Poezi nga Sadik Bejko

 
Poezi nga Sadik Bejko
 
 
NIRVANA E SHTËRGUT
 
Shtërg mëngjesi
në skelet kockash ke nderur krahët e mëdhenj
flatra me grimca agu të lëngësht
të mpiksur
si avullim drite mbi lumenj.
 
Fli e qielltë ,
mbi degë të holla kockash
me diell, erë dhe vesë veshur-
te koha e pastër,
te çerdhja e burimeve kthehu prapë,
aty ku gojët
çurgojnë cakun ditë as natë.
 
Fli i fluturimit
çelik krahët mprehur
në cipëzën sipër lumit,
kalitur gjer në diell,
kthehu në ciklin e madh.
Rrethin e mbyllur
fluturimthi çaje,
dili tejpërtej.
 
Çaje truallin e qielltë,
Qoftë në ebanit a në mermer,
Shkrihu në dritë të fluturimit pa cak
në të tjerë dhera, në të tjerë dete a qiej.
 
 
BISEDË ME TË ARDHMEN
(Mimos tim të vogël)
 
Është një baba i gëzuar
Për buzët e tua plot klithma
Në orën pesë të mëngjeve,
Kur zogjtë sapo e lënë çerdhen…
E drita e parë e agut
mbush dhomën
E qumështi gotën tënde të vogël.
 
Është një baba i gëzuar
Për trëndafilin që çel
Nëpër frymën tënde plot aromë
Kur sendet, shtëpitë malet dalin nga nata,
Marrin formë,
E qumështi avullin e bardhë sjell në dhomë.
 
Është një baba i gëzuar
Për fytyrën tënde, të agimit, të prillit.
Të tre rriteni kur kalon çdo çast
Drita me gotën e qumështit,
Ti tok me prillin te fletët rriteni lart, lart.
 
Në gjithë ditët je imi, je imi,
Përsërit e përsërit
me thirrje të brendshme këtë mendim,
por ti, vogëlushi, je njeri më vete
dhe se nuk di të ecësh
dhe se nuk di asnjë fjalë, qengji im.
 
Tek të zhvesh,
Së pari, dielli të prek me rrezet,
Yjet e padukshëm hedhin pluhur drite,
Vesa vështron nga lulet,
Këmba jote së pari merr pak dhè nga toka-
Biri im, kështu po të përqafon bota, bota.
 
Yjet në flakë, lumenjtë në dallgë,
 
Toka me dheun në duart e njeriut…
Ti… në qëndër të tyre rritesh,
dhe jeta gjithë rritet në këtë përqafim.
Truri im me flutura drite,
Me flutura drite mbushet në pambarim.
 
Gjirokastër, Maj 1981

3 thoughts on “Poezi nga Sadik Bejko

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s