Shtëpia Botuese “ADA” publikon librin ”Na e vranë ëndrrën ” të autorit Daut Hoxha dhe me reçensë të Fatmir Minguli .

10915183_10204744663129139_791137082930531906_n

Shtëpia Botuese “ADA” publikon librin  ”Na e vranë ëndrrën ” të autorit Daut Hoxha  dhe me reçensë  të Fatmir Minguli  .

 

Redaktor : Mynevere Hoxha
Korrektor : Mynevere Hoxha
Reçensues : Fatmir Minguli

Punoi në kompjuter : Vjollca Maloku
Kopertina ideja e autorit
Punoi: Foto Boshnjaku
Botim i parë, 2015
Tirazhi: 200 kopje
ISBN: 978-9928-193-45-2
Të gjitha të drejtat i përkasin autorit

Shtëpia Botuese “ADA”
Rruga: Nasi Pavllo Nr.20
E-mail: rlushi@yahoo.it
Cel: +3554 68 221 9016
Tiranë, 2015

 

Fatmir-Minguli

             Fatmir  Minguli

 

“Ditari i një shkrimtari të ardhshëm”

 

Reçension për veprën-
“Na e vranë ëndrrën “ vitet 1953-1989 “- të Daut Hoxhës

Ishin vitet ’90, ndoshta, fillimi i tyre, kur u njoha me një burrë të gjallë, me portretin e vërtetë të një durrsaku, një burrë i mbajtur dhe i veshur me modë.
Miku im, i ndjeri Hysni Çurbja, i cili më njohu me këtë burrë fisnik, ma prezantoi jo vetëm si shkrimtar. Kanë kaluar shumë kohë, shumë ngjarje kanë rrjedhur e nuk janë kthyer prapa, ashtu siç thonë latinët “Ujët e lumit ikën por, shtrati mbetet po ai. ”Dauti dhe shtrati i tij krijues janë po aty, në qendër të Durrësit, në mes të jetës durrsake.
Dauti, ky njeri sqimtar që herë më kujton Filias Fogun e herë më kujton Martin Idenin paraqet para lexuesve një vepër dinjitoze, një ditar konstruktiv ku gjithçka flet për një emër :Durrësin.
Mendoj se është i pari libër në llojin e vet, ku çdo e kaq shumë vjet janë regjistruar me kujdesin e qëndismave mbi muret e kohës.
Kur u njoha me Daut Hoxhën, të cilin e thërrasin me shumë respekt emrin “profesor”ai sapo kishte botuar shkrimet e para në shtypin e lirë shqiptar të pas viteve 1990. Por ai e çeli rubrikën e botimeve të tij me librin me tregime “Venedika”që u dorëzua për botim në Lidhjen e Shkrimtarëve, kohë kur ishte student i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Tiranës, viti 1950. Fatkeqësisht ky botim u pezullua. Ky libër u botua në vitin 1997, libër që pati një jehonë të madhe në kohën e vet dhe vuri në vend nëpërmjet letërsisë, gabimet e pushtetit monist.
Por vazhdimi i botimeve të këtij autori, jo vetëm me “Venedikën”por deri te libri i tij i dhjetë “Një natë me stuhi”, tregime 2012, është mishërim i një jete të madhe prej krijuesi . Në se e krahasova me një Martin Iden, e bëra thjeshtë për faktin kryeneç që fati i mbin mu në zemër e mu në mendje disa njerëzve të talentuar .
Daut Hoxha sot në prag të tetëdhjetëve, me ritmin dhe hovet e një djaloshi punon pa u lodhur, pa pengesa dhe pa ndalesa për të realizuar veprën e tij më të re. ”Ditari i një shkrimtari të ardhshëm”ose “ Na e vranë ëndrrën – vitet 1953-1989”
Me këtë ditar monumental Daut Hoxha i tregon botës intelektuale se historia duhet shkruar . Ai i tregon shkrimtarëve dhe të tjerëve krijues se historia nuk tregohet nëpër tavolina klubesh ordinerë duke pirë raki apo duke treguar broçkulla .
Daut Hoxha shkruan një histori të Durrësit ndryshe ashtu si ka vepruar në mënyrën e tyre dr. Ali Sula, prof. Hava dhe Sali Hidri, durrsakë të mirfilltë në gjenezën e tyre.
Libri “Na e vranë ëndrrën”i Daut Hoxhës është një rrëfim i stilit prustian, pa efekte anësore, pa nënkuptime e pa mbikuptime. Ngjarjet lëvizin si në pelikola filmike, njerëzit me emrat e tyre renditen si në fjalorë të rëndësishëm njerëzorë. Ngjarjet e festave popullore, fetare apo politiko-shtetërore vendosen nëpër faqet e ditarit si artikuj gazetash të kohës, si titra të dokumentarëve të atyre kohëve.
Tek lexon faqet e këtij libri çdo durrsak gjen veten e tij, në mos emrin e tij, gjen farefisin apo të njohurit.
Që në faqet e para të këtij ditari –vepër ndjehet një penë që dridhet nga emocionet tek shkruan emra, ngjarje, vende e shumë gjëra të tjera të asaj kohe që kaloi.
E kur thellohem në faqet e shumta të këtij ditari kaleidoskopik, mendoj përsëri ditën e takimit të parë me autorin e këtij libri. Tek disa faqe ai ka shkruar se ka botuar poezi dhe skica që në ato vite të para të pasçlirimit, i ka çuar në gazetën “Drita”për botim, por që nuk i janë botuar.
Në çdo faqe të librit ndjehet shqetësimi i kohës, lëvizjet e panumurta të specialistëve, për të rregulluar boshllëqet e kohës.
E ndërkohë nuk i ndahet leximeve, ingranohet me rininë, me jetën e përditshme, me problemet e vazhdimit të një shkolle mundësisht teknike pastaj drejt ëndrrës së madhe të tij, inxhinierisë mekanike. Por që në fillimet e vitit 1953, fillon historia e Vlashukut e bashkë me të sensi psiko-analitik i autorit, shkrimtarit të ardhshëm, atij shkrimtari që pothuaj do të prekte çdo gjë të jetës shqiptare.
Puna e kryer në Vlashuk dhe në kampe të tjerë të atyre kohëve, për një durrsak si Daut Hoxha është një heroizëm që paralelizohet me “Kënetën”e Fatmir Gjatës dhe me gulagun famëkeq të Solnezhnicinit rus.
“Nuk kam shkruar, sepse nuk kam patur bojë, kërkova, por nuk gjeta”- kështu shkruan Dauti diku nëpër faqet e këtij ditari . Dauti shkruan ditare dhe duke lexuar romane pa fund, punon aty ku e dërgojnë, ku gjurmë ka lënë në SMT-në e Shijakut . Shënimet modeste të Daut Hoxhës janë filma dokumentarë pa filtra të dritës partiake.
Ditë të lëvizjës për në kënetën e Tërbufit, skena të provokimeve sigurimse, interferime të jetës familjare me ato politike, janë të shumta në këtë libër madhor.
E ç’nuk gjen në këtë ditar! Gjithçka! E ka ëndje t’a lexojë një bashkohës i Dautit, por edhe një djalë apo vajzë e re. Aty gjënden temat për disertacione në lëmë të sociologjisë etj.
Shkrimet e këtij ditari janë herë herë si copa dramash, herë herë si poezi, herë herë si pjesëza romanesh të Marsel Prustit në sencin e kohës së humbur. Një kritik i hollë, duke i lexuar në ato kohë këto ditare, do të dallonte sensin e një shkrimtari tepër vrojtues , aspak të qenë dakort me kohën dhe problemet e atëhershme .
Ditari i Daut Hoxhës është një ngrehinë me shumë kate e me shumë dritare, dritare që shohin në të katër anët e horizontit, pa preferencë. Ajo që të bie në sy në këtë ditar është strukturimi i plotë i emblemës letrare – historike të qytetit të Durrësit.
I zhytur në një jetë të gjallë aktive që në moshë të re, ai deri në fund na tregon jetën e durrsakëve të vërtetë, duke krijuar një katalog letrar ku mund të pyesi çdo i ardhur veten e tij : “Po unë ku ndodhem këtu”
Jeta e Dautit, plot ndërprej, ku keqardhja më e madhe është ajo e shkëputjes nga Universiteti i Tiranës, Dega Inxhinieri Mekanike, e ka bërë atë tejet të tejdukshëm, njeri pa komplekse, dashamirës, njeri të besueshëm, po aq sa janë dhe shkrimet e këtij libri.
Për këtë ditar mund të shkruhet shumë, e patjetër që kritika e specializuar do të thotë mendimin e vet . Por ajo që do të “bëjë sy”më shumë do të jenë aspektet politike të cilat Dauti i ka parë me një vështrim shumë të përqëndruar, pikant por edhe transparent.
Kështu psh, problemet e socialdemokracisë janë embrionet e kesaj lëvizje njëqind për qind shqiptare. Merita e Daut Hoxhes është se i ka shkruar me kohë këto probleme pak të njohura në publikun shqiptar. Fakt është se Dauti ka botuar edhe një libër më vete për këto probleme dhe që titullohet “Socialdemokracia –ideali që frymëzoi reformimin”, 2010. Po kështu lëvizjet politike të partisë së punës me jugosllavët, sovjetikët, kinezët, Daut Hoxha i sheh në tejqyrën e një Kolombi, duke na dhënë pothuajse gati mendime të cilat janë vërtetuar më vonë.
Dauti na ka dhënë një antologji midis ditarit dhe përsiatjeve politiko-shoqërore ku ndriçon më shumë shpirti i kulturës së një mësuesi të përjetshëm dhe të një shkrimtari të ardhshëm në kohët e demokracisë.
Sot, kur Daut Hoxha ka përfunduar këtë vepër themelore të jetës së tij është autor i dhjetë librave me tregime poezi, studime, romane etj. Janë të gjitha këto vepra bija të “nënës”ditar, të kësaj përmbledhjeje jetësore sa të dashur aq dhe shkencore.
Është ndryshe të shkruash kujtime dhe është krejt ndryshe të mbash ditare gjatë jetës tënde . Më duket se një shkencëtar i madh ka thënë se “njeriu që mban shënime statistika në formë ditari shkencor dallohet nga ai që nuk e bën një gjë të tillë, d. m. th jo shkencëtari”.
Vepra “Na e vranë ëndrrën”është produkt i një sërë studimesh, i një grumbullimi dijesh të pafund, të cilat janë perfeksionuar më tej kur Dauti është diplomuar në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër, dega histori-gjeografi.
Por të gjitha tendencat e tij në letërsi u bënë shkrumb e hi, por dhe ai nuk u tremb. Ndoshta ato pak botime në gazetën “Rinia”, “Letrari i ri”, “Puna”i dhanë krahë për të kapur më vonë Pegasin e fluturimeve të letërsisë.
Të shkruash një vepër –ditar për një jetë të tërë, plot me preokupime familjare, të cilat autori i përmend me shumë delikatesë në faqet e ditarit, nuk është e thjeshtë as dhe e zakonshme. Është thjeshtë një vepër që e bëjnë njerëzit e talentuar dhe të palodhur, plot vullnet.
Qyteti i Durrësit, durrsakët dhe jo durrsakët do të kenë në bibliotekat e tyre personale apo publike një jetë të shkruar, një film të jetuar, një dramë të ndjerë të një pjese të Shqipërisë.

Fatmir Minguli

Durrës 12 Korrik 2014

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s