“Poezia si kumt i hershëm…”

 Poezia si kumt i hershëm…”

Lulzim Logu ALBANIA

nga LULZIM LOGU, W.P.S, Kryetar i Shoqatës së  Shkrimtarëve të Tropojës

E mbaj çuditërisht mend, isha ende i vogël, kur humba për herë të parë rrugën në Lugjet e Verdha, bash në vendin që konsiderohet si djep’ i Eposit të Kreshnikëve, vendin që gjyshja ime e thërriste tashmë Lugjet e Zeza, pas vajit të pandalshëm të Ajkunës dhe nëmës ( mallkimit!) të përjetshëm  të saj, kur humbi djalin…

Kishte dhjetra vite që vendasit bjeshkët i thërrisnin “Bjeshkë të Namuna”, zoti kishte falur një bukuri të mahnitshme në ato maja dhe rudina alpine, por pas vajit të Ajkunës, që ndihej herët në agim dhe vonë në shfaqjen e beftë të yjeve, uji kishte shterur, shndërruar ne borëra të përjetshme, honeve të askundit, ku jehonte vetëm britma e shqipeve të vetmuara dhe fishkëllima e dhisë së egër, e cila dirgjej luginave me bar dhe lule shumëngjyrëshe.

Thirra e thirra dhe bjeshka përcillte në maja dhe më kthente pas një melodi të rrallë të këngës majekrahu, me ehe – ku je të rimuara, që thureshin pastaj në një strofë të lindur dhe të kryqëzuar me frikë, joshje të natyrës, vetmi dhe kreni, e cila më jepte shpresë dhe besim, ndërkohë, që shpirti provonte shkulme të forta emocionale,… A thue doja të fluturoja në atë çast, për të dalë në shtegun e kërkuar…

Shumë vite më vonë, botoja poemën time të parë, të shkruar në Luginën e Valbonës, duke kujtuar vargjet lapidare të Fishtës: “… fort’ po shndrit’ e pak po nxeh!…”, ndërsa dielli rrëzohej nga Maja e Hekurave, nëpër Lugjet e Verdha, përmes thirrjesh njerëzore, blegërimash dhe gjëmimesh, në një simfoni madhështore, si poezi mijëra strofash, që s’di të ndalet…

S’kishte sesi të ndodhte ndryshe, duke provuar baladat e vjetra, duke humbur dhe rigjetur në vetvete këngët e moçme dhe të reja, duke fjetur dhe zgjuar poshtë  çatisë më të lartë shqiptare me emra majash si: Jezercë, Shkëlzen, Kollatë, duke u stërpikur në brigjet e Drinit dhe Valbonës, duke zbritur në luginat e panumërta si në atë të Tropojës, duke vënë kokën në kurorat e bozhurit, boronicës, dredhëzës dhe mjedrës, marrëmendeshe në krijim, në vargje, që buronin, siç buron uji nga guva e pëlcitur e malit, bëheshe rapsod, bard, vajator, këngëtar dhe poet, ani pse për shumë kohë, nuk dije se cilës pjesë i përkisje më tepër.

Poezia gjithmonë ka qene një kumt, një mënyrë për të thënë diçka të lartë, të veçantë, të rrallë, të shtrenjtë! Poezia gjithmonë ka qenë një lajm, një  njoftim në kohë, për kohën a shumçka tjetër që ka ndërruar; poezia ka qenë gjithmonë sinjal i ndryshimit!

Ka ndryshuar moti, ka ndryshuar ritmi i zemrës, ka ndryshuar sistemi, ka ndryshuar kodi i sjelljes, ka ndryshuar dashuria, por edhe urrejtja dhe poezia ka parathënë, që nga fundi i greminës, ku shpesh ajo fle gjithmonë e pambuluar, për të brofur si zog lajmëtar, ndihmës i njeriut.

Jo më kot poezitë më të famshme kanë shënuar kulme dhe zgripe të zhvillimit shoqëror dhe kanë qenë shoqëruese e dramave të mëdha sociale, kudo ku ato janë shkruar, në fletë, mure burgjesh, letra duhani apo gur…

Poezia ka qenë dhe mbetet një shenjë që, në shumicën e rasteve, dallon ata, të cilët kuptojnë dhe ndjejnë intensivisht ritmin e jetës, që zbulojnë dhe mbartin ndryshimin, që i besojnë dhe i binden asaj, si një të dashure që kurrë nuk braktiset, si një dashuri, e cila  mbetet gjithmonë e parë për nga emocioni dhe ngarkesa, nga mesazhi dhe energjia, nga freskia dhe shmangja e depresionit dhe monotonisë, poezia, në fund të fundit, është një mënyrë të jetuari!

Poezia nuk mund të vdesë, ajo mund të rrudhet, vjetërohet ndonjëherë, plaket dhe bëhet e mërzitshme, siç ndodh edhe në natyrë gjatë ndërrimit të stinëve, Por, vjen një çast: “ dhe fryn në udhëkryqet e botës!” siç perifrazonte Tasos Livadhitis dhe poezia bëhet dëshmitare aktive e ringjalljes.

Lindja dhe vdekja, rënia dhe ngritja, përbaltja dhe heroizmi a s’janë në fund të fundit të ngjashme me fazat e jetës së gjithsecilit, me zgjedhjet e tij në jetë, me përballjet dhe sfidat, me shënimin e emrit apo humbjen e paidentifikuar të individit, me vetminë dhe angazhimin, me një këngë krenare majekrahu, që të nxjerr në shtegun e dëshiruar apo me një lutje të mjerë që shënon fundin tënd?!

Që kur lindi njeriu poezia ishte me të, ju dha dikujt po e dikujt jo, si një kurorë, që nuk vidhet, por meritohet, për të qenë i nderuar, pararendës, lajmëtar, gjykues dhe percjellës i mesazheve kohore, ashtu si bjeshka përcjell me jehonë zërin e të humburit, por edhe gëzimin shpëtimtar! Poezia shqiptare ka patur shumë kulme, shumë shpresa; shpesh ka devijuar për t’ju fshehur goditjeve, shumë herë ka guxuar të dalë ballazi, ndonjëherë është zvogëluar dhe zbehur e sëmurë, por, së fundi, ka ditur të ringjallet rishtaz, për të filluar sërish. Këto kohë, pas viteve të mbrapshta dhe depresionit të ndërrimit të sisemeve, ajo ka vuajtur nevojën e përshtatjes në kohë dhe hapësirë, të thyerjes së idoleve të rremë dhe afirmimit në qiellin e ri. Ka pak emra të spikatur, ka zhurmë dhe falsitete, por ngadalë mjegulla po çahet, po dalin yjet e parë, natyrisht ajo s’mund të jetë më ”për të gjithë”, por po bëhet elitare, kësisoj ai, që shkruan dhe ai, që e lexon, në një farë mënyre njehësohen me mesazhin, stilin, vargun, lexojnë edhe pas tij, duke këmbyer shpirtërisht me autorin, hallet, brengat, ndodhitë, por edhe mënyrën e re të konceptuarit të botës. Kësisoj prapë poezia mbetet një kumt,  që lidh kohët dhe vlerat, lidh stinët dhe viset, siç po ndodh tani në Gjirokastrën e mrekullueshme, që kumton nder dhe lavdi të merituar, miq dhe adhurues nga gjithë bota. Ehe – ku je, mirësetëgjeta!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s