Poezi nga Sokrat Habilaj

 
Poezi nga Sokrat Habilaj
 
 
Dikur
 
Unë mund të dashuroj ty, kur të dua,
Sot, nesër, a ndoshta njëherë tjetër.
Po ti mos më thuaj:-Tallesh me mua!?
S’ka pse lotët të të bien mbi mjekër.
 
Mund të dashuroj ty, vetëm i pari,
Pastaj të shikoj sytë e tu hutaq.
Ti mos më thuaj:-S’ndizet kështu zjarri,
Se ndoshta lëndohem dhe e lë me kaq.
 
Mund të dashuroj, a të pres edhe ca,
Sa të harkosh vetullat e habitur.
Nuk ndodhin kaq lehtë gjërat e mëdha,
Po ti mos thuaj se nuk më ke pritur!
 
Kur të kem në duar fytyrën tënde,
Do të pyes:-Të lodhi pritja e gjatë?
Mund të dashuroj si e kam në mendje,
Që ti të më duash, thjesht si një inat!
 
 
ANONIM
 
Ti trishtohesh se më prenë në besë,
Në këtë qytet ku jetoj si pa lidhje.
E nëse do më kërkosh një adresë,
Duhet të dish ca gjëra të çuditshme.
 
Për të më gjetur, si për një grimcë,
Duhet të mësohesh me emra të kotë.
Një shesh, një shkallë, a një rrugicë,
Duhet një numër shkruar në portë.
 
Duhet për mua të shënosh ca shenja,
Si për një kutizë ku ke harruar dikë.
Një xham ku shpirti loton nga brenda,
A një kënd të vetmuar ku shikoj tv.
 
Duhet të mësohesh se nuk jam më ai,
Që germat e emrit ia ndukje me zjarr.
Nëse do pyesësh këtu, a më njeh njeri,
Të tregojnë ca numra, si kërcej të tharë.
 
E megjithatë, prapë më nis një letër,
Po mos shëno numra në krye të zarfit.
Mbase gjen udhën si në një kohë tjetër,
Më shkruaj si adresë, thjesht:-Sokratit!
 
 
SHTËPIA IME
 
Në korridorin majtas, ende po ashtu,
Dhomës së fëmijëve s’i mungon gjë.
Dje, fëmijëria e botës strehohej këtu,
Sot dy burrërime të vetme nuk i nxë.
 
Në mes të sallonit, tutje në të djathtë,
Një tavolinë druri, me gota tani bosh.
Dikur në krye të tavolinës ulej im atë,
Ndërsa unë ulesha në cep, më poshtë.
 
Unë vazhdoj, i pa lëvizur nga ai skaj,
Tani që edhe mund të zgjedh ku të rri.
Por, të ulesh në tavolinë në ballë të saj,
Duhet të kesh edhe ca të tjerë përbri!
 
 
MALLI I ASAJ QË IKU
 
Nuk di si ndihesh pranë syve të tjerë,
Unë kam mall e inat, lodhur nga pritja.
Do të doja të shihja vetëm njëherë,
Thjesht të puthja, a të shaja e të ikja.
 
Ke rënë pre e të mirës, a të keqes!?
Por  ty as të puth dot, e jo më të të shaj.
Se ty, të kam përtej syve, brenda vetes.
Si mund të të shoh atje, e të flas pastaj…!?

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s