POEZIA BASHKËKOHORE
Nga Dr Nehas Sopaj
1. Definicioni i poezisë
Që nga lashtësia, poezia është emëruar një prodhim i shpirtit, një nga vibrimet e paqarta që njeriut i vjen nga brenda si zë i brendshëm i tij, prandaj ajo është një nga prodhimet shpirtërore polivalente që objektivisht në fizikusin e saj nuk është lëndë që ia kënaq barkun, por shpirtin e njeriut pa të cilin nuk mund të paramendohet ekzistimi. Ndër qindra mijëra definicionet ç’është poezia, një formulim që më ka rënë ta lexoj: poezia është një fllad që vjen dhe shkon, për shumë arsye fascinon për fluitetin dhe ezoterizmin që përmban fara e saj. Në rrafshin e mendimit diskuziv, poezia është një art kohor (G. Hegel), prodhim i mendjes, i arsyes dhe i shqisës së ndiesive, të cilat e nënkuptojnë konceptin realist si prodhim i shpirtit, ndjenjës subjektive si dhe të shqisës ireale që do ta nënkuptonte konceptin idealist të saj. Duke qenë pra një prodhim shpirtëror, poezia ballafaqohet me koncepte të tjera që në substancën e vet atakon çështje terminologjike, kurse nëpër periudha të caktuara kohore, dominon si nomenklaturë me idioma të një terminologjie të posaçme. Dhe, thuhet shpesh, poezia është një krijim mendor dhe shpirtëror që për substancë të vet të materializimit e ka fjalën, fjalën e zgjedhur, fjalën me peshë artistike dhe kur thuhet kështu, divergjencat konceptuale zënë fill që në start, në konceptin realist ose në konceptin idealist dhe që këtu, ekzistojnë mendime të ndryshme rreth të njëjtit problem. Është i njohur idealizmi i Platonit, i kundërt me konceptin real – materialist të Aristotelit, nxënësit të tij. Që këtu, divergjencat konceptuale rreth poezisë, në substancën e saj shkencore, të shpeshtën në mënyrë të përkryer nxjerrin në shesh fakte relevante matematikisht të ekzaminuara si argumente të qëndrueshme për të dy anët, edhe pse ato mund të qëndrojnë ballë njëra-tjetrës. Fjala e zgjedhur artistike që përbën shtyllën e artit letrar, bën gara me shpirtin e njeriut, me vlerën e poezisë, me kualitetin dhe fuqinë e saj që disponon dhe ajo u reziston trysnive të kohërave duke hyrë në gara me artet e tjera. Duke qenë e këtillë, prej shtysave ekskluzivisht real-materialiste deri te ato ideal-imagjinare, poezia harmoninë e vet e gjen në konceptet siç janë zgjedhja e gjuhës, zgjedhja e fjalës dhe zgjedhja e ngjyrës së zërit poetik. Leximi është shkak-pasoja e ekzistimit të poezisë. Sa më tepër lexon dhe përsoset gjatë leximit, lexuesi ngritet në nivel të recepientit aktiv, të denjë për t’i dalluar shtresimet dhe nënshtresimet e tekstit poetik dhe ai do të dijë ta dallojë, njohë dhe identifikojë një sferë të veçantë të tekstit artistik nga një sferë tjetër joartistike, dy sfera të ndryshme, të cilat mund të koekzistojnë në tekstin letrar. Meqë karakteri i artit është evoluitiv dhe si edhe çdo gjë tjetër gjatë evoluimit edhe konvergohet, për lëndë të pastër artistike mund të merret edhe shtresa artistike gjuhësore që sjell risi të vërtetë dhe ajo epokalisht është verifikuar nga koha (p. sh. lirika antike), kurse e gjithë ajo që si vlerë është tejkaluar, në të vërtetë nuk merret si e tillë.
Kjo shtresë joartistike i rri dhunshëm si “mish i egër” materies artistike dhe roli i fuqisë së mjeshtrit poetik (subjektit krijues), poetit, është që përmes talentit të tij, ta purifikojë gjuhën poetike nga elementet joartistike, të jetë filtrues i mirë i elementeve të këtilla joartistike, dhe si i tillë, me një fuqi të brendshme artistike (me mjeshtri dhe talent) ai ta bëjë lexuesin të sharmohet me të vërtetën artistike (reale dhe imagjinare) me të vërtetën reale jetësore. Në “grackën” e lëndës joartistike mund të sharmohen, zakonisht lexuesit e rinj për nga mosha, të cilët akoma nuk janë ngritur në nivel të lexuesit me shije dhe me dije të mjaftueshme letrare dhe sidomos lexuesit (të rinj e të vjetër) që letërsinë e lexojnë me tezë ose lexuesit dogmatik, që në mënyrë paraprake në horizontin e vet të pritjes, e kanë ngritur kallupin teorik në të cilin ad hoc presin katarsën paraprake të leximit. Leximi, sikundër dihet, përjetohet si akt i një “solemniteti” të rrallë, një diçka si shkallë e veçantë e kreativitetit, një si lexim maksimalisht spirituoz dhe intimist, në të cilin ai, leximi, është më i frytshmi, më produktivi dhe në të, jo rastësisht, ne mund të flasim për një “katarsë“ të veçantë të leximit. E mira dhe e keqja, dy kategori absolute të gjera estetike njerëzore, të zbritura në rrafsh të lirikës, në poezinë shqipe përgjithësisht komunikojnë me gjuhë konkrete dhe abstrakte, me nëntekst dhe me heterogjenitet të formave dhe të trajtave të ndryshme lirike. Ndryshe nga fusha tematike e preokupimeve të krijuesëve të lirikës së pastër botërore, te të cilët prijnë dhe dominojnë fusha tematike dhe preokupime thjesht intimiste, në poezinë shqipe pothuaj përherë temat dhe preokupimet e brendshme reflektojnë botën e jashtme, gjegjësisht botën e madhe të totalitetit që në veprën letrare reflektojnë eksterierin. Në lirikën e pastër shqipe, edhe në rastet e ekskluzivitetit ekstrem, qëllimshmëria nuk humbet, por ajo identifikohet edhe nga nukleusi i stilemës më të imët, mikrostilemës së ngjyrosur, e deri te hartimet më formaliste të mundshme. Në këtë aspekt, lirika shqipe është shumë më pak formaliste (në qoftë se fjala formaliste këtu shpreh qëllimshmërinë) se sa ajo botërorja. Qëllimshmëria e lirikës së pastër shqipe kuptohet në raportet e njohura autor, vepër dhe lexues, dhe ajo shprehet si vijon:
1. Diskrepanca e qëllimit të autorit dhe horizontit të pritjes së lexuesit,
2. Diskrepanca e qëllimit të autorit dhe shkallës së receptivitetit të veprës, dhe
3. Diskrepanca e qëllimit të autorit dhe normës estetike shoqërore të epokës së caktuar.
Pasi krijohet lexuesi i kultivuar, pasi lexuesi i kultivuar vihet në korrent me atmosferën krijuese kur krijuesit lirisht mund t’i shqiptojnë mendimet e tyre dhe pasi është vënë interferenca, “në trekëndëshin autor – vepër – opinion, ky i fundit, nuk është faktor indiferent në varganin e reagimeve të rastit, por paraqet energjinë që krijon historinë“ (H. R. Jaus). Lexuesi ose recepienti, në kohën tonë të shpeshtën është faktor i rëndësishëm dhe vlera e tij nganjëherë bëhet e njëjtë me vlerën e autorit dhe me veprën letrare, sepse në rrethana të sotme, duke qenë qenie me intelekt, ai bashkëpunon me autorin dhe veprën letrare, kurse vepra një produkt intelektualizmi, me botimin e saj, fillon jetën e vet nga faktorët prodhues të saj. Pra me krijimin e lexuesit që kooperon me krijuesin, vepra letrare i nënshtrohet kierarkisë së vlerësimit, kurse roli i lexuesit bëhet pothuaj i barabartë me autorin. Duke u inkuadruar në këtë trekëndësh, lexuesi prandaj në njëfarë mënyre është shumë i rëndësishëm, kurse në ndonjë rast, ai mund të jetë edhe koautor i veprës, që këtu ai mund të jetë vlerësuesi më i mirë që në mënyrë të tërthortë ndikon në botën e brendshme të autorit të veprës letrare, e ndonjëherë madje edhe në vetëdijen e tij në vetë veprën letrare. Duke e koncipuar si një ndër tre faktorët kryesorë të veprës letrare, lexuesi e ka peshën e faktorit historik të veprës letrare dhe ai mund ta vërë vulën e epokës së vet në të. Në jetën e një vepre të mirë letrare, ekzistojnë një mori argumentesh të zëshme dhe të pazëshme që rrezatojnë zërin e fshehtë të lexuesit në të duke filluar prej anagrameve, analeve dhe shkrimeve kritike rreth saj. Në epokën tonë, lexuesi ynë për herë të parë e merr rolin selektiv rreth artit të vërtetë poetik dhe nga “stolia” e keqe, ai në këtë trekëndësh autor – vepër – opinion, turrshëm mund të marrë epitetin e koautorit; nga një “stoli” e keqe, nga një subjekt i anshëm arrivist, mund të bëhet edhe koautor i mirfilltë, më autor se artefakti i quajtur autor. Duke qenë i shtresuar, lexuesi prandaj është i llojllojshëm: prej atij të pamësuarit me artefakte e deri te ai i cili mirëfilli mund të jetë larg autorit dhe te ai i cili i ndihmon autorit në procesin krijues. Lexuesi i mirë në rolin e receptuesit selektiv ose lexuesi i shijes së mirë, është kritiku më i mirë i veprës letrare; ai, duke i njohur kategoritë e vërteta të artit poetik, në vetëdijen e formuar estetike lëre që s’lodhet me shtypin e verdhë, shundin bulevardesk dhe vlerat e dyshimta të trivialitetit tonë të përditshëm, por ai di t’i identifikojë saktë veprat e mirëfillta artistike dhe autorët e mirfilltë letrarë.
2. Ç’e bën poezinë bashkëkohore
Poezia, mbretëresha e të gjitha arteve, siç e kanë pagëzuar, në kohë të sotme shkruhet me të madhe. Hipoteza se do të vijë një kohë kur poezinë do ta shkruajnë të gjithë, në ditët tona sikur po bëhet realitet. Shpirti i pangopshëm për liri te krijuesi, lëndimi i dinjitetit të tij, shpirtërat e helmuar nga shtrëngesat dhe ndrydhjet e kohës që u bëhen, e lindin poetin, subjektin që programon një botë tjetër, më të lumtur që e lind atë, mbretëreshën e të gjitha arteve – poezinë. Poezinë e mirëfilltë, e krijojnë krijues të rrallë që madhështinë e tyre nuk është e thënë që patjetër ta arrijnë në kohë të bashkëkohësisë (në kohën kur jeton krijuesi dhe lexuesi). Kështu, hipoteza se një ditë të gjithë do ta “pushtojnë“ atë, mbretëreshën e arteve, është e pavërtetë. Koha jonë ngërthen një kapërcyell botëkuptimesh të trashëguara me dogma, ligje, sanksione e pranga për njerëzit. Ky është në kapërcyell i çlirimit të shpirtit nga robëria e madhe të trashëguar nga të jetuarit nën shtrëngesa që nga Mesjeta e këtej. Koha jonë prandaj është në kapërcyell drejt ardhmërisë më të lumtur duke ndryshuar botëkuptimet që t’i thyejë konvencat e trashëguara shoqërore – politike dhe ideologjike dhe është në hop të këtyre ndryshimeve. Prandaj, shpirtërat e mëdhenj e të shqetësuar poetikë, siç janë S. Esenini, F. G. Lorka, R. Alberti, L. Poradeci, P. Neruda e shumë e shumë krijues të tjerë, me veprat e tyre mëtojnë ta përshndërrojnë zërin e tyre poetik në një zë paralajmërues të këtyre thyerjeve të konvencave. Në çdo kohë, poezia është ajo që më e para i then konvencat e kohës duke u bërë zëdhënëse e epokës, një zë që bën kushtrimin e kohës duke u shndërruar në një mishërim estetik të të jetuarit më civilizues të kohës. Në letërsinë bashkëkohore shqipe poezia zhvillohet, moderohet dhe përkryhet përafërsisht një rruge të njëjtë si edhe në të gjitha letërsitë e kombeve të ndryshme të botës. Me termin poezi nënkuptojmë produksion poetik që krijohet në trajtë lirike; kjo është poezia lirike, poezi liriko – epike dhe përgjithësisht poezia e quajtur vjershë me kuptimin tradicional të fjalës. Nocionet vjershë, poemë ose vargje të lira, në terminologjinë e kritikës së sotme i gjejmë të përdorura me nocionet poezi lirike, poemë lirike ose cikël poetik, që më vete ngërthejnë edhe dallimet e strukturimit të brendshëm artistik të poezisë. Sot në epokën tonë, brenda një krijimi artistik poetik nuk diskutohet më për vargun e lirë dhe vargun e lidhur, sepse në lirikën e sotme as që ekziston më vargu i lidhur me rimë e me ritëm të caktuar, hiq rastet e rralla kur krijues të caktuar vazhdojnë ta krijojnë poezinë klasike, sepse e tërë poezia shkruhet në varg të lirë. Brenda poezisë së sotme pastaj hiqen shenjat e interpikcionit si element i dallimit nga poezia tradicionale, kurse i tërë teksti poetik (një poezi, një cikël poetik apo i tërë libri poetik), është pa shenja të pikësimit, duke u çmuar si formë tradicionale të shprehjes poetike. Në aspektin tematik e motivor, pothuaj deri në minimum eliminohet elementi i rrëfimit përballë ndjenjave të cilat shqiptohen pa kurrfarë ngarkese normative. Poezia bashkëkohore shqipe për nga ndërtimi variron dukshëm nga krijuesi në krijues, varësisht nga prirja individuale. Në poezinë e F. Arapit, D. Agollit, I. Kadaresë etj. për shembull, vargu dhe ideja e shkrimtarit janë të kuptueshme dhe të qarta, prandaj ne sot për poezinë e tillë themi se ajo i takon poezisë së modernizmit ekstrovert sepse komunikimi i poetit me lexuesin është i hapur dhe pa pengesa; në poezinë e K. Trebeshinës, A. Podrimes, F. Reshpjes etj., ligjërimi poetik është më i vështirësuar, i rëndë dhe me pengesa, prandaj themi se poezia e tillë është poezi moderne introverte; ndërkaq në poezitë e M. Camajt, sidomos ato të pjekurisë së tij etj., vargu është i mbyllur dhe komunikimi i poetit me lexuesin është pothuaj i pamundshëm dhe i pakapshëm, prandaj themi se kjo poezi është poezi e një modernizmi të abstraguar. Nga vjershat lirike, poemat dhe poemat epike, diksioni ligjërimor i poezisë kërcen për një shkallë më të lartë dhe lexuesi mezi i heton hallkat tematike të “rrëfimit” të subjektit lirik.
Është fare e natyrshme që ky “kërcim” të mos bëhet aty për aty: poezisë lirike i paraprijnë librat e shenjtë, më saktë, në Psalmat e Davidit ku ekziston një abstraksion i lartë dhe një estetizim lirik dhe poetët me kënaqësi mësojnë prej tyre. Në lirikën shqipe përshndërrohet vokabulari ligjërimor, radhiten figurat gjuhësore prej krahasimeve, simboleve, alegorive dhe metaforave të lehta dhe të kapshme për çdo lexues në figura më të arrira, estetikisht dhe mjeshtërisht të përpunuara më bukur, duke u përpunuar me një shije më të hollë, që tingëllojnë si zëra të ndryshëm, të brendshëm e që dalin thellë nga brendia e gjeniut krijues të akëcilit autor ndryshe – ndryshe. Paraqitja e Migjenit në fushë të letërsisë shqipe me vargun e lirë dhe me revoltën sociale, që sillte risi në planin artistik në letërsinë shqipe, vargu i tij i lirë në fakt do të jetë një akomodim i ri i strukturës së re të lirikës shqipe në krijimin e vetëdijes estetike të lexuesit shqiptar. Poezia e M. Camajt e kuptueshme në dy vëllimet e tij të para poetike, më vonë do të përjetojë një ristruktuim gjuhësor të metamorfozuar në nivel të një abstraksioni të lartë. Në vitet `60 në letërsinë shqipe, krahas I. Kadaresë, do të radhitet një brez i tërë poetësh, si B. Xhaferi, Z. Zorba, F. Reshpja, A. Shkreli, M. Hanxhari, A. Podrimja, Rr. Dedaj etj., të cilët kush më pak e kush më shumë, në vokacionin e tyre lirik do të jenë hermetikë. Mirëpo, vetëm në vitet `70, atje ku gjendet djepi i letërsisë së mirëfilltë, pothuaj të gjithë krijuesit shqiptarë në Kosovë dhe Maqedoni e krijonin këtë lirikë: kush me më shumë e kush me më pak sukses, sipas një rregulli të pashkruar, dëshmoheshin si individualite të krijuesëve shembullorë. Lirika shqipe, kështu duke e modernizuar nivelin e një abstraksioni gjuhësor, pothuaj tërësisht kishte kërcyer nga shtrati i shprehjes së thjeshtë në nivel të një shprehjeje që po e thyente me të madhe traditën e shkrimit shqip.
3. Poezia + lexuesi – koekzistenca
Nga vjershat lirike, poemat dhe poemat epike, diksioni ligjërimor i poezisë kërcen për një shkallë më të lartë dhe lexuesi mezi i heton hallkat tematike të “rrëfimit” të subjektit lirik. Është fare e natyrshme që ky “kërcim” të mos bëhet aty për aty: hermetizmit lirik i paraprijnë librat e shenjtë, më saktë, në psalmat e Davidit ku ekziston një abstraksion i lartë dhe një estetizim i subjektit lirik. E kësaj natyre është edhe poezia e P. Budit e cila është një shembull tipik i një abstraksioni hermetik, kështu që bazat e hermetizmit lirik në letërsinë shqipe gjenden në traditën e saj të hershme. Në poemat e J. De Radës ekziston një sistem ligjërimor subjektiv-objektiv, që më vete ngërthen një shkallë të lartë estetik, e cila s’mund të shpjegohet ndryshe veëse si një hermetizëm semantik, gjithashtu. Në poezitë e dy vëllimeve të fundit të Asdrenit “Psalme murgu” dhe “Krutan i mërguar” dhe në përmbledhjet me poezi të L. Poradecit “Vallja e yjeve” dhe “Ylli në zemër” gjuha e përkryer simbolike kërcen nga poezia tradicionale deskriptive. Në lirikën shqipe përshndërrohet vokabulari ligjërimor, radhiten figurat gjuhësore prej atyre krahasimeve, simboleve, alegorive dhe metaforave të lehta dhe të kapshme për çdo lexues në figura më të arrira, estetikisht dhe mjeshtërisht të përpunuara më bukur, duke u përpunuar me një shije më të hollë, që tingëllojnë si zëra të ndryshëm, të brendshëm, që dalin thellë nga brendia e gjeniut krijues të akëcilit autor ndryshe – ndryshe. Paraqitja e Migjenit në fushë të letërsisë shqipe me vargun e lirë dhe me revoltën sociale, që sillte risi në planin artistik të letërsisë shqipe, vetëm e shtonte “arsenalin” e vetëdijes estetike të letërsisë shqipe; vargu i tij i lirë në fakt do të jetë një akomodim i ri i strukturës së re gjuhësore të lirikës shqipe në krijimin e vetëdijes estetike të lexuesit shqiptar. Poezia e M. Camajt e kuptueshme në dy vëllimet e tij të para poetike, më vonë do të përjetojë një ristruktuim gjuhësor të metamorfozuar në nivel të një abstraksioni të lartë. Le ta marrim për shembull figurën e buellit, një figurë e lashtë mitike shqiptare, të përpunuar artistikisht në nivel të një lirike të një hermetizmi të lartë. Në vitet `60 në letërsinë shqipe, krahas I. Kadaresë do të radhitet një brez i tërë poetësh si B. Xhaferri, Zef Zorba, F. Reshpja, A. Shkreli, A. Podrimja, Rr. Dedaj e tj, të cilët kush më pak e kush më shumë, në vokacionin e tyre lirik do të jenë hermetikë. Mirëpo, vetëm në vitet `70, atje ku gjendet djepi i letërsisë së mirëfilltë hermetike, pothuaj të gjithë krijuesit shqiptarë në Kosovë dhe Maqedoni e krijonin lirikën hermetike, kush me më shumë e kush me më pak sukses dhe sipas një rregulli të pashkruar, disa prej tyre shembëllenin me individualitete të dëshmuara. Lirika shqipe, kështu duke e modernizuar nivelin e një abstraksioni gjuhësor, pothuaj tërësisht kishte kërcyer nga shtrati i shprehjes së thjeshtë në nivel të një shprehjeje që po e thyente me të madhe traditën e shkrimit shqip.
4. Poezia dhe interpretimi i saj
Çështja e interpretimit të lirikës, është një ndër çështjet “e gjalla” që e ka shqetësuar dhe e shqetëson përherë lexuesin dhe opinionin tonë, dhe si e tillë, kjo çështje lëviz prej përqafimit me dashuri deri te refuzimi i saj më i skajshëm i mundshëm. Në rrafshin e shkrimeve diskurzive rreth interpretimit, është ngritur një mur bindjesh e mosbindjesh gjer në spekulime, dhe si edhe shumë çështje teorike letrare rrëshqitëse, ai që do të ngelë i polarizuar përherë, do të jenë animet pro ose kundër interpretimit. Po të vështrohet nga rrafshi empirik, çështja e interpretimit të lirikës shqiptare mund të shihet nga disa kënde: në kritikën e sotme shqiptare problemi pro ose kundër interpretimit, mund të presupozojë bindje të ndryshme të shkollave letrare, prirje individuale të krijuesëve të ndryshëm dhe përgjithësisht të kulturës sonë letrare, në të cilat është shkruar letërsia e sotme: të letërsisë së realizmit socialist, të realizmit dhe të modernizmit. Është fare e lehtë të “gjuhet” animi i ithtarëve të krijuesëve soc-realistë, të cilët apriori do të jenë pro interpretimit, sikundër është lehtë të “vidhet” mendimi contra i modernistëve (të cilët, në kohë të komunizmit, hapjen e këtillë e merrnin një hap për në burg që mund t’ua bënte kritika alias policia letrare e kohës), mu sikundër nuk mund të dihet “indolenca” në mes, e realistëve. Më i kapshëm, do të mund të ishte një qëndrim neutral në mes (konformist, do të revoltohej lexuesi ynë?) në fushë të supozimeve tona të lira, që, le të supozojmë, mund ta mbajnë krijuesit e realizmit, të cilët (të themi), mbahen asnjanës në këto dy anime, për dhe kundër interpretimit. Marrë në përgjithësi, në historinë e artit, interpretimi i letërsisë është një punë e palavd dhe me rrezik, kurse pozita e interpretuesit është pozitë e njeriut i gjetur në mes dy e më tepër zjarreve: duke marrur veprën nga krijuesi dhe duke e shpënë atë te lexuesi, është rrezik që atij në vend të asaj që e ka thënë krijuesi, ta shtrembërojë, ta thotë keq atë ose ta thotë të kundërtën e autorit, sa që në vend që të flasë për të vërtetën artistike të veprës dhe të autorit, mund të hedhë në dritë injorancën e tij. Mendimi i njohur i Volterit se poezisë së vërtetë s’i duhet kurrfarë avokati, sikur e mbështet tezën kundër interpretimit. Studiuesja e njohur Suzan Zontag në punimin e saj “Kundër intepretimit”, flet për pastërtinë e kënaqësisë së parë të leximit të poezisë, për përjetimin mistik dhe sakral të saj. Valery dhe Elioti janë për interpretim, kurse E. Shtajger thotë: “Natyrisht, kemi frikë t’i afrohemi tepër veprës artistike. Nëse i afrohemi tepër, është rrezik që ajo të prishet”. Rilke ndan mendimin: “Kritika është e domosdoshme si edhe frymëmarrja”, krejt ndryshe nga hermetiku Montale: “Nëse çështja e poezisë reduktohet vetëm në kuptimësinë e saj, atëbotë poetët as që do ta shkruanin atë fare“. Një mendim pro e ndan Valery: “Çdo shkrim i cili nuk ka nevojë për interpretim, nuk është i mbathur aq sa të ngritet lart”, prandaj “shumica e lexuesëve, madje edhe të kultivuarit, s’hetojnë se hartimi poetik kërkon një stërvitje të shpirtit dhe dije kaq sa të kënaqesh prej saj”. Mendim skajshmërisht të kundërt shpreh Niçe duke thënë: “Këndo, mos fol” (Cituar nga Grup autorësh). Por, le të dalim nga terreni i supozimeve dhe le të konstatojmë se çështja e interpretimit është një çështje frekuentabile në kritikën letrare shqiptare dhe ajo lëre që është shkruar dhe do të shkruhet, por për disa lloje, zhanre dhe tipa shkrimi ajo është e domosdoshme. Interpretimi i lirikës së pastër është i domosdoshëm mu si është i domosdoshëm uji për shuarjen e zjarrit.
5. Drejt poezisë së pastër
Poezia e pastër (fr. La poesie pure) – pa asnjë element ‘jopoetik’ (narrativ, didaktik, politik). Ajo nuk shpreh kurrfarë ideje të caktuar, por vepron si muzikë. Konceptin e p. p. e kanë zhvilluar simbolistët frengë – Bodleri, Malarme, Valerye tj., të cilët e kanë huazuar nga E. A. Po. P. p. e kanë zhvilluar edhe poetët e tjerë jashtë Francës, si Rilke, George dhe G. Benn në Gjermani, E. Paund në SHBA, hermetikët italianë (Bond, Tempeli, Ungareti, Quazimodo) etj. Përvoja dhe teoria e p. p., historikisht nënkupton shprehjen e autonomisë burimore të poezisë, një ide, e cila është tejkaluar, por e cila nuk është braktisur asnjëherë“. Përafërsisht me nocionin poezi e pastër, në Gjermani do të zhvillohet e ashtuquatura poezi absolute. Koncepti i saj, sipas nocionit, shpreh absolutizmin poetik, fjalët që përbëjnë “ekstraktin” artistik (p. sh. eksperimentimet poetike të G. Benn- it). Kjo është përpjekje që prej gjuhës së thjeshtë popullore, të krijohet një fenomen poetik që prej kategorive muzikore të fjalëve të krijohet një dukuri atraksion muzikor. Lirika e pastër është gjuhë e folur prozodike e Unit lirik, diskurs i tij dhe jo rrëfim i tij dhe as kallëzim për të; nga gjuha e folur lirika prandaj nuk mund të jetë çfarëdo qoftë gjuhe pos gjuha e rrëfyer e krijuesit të saj dhe këtu qëndron dallimi mes lirikës së pastër dhe prozodisë së vërtetë: lirika e pastër qëndron në sistemin gjuhësor, në të asgjë që nuk mund të futet në sistem, nuk mund të pranohet si e tillë. Lirika e pastër qëndron në sferën mes logosit dhe non sensit të Unit të autorit; diçka si gjithëka që është thjesht artistike. Në sistemin e lirikës së pastër asgjë s’guxon të na befasojë ne si lexues: krijuesi i saj maksimalisht është përpjeklur ta krijojë leksikun e zgjedhur poetic, i cili prej autorit në autor është autonom, burimor dhe rreshtimi i atij fondi leksikor në vargun poetik, pos që “tingëllon si muzikë“, e ka idiomën e shenjës shprehëse të veçantisë. Asgjë s’guxon të na shqetësojë, as edhe një fonemë e vetme, as edhe një stilemë e vetme s’guxon të dalë nga ai sistem zinxhiror, përndryshe ne si si lexues do t’i njihnim ato oscilime si rrëshqitje të atij sistemi. Në leksikun autonom të L. Poradecit asgjë s’është e rastësishme gjer në variantin final të akëcilës poezi të tijën, në laboratoriumin krijues të autorit janë përpunuar të gjitha fjalët dhe shprehjet poetike për të mbetur në fund poezia si këngë e vërtetë. Shprehja është stili i tij, stili i tij është hija e padukshme e figurës poetike, kurse në figurën autonome hija e shpirtit të tij. Disonimet “prozaike” të lirikës së pastër, në fakt nuk janë disonime; për t’u bërë sistem integral i stilit të poetit, krijues të caktuar në mënyrë mjeshtërore dinë ta krijojnë një diçka që Malhebre do ta quante “vallëzim gjatë të ecurit”, diçka që në fakt në ritmin e brendshëm të lirikës së pastër do të ishte një mekanizëm fjalë plus këngë, pra një mekanizëm gjuhësoro-muzikor. Disonimet “prozaike” janë nga më të ndryshmet: në vjershat pa “subjekt”, d.m.th. në vjershat që mëtojnë të thonë diçka “më shumë” se ajo që i ka ngjarë subjektit krijues, një kaste a një entiteti, dhe në mungesë të storjes që do ta nënkuptonte një zhanër tjetër letrar, poeti i kthehet evokimit dhe elementeve të caktuara të atij evokimi, që në fakt mund të jetë gjuhë specifike në gjuhën e përgjithshme të vjershës (një gjuhë në gjuhë, siç do të thoshim ndryshe), duke iu kthyer evokimit ose “godinës” specifike, të cilën e krijon përmes mekanizmave të tjera që atij i shkojnë për shtati. Disonimet “prozaike” e hapin një sferë të veçantë të lirikës, duke krijuar dy fara të mëdha të gjuhës poetike: të parën ekstralirike dhe të dytën prozolirike, dy farë gjuhësh që nëpër lirika të caktuara dinë të krijohen si tipe të veçanta të lirikës së pastër. Një tip të veçantë të lirikës së këtillë mund të jenë aso hartimesh lirike, të cilat autori di të krijojë një sistem të veçantë ligjërimor të thënies lirike plus rrëfim. Një tip të dytë të lirikës mund të jetë thënie lirike plus fjalë e dramatizuar. Një tip të tretë mund ta bënte thënie lirike plus fjalë eseistike. Intimisht çmoj se këto tipe të lirikës së pastër nuk janë vetëm eksperimentime gjuhësore dhe se “familjarizimi” i tyre në botën shpirtërore shqiptare, në perspektivë do të dëshmohen si rrugë drejt artit të mirëfilltë të përgjithshëm.
I was suggested this website by way of my cousin. I’m not certain whether or not this submit
is written by means of him as no one else understand
such certain about my difficulty. You are amazing!
Thank you!