MASAKRAT E PARA TË GREKËRVE NË PËRMET DHE JUGË / Kosta Papa Tomorri (1917)

p 1

 

MASAKRAT E PARA TË GREKËRVE NË PËRMET DHE JUGË

 

Kosta Papa Tomorri (1917)

 

Një gjysmë ore lark Kosinës ku qe kufia autonome janë dy fshatra Pacomiti dhe Kuqari. Ndënjësit qenë myslimanë. Këto dy fshatra me qënë që qenë afër kufisë autonome, andarët vinin gjithënjë dhe i këshilluan që po të kuptonin ndonjë lëvizje prej shqipëtarëve t’i lajmëronin andarët, se ndryshe janë të humbur! Egërsirat donin shkak që t’i prishnin këto fshatra. Nuk shkoi shumë kohë po një javë që treguan barbaritë e tyre.

Më 25 të Shkurtit, ditë e Hënë, në mëngjes, andarët hodhë ca batare gjoja panë ca shqipëtarë që hynë në Pacomit. Pas batareve u sulë të gjithë në këto dy fshatra, dhe mblodhë të gjithë burat sa qenë dhe i shpunë në Kosinë dhe i mbyllë me një katua; u këthyen prapë katilët në këto fshatra, fëmija që kishin mbetur në fshat u therë; pastaj u sullnë nëpër shtëpi për të plaçkitur. Muar bagëtinë, 1500 krerë dhën e dhi dhe 100 krerë lopë, pastaj u vunë zjarrë shtëpive, i përvëluan, i bënë hi. Si mbaruan këto, katilët u kthyen në Kosinë. Nxuar burrat që kishin mbyllur dhe i shpunë me një përua të fshatit ku i lemerisnë me thika, cave u prenë hundë, veshë, këmbë, duar; të mjerët e dhanë shpirtin me lemerira që edhe Neroni të qe nuk do t’i mundonte kësisoj. Numuri i tyre qe 75 veta. Si dhanë shpirtin i lanë në atë Përua të zbuluar. Kur bënë këto therje dhe djegie andarët, ushtëri e regullt e Greqisë gjendej në Këlcyrë dhe në Përmet.

Guverna Greke kur pa se kryengritësit i zunë barbaritë, para se të ikte ushtëri e regullt, dhe po ta linte akoma do të dukej faqeza që qe ajo vetë që i bënte këto, s’mënoi po urdhëroi ushtërinë të ikë nga viset që ja dhanë Shqipërisë. Ushtëria sa po mori urdhërin u ngritnë, ikën nga Këlcyra, nga Leskoviku, nga Tepelena, dhe nga Saranda, kështu pra guverna Greke i la këto vise ndër duar të egërsirave, të katilëve, që na i dërgoi vetë.

Më të ikur ushtëria e rregullt nga Këlcyra, kryengritësit që gjendeshin në Brezhan nuk mënuan po u hodhë nga urë e Meço Hysos, dhe i vanë Këlcyrës. Si ujqërit u sulë nëpër shtëpira, dhe cili pati fatin e ndënji, u ther si berri; masakruan, gra, foshnja dhe ca burra. Gumëzhinte gryk’ e Këlcyrës nga blegërimat dhe nga ulërimat. Pasi mbaruan masakrat, plaçkuan shtëpitë, muar gjën e gjallë që gjetnë dhe pastaj ju vunë zjarre shtëpive; tym dhe flakë shikonje. Si shkretuan Këlcyrën u sulë këtyre fshatrave që qenë afër Këlcyrës, Katundishte, Beduqas, Fratar, dhe Varibop, punë e tyre s’qe gjë tjatër përveç se zjarr dhe hekur!

Një grua nga Fratari që të shpëtonte jetën e saj mori foshnjën që kish dhe mori pyllë. Një grek i quajtur Karazha e pa që po ikte, u sul që ta zintej. I thiri të qëndrojë po gruaja i shtrëngoi këmbët ca më shumë. Si pa egërsira që do të dërsinte pa ta zinte e kish më kollaj që ta vrinte, i shtiri me pushkë, dhe e plagosi të mjerën grua në këmbë, gruaja, sa po u plagos ra përdhe me gjithë foshnjën. Pas pak minuta egërsira ariti. E gjora qante dhe po shtrëngonte foshnjën në krahruar, greku zuri t’i rëmbenjë foshnjën nga duart, gruaja nuk’ e lëshoj, i lutej egërsirës që në ka niet të na therç, thermë mua përpara, pastaj foshnjën; aman në ke Perëndi, në beson Krisht, nuk mund ta shoh foshnjën të therur, po egërsira i zgurdulloi sytë dhe nxori kamën që kullonte gjak. Gruaja sapo pa thikën i ra zali, greku i rëmbeu foshnjën nga duart, gruaja ulëriti, ay plasi foshnjën përdhe dhe zuri pas zakonit që kanë grekërit ta çnderojë.

Shqipëtarka me gjithë që gjendej në buzën e varit, kur pa se greku donte ta çnderonjë, për të cilën shqipëtari e ka me të lartër nga çdo gjë tjatër në botë, i thotë “Aman vramë më mirë, e mos ma bëj këtë; nuk dua të rronj e çnderuar, dua të vdes me nder se kur vdes me nder, vdes e gëzuar!” E mjera shqipëtarkë, kërkove mëshirë nga të pa mëshirshmit. Greku e turpëroi me pahir dhe të plagosur!…

Si mbaroi dëshirën greku, gruaja i thotë: “E mbushe dëshirën, tani një gjë të lutem, të më japç një plumb që të vdes, nuk dua të rronj më në botë, vetëm të lutem fali jetën kësaj foshnje të pafajshime…”. Po greku u jep nga një thikë gruas dhe foshnjës dhe i la në vënd. Kështu mbaroi nisja e tragjikave. Kryengritësit u mblodhë prapë në kufijtë e parë, ditën tjatër kapedanët e këtyre çetave ardhë në Përmet ku u pritnë me një nder të madh për trimëritë që bënë!… Veqil Dhespoti ju shtrëngoi dorën dhe ju tha: “Ju përhironj se me të vërtetë jini trima dhe me trimërinë tuaj nderoni (ton Elinismon)! Sa për mundës, pa fjalë do të jemi, këtë e dimë se Perëndia (tonelinon) bekon armët e grekërve dhe kështu do të jeni kurdoherë mundës.”

Kapedanët kur panë që sa më shumë katillëke të bënin, aqë më shumë do të nderoheshin, atë mbrëma u lëshuan nëpër myslymanët e qytetit, për të rjepur. Ulërima, dhe blegërima dëgjoheshin nga mëhalla e myslymanëve. Kërkonin mëshirë, po nga kush? I vanë baba Xhemalit në Teqe si e ranë mirë i muar dhe 50 lira, pastaj i vanë Islam Efendiut dhe i muar dhe 50 lira bëheshin me dijen e mitropolisë. Veqil Mitropoli si një katil dhe gjakpirës, e kish ujdisur me katilin oficer grek Kocifaqin dhe i ndanin ato që rrëmbenin andarët në për myslymanët. Myslymanët vanë në Mitropoli të qaheshin, po te kush të qaheshin; kur ay qe vetë dora nga të parët e katilëve.

Po prapë i ngushullonte Mitropolia dhe ju thosh që të mos dëshpërohen se do ta vëmë tërë fuqinë tonë që të mos të ngjasë gjësendi këtu e tutje. Po në vënd që t’i pushonte të ligat natën, pastaj zunë e bëheshin edhe ditën. Më të nesërmet një katil i quajtur Petro nga Narta me tre shokë të tjerë vanë në shtëpi të Sali Beut, një plak i nderçëm. Si e ropnë mirë ditën më drekë i dhanë 10 thika dhe e lanë në vënd mu te pragu i portës dhe shkuan. Kur mësoi policia këtë dolli që t’i ndiqte gjoja po s’mundi dot t’i zërë. Me pak fjalë i bënë myslymanët që s’guxonin të delnin nga dera.

HEROIZMA E NJË SHQIPTARKE

Në fshatin Ogren ku kish qendrën kapedan Zervua ka dhe ndënjës myslymanë. Në këtë fshat, një myslyman i quajtur Ali kish një çupë të bukur në vërsë 17 vjet. Katili grek i quajtur Zaharaqi priste rastin për të çndëruar këtë vajzë. Një ditë mori dy shokë të tij dhe i vate drejt në shtëpi me qëllim që të mbaronte dëshirën e tij. Vajza kur pa hyrjen e këtyre katilëve e kupëtoi qëllimin e tyre. Nuk mënoi po rendi të dalë jashtë nga një deriçk’ e shtëpisë duke ulëritur. Katilët kur panë që çupa u iku, duallë dhe këta që ta ndjekin çupën. Fshati dolli i tërë jashtë dhe shikonin me duar kryq këtë skenë. Në fund të fshatit është një shkëmb i lartë dhe përposh shtrihej një lum’ i vogël. Çupa pra arriti dhe hipi në majë të këtij shkëmbi dhe kur ju afruan katilët kthehet nga ata dhe ju thotë: “Qëndroni, or barbarë, se shqipëtarka vdes dhe nuk çnderohet. Më mir të vdes me nder, se sa të rroj me turp, mos na pandeni se jemi si gratë tuaja që s’e kanë për gjësëndi turpin, jemi shqipëtarka… “Rroftë pra nderi i Shqipërisë!” , – me të mbaruar këtë fjalë u këput nga majë e shkëmbit dhe ra përposh.

Kështu pra e mjera çupë u bë therore për nderin e Shqipërisë. Barbarët kur panë se nuk e mbaruan qëllimin, u sulë nëpër shtëpitë e myslimanëve të fshatit Kostrec i cili është shumë afër me Ogrenin. Fëmija kur panë se egërsirat u sulë si ujqër i lanë shtëpitë dhe muarr pyllë. Egërsirat ranë nëpër shtëpirat dhe muar ato plaçka që qenë më të vyera dhe pastaj ju vunë zjarrë dhe i bënë hi. Fëmija arritnë dhe rinë në kufi të Shqipërisë dhe kështu shpëtuan jetën e tyre.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s