Ullishtja e bukur e poetit Odise Gremo te libri i tij i fundit “KUMBARI I HËNËS” / Nga

b 1

Ullishtja e bukur e poetit Odise Gremo te libri i tij i fundit “KUMBARI I HËNËS”

 

 

 

Bardhyl Maliqi

Nga Bardhyl Maliqi

 

Libri i parë i dikujt mund të jetë një mendjeshkrpje, një ngasje e rastit dhe kaq. Po kur merr penën të shkruash librin e dytë, e ke një qëllim, të duhet të shkosh diku. Në librin e tretë me siguri thua: “Tani po, më duket se jam në rrugë të mbarë!” Dhe me siguri do të shkosh larg. Me librin e tij të parë “Një dorë manaferra” Odise Gremo na joshi e na freskoi të gjithëve. E njihja prej kohësh atë, Sopikun dhe sopiqotët, atë trevë me një reliev të çuditshëm, me kodrat e veshura me ullinj, me kroje legjendash e burime të freskëta, me një gjuhën shumë pranë trajtave arkaike, por origjinale të çamërishtes, me vasha të bukura dhe djem të talentuar.

Nga redaktimi i librit të tij të parë m’u kthjellua bindja se Odiseja ka shumë për të thënë, me atë fjalorin e tij të thjeshtë, por burimor, me frymëzimin spontan, me gjetjet origjinale, me qesëndisjen e së keqes, me kultivimin e së mirës, me temat e “mëdha” të politikës, ku ironizohen e stigmatizohen realitetet tona të mbrapshta dhe me temat intime, në dukje të vogla, po ku vibron dashuria dhe pulson jeta e vërtetë njerëzore. Motivet poetike të këtij autori duket sikur kanë një lloj vazhdimësie nga libri i parë tek i dyti, “Pash më pash i bie  ferrit” në të tretin, pra te “Kumbari i hënës” libër që ne do ta kemi në fokus të diskursit tonë eseistik. Një gjë dua ta theksoj qysh në kryeherë: Pavarësisht nga vijimësia e motiveve, këta tre vëllime poetike janë tre ngrehina të ndryshme, ku pluskon shpirti i bukur i një poeti që synon ta plotërojë veten.

E, pra, të synosh të mbjellësh të gjitha kodrat e shpirtit me ullinj, gjersa ta shohësh veten plotësisht të realizuar, kjo po, do të ishte për cilindo njeri, e për poetët veçanërisht, një ambicje me prestigj, një kryevlerë humane!

Odise Gremo të mëson të falesh te kulti i hijes së lisit e të flasësh me fijen e rigonit si me një shok, të vuash si kalliri i misrit kur piqet në zgarë, e sërish të mos jepesh, se edhe flakët e zjarrit gjithmonë këndojnë, jo vetëm pse acari duhet mposhtur, por edhe pse nata sjell habere të reja.

Kur lisi i lënduar përplas krahët e degëve nga dhimbja për vëllain e vrarë, por kanuni i lisave s’e përfshin gjakmarrjen, ndaj hedh sytë atje ku hepohet qielli, hesht me mërmëritje dhe e kapërdin hënën si aspirinë.

E shpesh shpëtimin mund ta gjesh në gjinjtë e një femre. Gjinjtë e një gruaje janë ndjershmërisht një bukuri konkuruese dhe superiore, ndaj dhe poçarët në artin e tyre janë frymëzuar së pari prej tyre. Për këtë arsye ndoshta, s’ka mbase nevojë për gjurmime arkeologjike e antropologjike për të gjetur vendbanime të lashta ilire, pasi fërkimi i duarve të një burri mbi gjinjtë e një gruaje na çon tek zjarri parak, para zjarrit të qerres së diellit dhe zjarrit të fshehur në kallam, që Prometeu ia fali njerëzimit. Edhe në se nuk u besojmë miteve, gjinjtë e një gruaje na çojnë në kohën parahomerike të ndesjes së zjarrit prej fërkimit të drurëve apo zjarrit si produkt i goditjeve të rrufesë.

Me siguri ju s’e keni harruar lumin, mësuesin tuaj të parë, burimet e akullta, rreziqet, botën nënujore, peshqit dhe myshqet, kuatjen e bretkocave dhe filozofinë e jetës: “Kurrë nuk rrjedhin të njejtat ujra në të njejtat brigje!” se lumi nuk ndalet, ndaj përgatitu për prurjet e reja, përgatitu për ndryshim!

Keni përtypur ndonjëherë në heshtje frutat që shteti jua ka servirur në pjatë? Me kushtetuta dhe kode, me medja e reklama, me lajme e honorare, me llafazanëri ndrikullash të majta e të djathta se brumi i pozitës është zënë keq, ndërsa i opozitës s’ka maja. Dhe mos thoni pastaj se nuk ju lajmërova se suvaja e murit të shtetit ka rënë gjithkund, ndaj ne na josh kumbulla në oborrin e komshiut apo jasemini e jargavani që aromojnë prej tjetër kund, ndoshta prej poezise vibrante të Migjenit dhe prozës simboliste të Ernest Koliqit.

Nuk besoj se jeni aq naivë sa të pandehni se kur gushkuqët të marrin pushtetin, do t’iu bëjnë deputet, se babi do të japë krrabën e tij dhe të harrojë skraparlliun,  apo Zogu iu ka lenë në testament ca thërrmija nga thesari i arratisjes në ditën ogurzezë të pushtimit. Kjo nuk ndodh edhe kur bletët i bëjnë homazh zemrës së emël të një bostani të coptuar, edhe kur këmbanat të paralajmërojnë kujitjen e qenit të priftit pas zërt erotik të buçes dhe hormoneve seksuale që ndotin ajrin; edhe kur kufoma e ndonjë kryeministri apo ploitikani të rrijë shtrirë në vend të skeletit të ngrirë atje, në dëborërat e Kilimanxharos apo në pjerrësitë alpine të Jerzeces.

Le t’i shkundin fshatarët ullinjtë dhe bashkë me to foletë e laraskave, qeveritë kanë rrënjë më të forta, se jo më kot ato i zëvendësuan bunkierët e djeshëm me betonizimin e sotëm. Sot ullinjtë e tyre janë me armaturë hekurbetoni, dhe ju rrihni ujë në hava, se një ulli rron të paktën 500 vjet, dhe kur të shkulen ato rrënjë të nëmura, mbi qytetarin e devotshëm ka mbirë bari i harrimit. Amen! Qeveritë, ah qeveritë! Ato kanë vetëm një misjon: të hapin tunele në kokat e shqiptarëve dhe t’ua mbushin ato me dinamit, jo për të hapur Rrugën e Kombit apo Rrugën e Dritës, por shpellën e Platonit. Poet, mos e harrxho kohën kot të lutesh nën ulli, se edhe ulliri, edhe kisha, edhe xhamia janë të qeverisë. Këtë nuk ta them unë Odise, e thua ti vetë, kur thua se perënditë dhe qeveritë rrujanë leshin para se të bëjnë sex, dhe sa për dijeni neve fakirëve na kujton: ” Perënditë s’gënjejnë, kjo është e vërtetë, / se turpet në qiell e kanë burimin, / pataj zbresin në tokë me internet / dhe drejt njerëzve e marrin marshimin!” Le të gëzohen kot disa syresh me mendjelehtësinë e një delje të zezë, që kur e qethin, kujton se u bë e bardhë si delet e tjera!

A ju ka shkaur mendja ndonjë herë pse zogjtë janë më të lumtur se ne, ndaj gjithë ditën këndojnë? Jua thotë poeti, se zogjtë s’paguajnë kurrë qira, se ujë pinë në lumë, farezat i mbledhin në fushë, energjinë ua fal dielli dhe s’i shlyejnë kurrë faturat e kripura të energjisë elektrike. Hajde mos e adhuro jetën e zogjve. Po të ishe zog, s’dotë kishe nevojë për pasportë biometrike, për Çez, doganë, tatime dhe kishë. Dhe mos thoni pastaj: Lavdi zogjve dhe perandorisë së tyre!

Po a e varrosim ne një zog apo një bletë? Jo se na krip kokën fatura e varrimit, varrmihësi, makina e kortezhit, arkivoli, dreka e përmortshme, të shtat e të dyzetat. Pa le varri, apo s’duhen sot prej mermeri dhe prej graniti. Po ç’iu duhen zogjve dhe bletëve varret, a nuk është më mirë të prehesh në mbështjellësen e përjetshme të barit! A ka homazh më të bukur! Edhe po të qe për pasardhësit: është e sigurtë se ata preferojnë më mirë një eskursion në natyrë se sa një vizitë në varreza. Ndaj mos u dëshpëroni se u plakët, njeriu kur plaket mbushet me fruta, se jo më kot ai i ngjan natyrës; i pjek frutat kur i bien gjethet, në vjeshtën e moshës. Dhe një arsye tjetër ndoshta është se unë nuk dua kryq mbi varr, por një bimë, në daçi edhe gorricë:  “Ç’më duhet mbi varr kryqi? /   Atë s’e vara dot mbi gjoks tani që jam gjallë…/   Nuk kam qafë për zinxhirë floriri, /   Unë për qafën time s’bleva dot një shall.”

Mos u trishto or mik, ti vet i ke piketuar vendet ku jeta do te binte me hanxhar, që kur mësove për herë ta parë kryqin. Po ku ta dinte gjyshezeza se çdo të bënte qeveria? Do të shpëtosh thua?! Kot e ke! Edhe shkues i Shën Marisë po të beheshe, dhëndri i ardhshëm do të qe nga spacja e djallit: bizesmen ose politikan, dhe prej farës së tyre nuk lind asnjë krisht, por ndonjë shejtan, që do ta vonojë pjellën e zotit edhe 2000 vjet të tjerë! Se jo më kot dimri jeton gjatë, lind në një vit e në tjetrin perëndon, se dimri ka mbrojtjen e deputetit, të kryeministrit dhe presidentit!

Dhe mendon se problemin mund ta zgjidhësh duke u bërë kumbar i hënës, ta pagëzosh me emrin e Marisë, ritet t’i kryej një prift grek që i ndiçon mjekra nga mënçuria. Mirpo prifti ka rrezik të dashurohet me hënën bjonde dhe unë këtë se duroj dot: “…Se s’mund të duroj një prift të krishterë /    të puth Hënën e të gjithëve mes pyllit,  /    paçka se ai një gënjeshtër do pjellë:  /    Hëna është banore e Vorio Epirit!” (Kumbari i hënës)

Veç zgjidhjeve hipotetike poeti na ofron zgjidhje me hoka, p.sh. kur thotë se do të shesë mjekrën e dhespotit, qime nga një qime, dhe qimja e dhespotit blihet me flori në dorë, si thoni nuk do të behet menjëherë i pasur? Apo do të shkojë te Krishti me raketë, t’i verë një kurorë dafine në kokë dhe t’i dhurojë një thes me miell për të gatuar një bukë të ngrohtë. Kjo mbase e ndihmon t’i shkojë mendja tek njerëzit në tokë:   “Dhe mua Krishti nuk më përcjell duarbosh, /se jam biri i tij, nuk jam i huaj, / ndoshta më dhuron për kujtim një gozhdë, / në xhepin e xhaketës sime ta ruaj.”

Por ti rreku, se patjetër ka një zgjidhje, ka dhe një shpresë. Odiseja na thotë se mjafton një instruksion mizave të kalit që t’i thumbojnë bojallinjtë e politikës, të shishit, shupit dhe shqupit, t’i pickojë në vende të buta dhe të hidhen përpjetë si kuajt. Por ka dhe një zgjidhje tjetër. Mësoni fëmijët ta kultivojnë natyrën. Vëreni filozofinë jetësore të artit poetik:  “Pse ja çon në dorë fëmijës atë dardhë? /   Lere të shkojë te dardha vetë, / ta shurrojë mbi kokë një gjinkallë, /   tek ikën e friksuar nga një degë. // Frutat atje do t’i duken të ëmbla /    dhe naze s’do t’i bëjë mamasë, /  s’ka gjë se bie, le t’i thyhet këmba, /   kjo këmbë nesër do të ngjitet në Mars!” (Lere të shkojë vetë).

 

 Sarandë, më 19 gusht 2014

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s