Poezi nga Odise Kote
RETË UDHËTOJNË PA PASAPORTA
Duruan pritjen që u thinj nëpër porta,
kur retë udhëtonin pa pasaporta.
Shekuj pafund të ndarë nga bota,
dhe retë që mërgonin pa pasaporta.
Të penguar të iknin në toka të ngrohta,
si retë që shtegtonin pa pasaporta.
Liria asnjëherë në hapësira tê plota,
veç ëndrrat si retë pa pasaporta.
Tinëzisht tê sulmuar me avionë e bomba,
ndërsa retë udhëtojnë pa pasaporta.
KOKËTUNDËSIT
Kokëtundësit veç numra janë, nuk kanë emër,
Ka humbur fjala “unë”, ndjesi e njëjtë gjithnjë.
Të gjithë me preferenca barabar, pa zemër,
Asgjë nuk është e tyre, kanë vetëm hiçasgjë.
Dashurojnë me urdhër, riprodhohen me dekret,
Kanë humbur fytyrë, nuk njohin mëshirë.
Janë pronë e të gjithëve, pudrosen me të zezë,
E zezë, më e errëta e të zezës, i njëjti mendim.
I njëjti dekor tek kokë e krevatit,
Telajo njësoj, ngjyra njësoj, piktura skematike.
Pa kujtesë. Fshirë emri i nënës dhe atit.
Asgjë e njeriut. Dhe shenja gjumi simetrike.
Kokëtundësit veç numra janë, nuk kanë emër,
Ka humbur fjala “unë”, ndjesi e njëjtë gjithnjë.
Të gjithë me preferenca barabar, pa zemër,
Asgjë nuk është e tyre, kanë vetëm hiçasgjë.