LIRIZMI POETIK NË NJË POEZI TË AGOLLIT

LIRIZMI POETIK NË NJË POEZI TË AGOLLIT

 nexhat

nga  Nexhat Rexha

Verbi i të bërave konsiston në të përgjithshmen dhe konkreten. Sublimimi i ndjenjave të fuqishme gjen arsyen dhe komunikon me intuitën e gjërave të brendshme që di të ruajë vetëm qenia njerëzore në thellësitë e botës së brendshme të tij. Kush mund të jetë aq depërtues në këto thellësi shpirtërore pos shpirtit të poetit të madh të lirikave shqipe.

Dritëro Agolli në tërë krijimtarinë artistike gjithnjë ka shpalosur të mundshmen në konkrete, duke dhënë shfaqje e komponente të kërkimit kah vlerat sa më estetike.

Ai, prej vargut në varg, prej poezisë në poezi dhe prej veprës në vepër, ka hapëruar me tipare karakteristike, duke shkrirë konstanten me simbolikën origjinale.

Agolli në vargun poetik ka reflektuar ligjërimin e ndërtuar me një strukturë të kompozuar dhe figuracion të qëndrueshëm dhe, problemeve të shtruara u ka dhënë formë të re si në transformimin e motiveve lirike, po ashtu edhe në brendinë evoluese të tyre.

Qasja e dialogut në poezinë Poçari të Dritëro Agollit vjen si rezultat i spontanitetit që krijon përditshmëria e shtegtimeve njerëzore, mirëpo, shpalosja e kësaj bote të mbuluar me mallin nostalgjik dhe arritja drejt njohjes së saj konsiston me verbin origjinal që ka bluar në brendi vetëm shpirti depërtues agollian.

Nëse Kristoforidhi, dikur, në tregun e Tiranës krijoi skenën për mbledhjen e fjalëve që i mungonin për hartimin e fjalorit, ai diti të nxjerrë mllefin nga goja e plakës, duke i thyer vezët në shportën e saj, krejt me qëllim të caktuar.”Prapë e rrëfejnë se kur ishte këtu në Tiranë ja theu shportën me vezë nji katundareje nergut, që të shënonte fraseologjinë e të shamevet e të mallëkimevet që i jipte ajo për damin që i bani, të cilin ai ja pagoi me teprime”*

Kurse në poezinë Poçari të Dritëro Agollit nuk kemi parapërgatitje, ajo që shpaloset është krejt e rastësishme dhe dialogu në mes Agollit dhe Poçarit vjen si kërkesë për të shëruar shpirtin e njeriut tonë të katandisur, ajo vjen si brengë dhe mall, e ngujuar në thellësinë e zemrës së njeriut të thjeshtë, por kërkesa vjen në mënyrën dëshirore edhe për shfryrje shpirtërore e cila shëron. Po kush shëron më mirë se bota shpirtërore e artistit të madh të lerave shqipe; ai i cili të dukshmen e të padukshmen e ndriçon dhe i jep simfoni burimore.

Se jeta krijon hallka zinxhirore të pashkëputshme, këtë e konfirmon Dritëro Agolli në poezinë Poçari. Këto hallka, sado që janë sporadike me fajin e kontradiktave shoqërore, ato arrinë t`i rikthejë në jetë pena dhe fjala e gjallë e Agollit.

E, kujt do t`i shkonte në mendje se nga një sharje e rastit do të dilte një poezi antologjike? Këtë vlerë mund ta dhurojnë vetëm poetët e mëdhenj, si Agolli e ndonjë tjetër. Këto reflekse ndjenjash vijnë si akumulim i një vetmie për Poçarin, i cili jetoi e mbijetoi kohën pas humbjes së atdheut. Ai në këtë rast shpalos mllefin e tij me një turqishte të mbisunduar nga koha e ikjes nga vendlindja e të parëve të tij. Prandaj, edhe sharja e tij vjen si hidhërim (reagim) i një ambienti për mbijetesën ekzistenciale.

Kontrasti i momentit krijoi përqafimin.

Sa bukur Agolli ka dalë nga ky shkas, për të paraqitur pamjen krejtësisht tjetër të njeriut, që për herë të parë takohej. Mllefi kthehet në lot e dashuri, sytë flasin, zemra rënkon pranë detit Marmara. Autori edhe toponimin e ka funksionalizuar, sepse deti Marmara lidh Evropën dhe Azinë, sepse deti Marmara dhe ishulli Marmara kanë diçka të përbashkët, ata lidhin botën, lidhin njerëzit e një fisi edhe në këtë rast.

Duke hyrë në thellësinë e vargjeve, sikur njeriu hyn në thellësitë e detit, e në këto thellësi shpalosen kujtimet e së kaluarës, e malli mund indiferencën e heshtur. Pastaj, vjen shpalosja e identitetit të njeriut, ai kërkon atë që ndjen, e në këso rastesh harrohet vlera e parasë; ka diçka që e mund atë, ajo është më me vlerë, sharja, sa komplekse dhe sa e dashur, sepse është shqip. Kërkesa për ngazëllim vjen aq bukur, sa autori në vargjet e tij ka fuqizuar një botë të tërë dhe, ajo shpërthen si një vullkan që shëron shpirtra. E të shërosh shpirtin e munduar e të vuajtur është më shumë se ajo që flet në përditshmërinë tonë. Vargjet e kësaj poezie stolisin botëkuptimin njerëzor me një filozofi të realizuar mjaft bukur, sepse vjersha është intonuar me fatin e njeriut tonë të shkapërderdhur nëpër skajet e botës dhe, këto skaje, shprishin kohët e tani bashkojnë në retrospektivë, kurse autori ngjall dashuri për të ardhmen e njeriut tonë. Sa mall duket në këto vargje:

Psherëtiu si unë: ”Jam shqiptar,

Shqip, vëlla, ti shamë dhe një herë,

Fjala shqipe s`blihet në Pazar,

Në dyqan ka vjet që s`e kam ndjerë,

Fjala shqipe s`blihet në Pazar!”**

 

Vetë qëllimi i shkuarjes në Pazar ka diçka të rëndësishme, sepse njeriu do të ruajë në kujtesë nga udhëtimi diçka të bukur. E kush mund të sjellë gjëra më të bukura se lulet? Vazoja e kërkuar, thyerja e saj sjellin aromën e lules, aromën e dashurisë vëllazërore. Në përfundim të kësaj poezie autori ka fokusuar sintagmën me fuqi artistike dhe asaj i ka dhënë simbolikë të fuqishme, sikur deti Marmara mbushet plot me vazo, metafora të goditura, vazodeti e njeriu, pra ai mbushet plot me shpërthim ndjenjash të kulluara, e këtë fuqi ndjenjash e japin vetëm vargjet e kësaj poezie, ndër të rrallat në letërsinë shqiptare të kësaj periudhe.

Poeti i ndjenjave të holla, i qartësive poetike dhe figurative ka funksionalizuar poezinë Poçari edhe me mjete e shprehje te zgjedhuara, për të krijuar klimë dhe atmosferë përjetuese nga afërsia. Lexuesi i vëmendshëm e ka lehtë të përjetojë këtë ngjarje dramatike me origjinalitetin që ka shtjelluar autori.

Në poezinë Poçari, Dritëro Agolli ka parashtruar konceptin e sforcimit të tematikës dhe idesë në funksion të gjakimit dhe shpalosjes së dramës, të jetës dhe verbit, që krijon përditshmëria me aktualitetin e dukshëm e të padukshëm, e cila duket se edhe djeg, edhe shkrin, edhe jep dritë e jetë. Imazhi poetik në poezinë Poçari shkëlqen me artikulimin e fatit, kurse autori konfirmon frymëzimet dhe produktin e zbuluar në thellësitë e skajshme të botës së vetmuar. Agolli na afron për lexim jo mite, por vlera komunikuese, që dallojnë e specifikojnë me ëndrrën e një dite, e cila lidh kaptina me brigje e fate.

Këso vlerash poetike me përsiatje të veçantë mund të dhurojnë vetëm ata që ecin me fatin e popullit të tyre. Këtë intimitet e ka skalitur bukur pena e artistit të shquar të letrave shqipe. Pra, në poezinë Poçari, Agolli shëron atë që nuk mundën ta shërojnë as kohët. Ai shëroi me fjalën magjike për t`i dhënë jetë e funksionalitet së ardhmes sonë.

Njëherit, vetë problematika e personazhit të përmalluar për fjalën shqipe, të kthen në retrospektivë për fatin e padukshëm të mijëra shqiptarëve nëpër skajet e botës.

Pra, lirizmi në letërsinë shqipe ka gjuhë të shpalosjes, që do e kërkon zgjidhje,e këtë element reflektimi arrijmë ta përjetojmë edhe nga identifikimi i një absurditeti për të saktësuar pikëtakimin universal për të bukurën e angazhuar në art dhe në jetë

 

*K.Kristoforidhi:Fjalor Shqip- Greqisht. Botim i Rilindjes , Prishtinë,1977,fq.7.

 

**Dritëro Agolli: Pelegrini i vonuar. Botoi, Qendra Botuese Ekonomike”Progresi”,Tiranë, 1993, fq. 174.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s