MË JEP 15 DITË! Mbresa nga një libër me tregime i Silvana Berkit. / Nga Petrit Ruka

 

kop Silvana

MË  JEP  VETËM  15   DITË!

   (tregime)

 

 

 

 

 

gazeta silvana

 

Publikim i Gazetës  “Labëria” 

 

Mbresa nga një libër me tregime i Silvana Berkit.

 

 

 

 

petrit ruka

Nga Petrit Ruka

 

 

 
Ky është titulli i një libri me tregime të Silvana Berkit. Duket sikur ka zgjedhur plot sinqeritet frazën e parë që mund të të thotë pafajsisht një autor sot duke te dhenë librin e vet në dorë. Ma lexo, harxho pak kohë për mua, sepse shpresoj të mos zhgënjehesh me letërsinë time. Në këtë kohë të thatë mosleximesh, me male librash të botuar, që zhduken sakaq në harresë prej inflacionit të fjalëve, në këtë shkretëtirë vlerash dhe hierarkie letrare të rrëzuar prej kaosit të shkrimtarisë kolektive, ajo ka të drejtë të jetë kaq zemërgjerë dhe njëkohësisht plot drojë në kërkesën e saj modeste. Kërkon tek lexuesi pak kohë shpirti, kërkon aty-këtu ndonjë orë leximi në 15 ditë për t’ia lexuar të 15 tregimet e saj. Cili autor nuk do të donte të njëjtën gjë, të ndante me të tjerët shpirtin e vet përmes letërsisë, si vetmja rrugë për të qënë me qindra e mijra të tjerë bashkë?!
Silvana, unë e kuptoj zemërgjerësinë dhe modestinë tënde por nuk duhen 15 ditë për një libër të bukur si ky, duhen shumë më pak. Mua mu deshën vetëm dy mbasdite që të bindem se nuk kam e humbur kohën time, (të gjithë e quajmë atë të çmuar) përkundrazi kam fituar edhe një kohë që nuk ishte imja, por jotja, sepse e vetmja mënyrë për ta zmadhuar jetën tënde, është ta marrësh atë përmes përjetimit të jetëve të tjera të treguara bukur e t’i ndjesh ato si të tuat, madje të keqardhesh që nuk pate mundësinë t’i jetosh ato për rrethana të caktuara. Pikërisht për këtë egziston letërsia e mirë, ky bekim i madh i jetës njerëzore.
Unë nuk kam kurrfarë pretendimi se e njoh kritikën, por si njeri që jam marrë gjatë me fjalën, dua t’i shpreh mbresat e mia. Dhe që nga ky çast më duhet të të mos flas më ty, por lexuesve. Thjesht fare, dua tu them atyre se çfarë vlerash do të gjenin, në se e lexonin letërsinë tënde.

 

 

silvana

 

      Silvana Berki

 

 

Libri i vogël është tejet i freskët me përditshmërinë e jetëve tona dhe i këndshëm sa të lexohet me një frymë e së fundi të besosh (prapë po e them, në këtë stinë të gjatë mosbesimi) se ne kemi letërsi të mirë e çuditërisht edhe prej asaj që besojmë më pak, prej grave me botën e tyre të madhe, shumë më të mistershme dhe më të mrekullueshme se e burrave. Befasia e parë të vjen prej stilit të një letërsie të re, që tregon ndryshe, larg skemës tradicionale dhe lineare të një proze klasike. Në kohra si tonat të ngjeshura (për mirë a keq!) prej shpejtësive të jetës, Silvana ka kuptuar të tregojë shkurt dhe thjesht, duke e përzier prozën me poezinë në një mënyrë që është, me sa duket, e saj. Midis ngjarjeve në dukje të rëndomta të jetës, realiteti përzihet me ëndrrën, personazhet vdesin më parë se sa tu shpallet vdekja biologjike dhe flasin ndonjëherë pikërisht më mirë si të vdekur me të gjallët, se sa në kohën që ishin duke marrë këtu lart frymë. Një letërsi që përzihet edhe me përrallën, në një tentim ala Buzati, pikërisht mes një realieti bruto, me makina, zhurmë, neonë, trotuare dhe njerëz krejt të zakonshëm. Ashtu siç përzihen në mendjet e përmalluara, por që sa e vështirë mbetet t’i biesh deri tek lexuesi, pa u rrezikuar të jenë krejt të pakuptimta dhe të mos i besosh si marrëzi fantazish të kërkuara.
“Isha me babin!” është njeri prej tregimeve të tilla, ku ti beson e përjeton plot mall një mbresë që edhe ty të ka ndodhur dhe s’ke ditur ta thuash. Ah, thua me vete, edhe mua më ka ndodhur kjo dhe ndjehesh i çliruar. Letërsia e mirë dhe vibrante vërtetë të çliron dhe bëhet shpëtimtare për ty që e lexon. Me sa duket ky është misioni i saj i parë. E ka shkruar Silvana për babain e saj, por ti sheh babain tend, që ka dalë prej varrit dhe ecën me ty nëpër qytet. Flet ca gjera të largëta fëminie dhe ty të duket ëndërr e shkund kokën. Pastaj ti, (Silvana si autore) takon Sadikun në rrugë, një shok të babait tënd të vdekur dhe futesh në jetën bruto të qytetit e lehtësuar se e ke shmangur ëndrrën, mendjen tënde të “rënduar” prej mallit. Sadiku të pyet në se ke shkuar nga varri i babait, a thua se ai e di, që ti sapo flisje me hijen e të vdekurit aty në trotuar. E ndërkohë babai e di se çpo bisedon ti për të me atë shokun e tij, i dëgjon bisedat e tua dhe rifutet në bisedë.
Realitetet përzihen natyrshëm në një, të gjallë e të vdekur bëhen aq bashkë aq sa nuk di se si t’i ndash dhe përjetimi bëhet kaq i fortë sa dorëzohesh, e pranon që kështu duhet të jetë. Edhe kur shkon në shtëpi dhe nëna të pyet, se pse u vonove kaq shumë, ti pa e menduar fare i thua natyrshëm: “Isha me babin.”
Dhe e beson këtë, e thua këtë si të shfajësoheshe për gjënë me reale dhe të zakonshme në botë, si të thoshje isha në kinema, apo nuk kishte urban.
Të tilla janë shumë nga tregimet e Silvana Berkit. Dhe çfarë do të doje më shumë?! Autorja bie ngjarje nga jeta e saj e përditshme, ngjarje krejt të zakonshme por që të veshura me këtë botë të bukur përjetimesh, të përthyera në shpirtin e saj, ngjajnë të bukura dhe të përmallshme, sit ë ishin krejt të tuat. Rrëfen jetën e saj së brendshmi, e përzien Finlandën, ku jeton me fëmijët e saj, kaq shumë me jetën që ka lënë këtej Shqipërisë ku ka lindur, në çdo tregim, sa që nuk di të thuash se ku jeton realisht, andej apo këtej.
Vlera tjetër e çmuar e kësaj letërsie është fakti që ajo flet vazhdimkisht si grua, tejet si një grua dhe nënë, gjë jo gjithmonë e gjen në letërsinë femërore. Sepse sa do ta kërkosh nuk vjen në letërsinë tënde në se nuk është aty brenda e lindur dhe e ngerthyer pas shpirtit. Rrëfen pa fshehur e modifikuar jetën e saj, siç ndodh rëndomtë me natyrën njerëzore, që diku ruan të mos nxerr në dritë për të tjerët “natën e saj” ngjarjet që do t’ia cënonin moralin e kanoneve të shkruara për sjellje të mirë. Dhe ky sinqeritet, jo vetëm që u jep besueshmëri fjalëve të saj, por e bën këtë letërsi të dashur.
Një natë ka vendosur të argëtohet me shoqet e saj pas pune ( tregimi “Vajzat argëtohen”) dhe ja, fillon një rrëfim “mëkatar.” Nga klubi në klub vonohet aq shumë sa që i duhet të kthehet afër mëngjezit . Dhe i duhet ta paguajë tani “aventurën” e saj të argëtimit. Sepse i biri që ka shkuar me pushime diku, ka harruar t’i lerë çelësin e shtëpisë dhe detyrohet të flerë jashtë në kopështin plot brymë finlande me lepujt, e mbuluar me një mushama. Dhë kështu një ngjarje e vogël dhe e rëndomtë, pa kurrfarë “gjetjeje” të veçantë letrare për tu shkruar, bëhet një histori e tërë njerëzore plot dritëra nga ato ku vezullon sinqeriteti i ngrohtë si një bukë e mirë fshati e pjekur me saç. Pa këtë sinqeritet dhe natyrshmëri tregimi nuk do të tingëllonte kaq dhembshurisht dhe i dashur, si të ish i lakmueshëm për të ndodhur në jetën tënde.
Do të kishte shumë shembuj të tillë nga ky libër, sikur vendi për një shkrim të mos kish sinorët e vet të diktuar për një shënim modest mbi këtë libër. Por edhe kaq mjaftojnë për të gjetur e ndjerë lehtësisht se ku janë “sekretet” joshëse që ky libër lexohet plot kërshëri dhe të gëzon me spontanitetin e tij, me freskinë dhe stilin original e krejt vetiak. Libri është një gëzim duke u lexuar. Edhe kur mendon se Silvana sapo ka shkelur në këtë rrugë të prozës, tek tregimi, më i vështiri e më tekanjozi në llojet e prozës, nuk ke pse të bësh të përmbajturin. Duhet ta thuash me entusiazëm se libri të kaq gëzuar me kënaqësinë që të ka dhënë, me gjuhën e tij të bukur shqipe plot ngjyra leksikore, me përshkrimet e thjeshta pa nderlikime gjendjesh të tepërta. Jemi në kufinjtë e një rrëfimi aq të thjeshtë dhe çlodhës sa shpesh të duket se këto histori, Silvana po t’i tregon ashtu, sa për tu ndjerë vetë mirë që po ta beson jetën e saj diku në një mbrëmje pranë ndonjë zjarri e me një gotë verë përpara. Mbase Shtëpia e madhe dhe e shquar “Toena” këtë ka pikasur që e ka botuar këtë libër si një letërsi premtuese, që vjen drejt e nga zemra e një gruaje të talentuar.
Edhe së fundi po e rikujtojmë edhe njëherë këtë gjë me titullin e këtij libri. Me atë modestinë e njeriut të sinqertë që të thotë, bëj si të bësh, në këtë kohë….(oh, është hera e tretë që po e them!) më lexo, pak e nga pak brenda 15 ditëve se 15 tregime janë.
Në të vërtetë, Silvana unë të lexova brenda dy mbasditesh dhe u ndjeva kaq mirë sa mund të të them falemnderit për kënaqësinë që më dhe faqe më faqe. Mund të kisha renditur edhe ndonjë vërejtje, sa për kriter kritike e vërtetësie, por qëllimisht “i harrova” ato, kur u ula të shkruaj këto mbresa dhe i thashë vetes, po i a them mënjanë që t’i ketë parasysh në rrugën e saj kaq të mbarë me tregimin.Ulu na shkruaj një libër tjetër po kaq të mirë e më të mirë se ky dhe mbushe me po kaq dashuri për jetën dhe vendin tënd, që e ke brenda shpirtit dhe kaq thellë në gjak…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s