Poezi nga Rudina Muharremi Beja
SHKO
Shko,
shko dhe ti,
mjaft!
Shko të banosh sa më pranë vetes
Me të, të ndajnë udhë të pafundme,
mure të padukshme…
Shko!
Ti ndiej hapat e heshtjes
mbrëmjes, kur hyn në Trojën e djegur,
me dhimbjet e mbivendosura,
që depërtojnë në gjoksin tim.
ÇLODH SHPIRTIN
Veshur me akullin e një bukurie
lodhur nga ditët e gjata pa ngjyrë
çlodh shpirtin përballë portretit tënd
gishtërinjtë përkas mbi fytyrë
Vështrimi yt mbetur i ngrirë
pushon thurrimës së bronztë të një korrnize
margaritar më duken në një shkretëtirë
mes territ të errët të njerëzve.
Avitet memoria ime e largët
mbërrin përmes shkëlqimit të syve,
verbohet nata tek thërrmon çastet
rënies së lirë, klepsidrave…
Veshur me cohën e hollë të një malli
lodhur nga ditët e gjata pa ngjyrë
çlodh shpirtin përballë një portreti
gishtërinjtë përkas mbi fytyrë…
NOKAUT
Foli më në fund arbitri,
Nokaut!
…e ngadalë numëroi deri në dhjetë
më duket,
Se unë isha i fituari,
i munduri përtokë, po vetë!
PASHKË…!
Dëgjoj kambanat me tingujt e bronztë,
Ato bien me ngulm!
Ndoshta ulërijnë dhimbjen e luftës?
Ndoshta trembin renë e fundit?
Jo!
Njoftojnë Ringjalljen e Krishtit
Alleluia!