Poezi nga Prof. Anton Nikë Berisha
Prushi i Bukurisë
Prof. Anton Nikë Berisha
Pjesa I
Përtej harrimit e pate djepin – Bukuri
kur njerëzit zunë dhe i përftuan Fjalët:
i vunë njërën pranë tjetrës, i ballafaquan
me përkushtim e dije dhe i qëndisën
me aftësinë e mendjes, me ngrohtësinë e zemrës
dhe i përshkuan me dufin e frymësisë
që t’i kumtojnë vetes, po edhe tjetrit
punë të lartësuara, gjëra të bukura –
për ta ngritur e pasuruar shpirtin –
që me veprim të rëndomtë s’mund ta bënin.
Me shprehje të zgjedhura, me shtjellime fjalësh,
ndikuan dhe u njohën me njëri – tjetrin
e pushtuan hapësirën edhe kohën,
shfrim u dhanë dëshirave dhe ëndrrave,
u dhanë jetë lumenjve të përfytyrimit
sa dhe këngën e shpendëve e bënë të tyre,
bukurinë e kaltërsisë dhe të fluturimit;
i pushtuan shtigjet krejtësisht të panjohura:
i zunë yjet nëpër qiell dhe i shpërndanë
kah dëshiruan, edhe në veten e tyre
për të nxitur ujëvarën e kënaqësisë –
rrjedhë e amëzimit të bukurisë.
Je drita e Hyjit që pareshtur lind
nga hiri dhe forca e besimit
dhe ngadalë bie në zemrën e secilit
me lehtësinë e buzëqeshjes së foshnjës –
shkëlqim i zjarrtë i mëshirës së Tij
që na e mban frymën, jetën.
Je virgjëreshë joshëse që nuk di të plaket
në ndërrim të moteve e breznive;
temjan i shpirtit që përhapet qetësisht
e i pushton t’gjitha skutat e zemrës
kurorë e artë etjesh të praruara –
zbulim i dukurive dhe i njohjeve;
magji e së kaluarës që frymon
përmes së tashmes e cila dhe shpreh
ta ardhmen që në të tashme shndërrohet.
Kështu ishe e kështu do të jesh – Mbretëreshë –
deri në pafundësi të kohëve, e përtej tyre,
palcë e gjallë që ruan dhe ushqen
thelbin e epshit, zjarrin e dashurisë
që gjallojnë brenda secilit prej nesh –
për ta amshuar fuqinë tënde – Fjalë
që sa na preh aq edhe na përflak,
si dje, si sot, si nesër.