Gjenovefa Myrtaj

 

Jenny Vefa

Gjenovefa Myrtaj

 

Gjenovefa Myrtaj ka lindur në qytetin e Vlorës më 18 Dhjetor 1959 nga një familje me tradita kulturore dhe qytetare. Femijëria e saj megjithëse kapërcente nëpër vitet e vështira ekonomike të kohës nuk ia zbehu aspak dëshirën për artin dhe letërsinë. Pasioni për librin ishte aq i madh sa ajo filloi të shkruante dhe lexonte që në fëmijëri të hershme. Pas përfundimit të Gjimnazit, nuk mundi të realizonte dot ëndrrën për tu bërë mësuese letërsie, pasi për vetë rrethanat e kohës u detyrua të fillonte punë për të ndihmuar familjen. Edhe pse në kushte të tilla, dëshira për artin e shkruar nuk ju shua asnjëherë dhe pas ardhjes së demokracisë do vinte në jetë ëndrrën e shkrimit lirshëm dhe të publikimit. Aktualisht jeton në Itali, ku është e martuar dhe ka dy fëmijë.

Njohja me Prof. Daniel Gazullin do përbënte dhe shtysën kryesore për  të përmbledhur  shkrimet e saj poetike dhe të fillonte serinë e botimeve. Gjenovefa është e apasionuar pas pikturës, artit teatral dhe operës. Dashuria për poezinë dhe në veçannësi lirikës është treguesi kryesor i veprave të saj.

 

Vepra të autores :

 

487761_474362395958801_537959933_n

MBI QERPIKUN E ËNDRRËS ( poezi)

 

 

 

12406_505384836189890_712049335_n

DREJ TEJE FLUTUROJ  (poezi)

 

 

DIELLI I QIELLIT TIM. (poezi

 

 

 

Copertina TAKIM Nu00CB PARIS

TAKIM NË PARIS  (poezi )

 

 

PERËNDIMI I ZJARRTË… (poezi)

 

Gjenovefa vazhdon të shkruajë plot pasion poezi dhe aktualisht ka në proces botimi të tjera vepra poetike.

 

 

Cikël poetik nga autorja Gjenovefa Myrtaj

 

 

POETIT

 

Poetit sot i fola me vargjet e mia,

Gjithë kërshëri, sikur t’ isha fëmi.

Në vargjet e  tua vlon veç dashuria,

E unë brenda tyre lodroj pa kufi?

 

Muzikë çdo fjalë jote është për mua,

Fluturoj me to larg, në çdo shkrep.

Por kur unë mbarojnë vargjet e tua,

Qesh e qaj me vargjet e mbi to hesht.

 

Heshtja e jote prish çdo pentagram,

Ndaj kthehu të çajmë horizontin,

Siç bën kënga kur në krahë të mban,

Të heq trishtimin e të than lotin.

 

Pa ty kjo muzikë s’do kish kuptim,

Çdo notë e saj, peshë e fjalës tënde.

Pa  to jeta do të ishte veçse trishtim,

Mbytur në lot në trishtim zemre.

 

Eja pra poet, eja ti dhe fjala jote,

Ndizma zjarrin ti në vatrën time.

Të them vargjet rrokje pas rrokje,

Shpirtin ma mbushësh me drithërime.

 

( Shkëputur nga Vëllimi poetik “MBI QERPIKUN E ËNDRRËS “ )

 

 

 

MALL

 

Dua të jem atje në tokën time,

Ullinjtë një nga një të përkëdhel.

Të ndjej thellë aromë trëndeline,

Dehur me to si me një gotë verë.

 

Të shoh detin si puthet në breg,

Me gurët që nis ledhaton një nga një.

Të shoh diellin kur del në shteg,

Të rri sy mbyllur e ta pres pa zë

 

Të numëroj yjet nuk do të mund,

Në pafundësinë e tyre le të humbas.

E shpirti i lodhur do të më humb,

Në tokën nga ku ika dhe e lash pas.

 

( Shkëputur nga Vëllimi poetik “MBI QERPIKUN E ËNDRRËS “ )

 

 

 

 

PERËNDIM I ZJARRTË

 

Perëndimin e diellit atë mbrëmje,

të dy e pushtuam me sy, e mbuluam me foto!

Dielli mes Sazanit e Karaburunit humbiste,

kuqte detin me valë si mua zemra jote.

 

Mendonim si diellin ta kishim midis nesh,

nën rrezet e tij tek më fotografove.

Kur lëmshi i zjarrtë në det u fsheh,

nuk prite më, një puthje më dhurove.

 

Një çast i magjishëm perëndim i zjarrtë!

Blu-ja e detit puthet me diskun e diellit,

bregut marrim bashkë ngjyrën e artë,

ndërsa yjet e parë duken qiellit.

 

Dielli u fsheh diku në bregun tjetër.

Unë dhe ti ngjyrat e tij ëndërrojmë,

të puth e përqafoj me një mall të vjetër,

me perëndimin vjen dhe ndarja jonë.

 

Me perëndimin e diellit ndahemi në melankoli,

me lindjen e tij do të përqafohemi përsëri .

 

 ( Shkëputur nga Vëllimi poetik “MBI QERPIKUN E ËNDRRËS “ )

 

 

 

BËMË TË HARROJ…

 

Hiqmi këta zinxhirë të skllavërisë, që mbaj

në trup, o i pafajshmi tunduesi im,

të degdisem nga hipokrizia e këtij realiteti

dhe në ferrin e pasionit të gjej shpëtim.

 

Bëmë të harroj kush jam, këtë natë me ty,

ndërsa trupat të digjen në çdo pore të lëkurës,

llava e dashurisë të shpërthejë në buzë e në sy,

ndërsa gjinjtë të përvëlojnë si zjarri i furrës.

 

Nën këtë hapësirë qiellore, degët e trupit

le të përjetojnë mëkatet, gjykimet pa i menduar,

të këndojmë preludin e zjarrtë të demonit,

për zili të atyre që zjarr të tillë s’kanë provuar.

 

Merrmë o mëkatar i kësaj nate plot magji,

me ngjyrën e flakës ndizi ëndrrat e mia,

vargonjtë që më mbanin e rrobat digji tok,

në këtë zjarr pasioni ku merr fund skllavëria.

 

( Shkëputur nga Vëllimi poetik “TAKIM NË PARIS” )

 

 

 

TAKIM  NË  PARIS

 

Po të pres në të bukurin Paris,

mes shiut, poshtë Harkut të ndritur,

aty do t’ i puth buzët e tua,

aty ku gjithmonë më ke pritur.

 

A e mban mend se ç’ më thoje:

-Në gjithë librat që kam lexuar,

ty të gjeja në çdo rresht e shkronjë,

se me Parisin ti je dashuruar…

 

Nuk di, por në Paris, i dashur

njerëzit ndjehen gjithnjë të dashuruar,

apo janë vetëm nëpër libra tanë

o në tabllotë muzeve ekspozuar?

 

Të pres tek Harku i triumfit të dashurisë

aty të puthemi gjithë epsh e mall,

dikur ai Harki iu kushtua lirisë,

ne liria zemrat na i mbush me zjarr.

 

Eja të takohemi këtu në Paris

Tek Kulla Ejfel, tek Harku i dashurisë…

 

( Shkëputur nga Vëllimi poetik “TAKIM NË PARIS” )

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s