë pa formë. U fry, u nevrikos, hungëriti, dhe befas prej gjirit nxori një këmishë të përgjakur, u mbështoll me të. …
Më dëgjon, më shumë nuk mund të flas. Këmishët e gjakosura duhet vetëm të ndehen në tel, lërini të thahen, të zverdhen, të roniten por, kurrë nuk mund të bëhen daulle për të trembur shpirtrat. Më dëgjon, kurrë. Nuk mund të flas, mos ma kërko ta them ato që nuk duhen thënë…
Kaloshit i ish tharë gjuha, i ish bërë trokë dhe lidhur. Nuk dinte se çfarë ti thoshte. “Gjëja” e çuditshme ndërronte formë çdo sekondë
 
 
kristaq
 
PËRROI QANTE NË MESNATË
Roman Prishtinë , Kosovë janar 2021.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s