MIKU YNË, SEJDO HARKA, TANI U BË ME DY 6-TA… (Urim për ditëlindjen) / Nga: MURAT GECAJ

 

1.-Shtypi

 

MIKU YNË,  SEJDO HARKA, TANI U BË ME DY 6-TA…

(Urim për ditëlindjen)

 

Nga: MURAT GECAJ

 

 

1.

Me kolegun e mikun e kahershëm përmetar, Sejdo Harka, takohemi shpesh. Arsyet janë të ndryshme. Por, fillestarja e tyre është, se ka shumë vite që njihemi, pasi na ka bashkuar gazeta jonë e dashur, “Mësuesi”. Aty kam bashkëpunuar që në numrin 2 të saj, pra nga shtatori i vitit 1961, kur u caktua kryeredaktor i parë, pedagogun im i paharruar, prof. Bedri Dedja-Akademik. Më tej, pandërprerje, kam shkruar për çështje të ndryshme të arsimit, kulturës, shkencës etj. Ndëra në vitet 1982-2002, shërbeva aty me detyrën e redaktorit. Bashkapunëtorët tanë i kishim të shumtë. Por, njëri ndër më aktivët dhe të rregulltit, ishte mësuesi nga fshati Zhepovë i Përmetit, Sejdo Harka. Në vendlindje ai shërbeu edhe drejtor shkolle e inspektor arsimi. Për punë të mirë, e nderuan me dekoratën “Naim Frashëri”.

Kështu, vitet rodhën e që nga ajo kohë e shkuar, pothuajse, nuk i kemi shkëputur lidhjet tona miqësore. Një ndërprerje disavjeçare ishte periudha, kur ai shkoi emigrant në Greqi, si mjaft kolegë e miq dhe të njohur tanë. Por, më vonë, Sejdo u rikthye në vendlindje dhe pastaj në Tiranë, familjarisht, kur e caktuan kryeredaktor të “Mësuesit”. Më pas, e kërkuan drejtor të një shkolle jopublike, në kryeqytet, ku punoi me aftësi profesionale, për disa vjet radhazi.  Në vazhdimësi, ai shërbeu edhe në dy shkolla të tilla jopublike. Ndërsa, në këtë vitit arsimor, jep mësim në një shkollë tjetër të mesme, gjithshtu e këtij lloji.

 

2.-Me Skender Haskon

Nga e djathta (lart): B. Xhama, S.Harka, M. Gecaj dhe (ulur): V.Kona e S.Hasko

 

2.

Në tërë këto vite, që përmenda më lart, miku ynë Sejdo nuk i ka ndërprerë bashkëpunimet me shtypin e shkruar dhe atë elektronik, sidomos për çështjet aktuale, arsimore e pedagogjike, shoqërore etj. Firmën e tij e gjejmë në mjaft shkrime të publikuar, jo vetëm në revistën e tanishme “Mësuesi”, por edhe në gazeta të tjera ditore ose jo, si në “Drita”, “Republika”, “Tirana Observer” e “Ballkan”; në revistat “Kultura Popullore”, “Perla” etj.  Bile, “personazh” të botimeve të tij më ka bërë edhe me mua, me një shkrim, që e kishte titullin e nxjerrë nga dy vargje të mikut tonë të përbashkët, shkrimtarit Bardhyl Xhama, “Murat Gecaj nga Tropoja,/ burim fjala e mjaltë goja”. Sigurisht, e kam falënderuar përzemërsisht për shprehjet e tij dashamirëse për mua, në atë shkrim. Por, përgëzime e falënderime të tilla, ai ka marrë edhe nga njerëz të tjerë, për të cilët ka shkruar bukur e me pasion. Ja, kujtoj këtu që, vitin e kaluar, Sejdo botoi shkrim për një libër të personalitetit të madh të letrave shqipe, Dritëro Agolli. Ky e kishte lexuar çfarë ishte shkruar për të, ishte interesuar për numrin dhe e kishte marrë vetë në telefon, këtë autor. Sejdo më ka treguar, se fjalët e Dritëroit kishin qenë me nota vlerësuese mjaft të larta dhe e kishte falënderuar përzemërsisht për analizën e bërë, për atë libër të tij. Sigurisht, shembuj të ngjashëm mund të sillnim dhe të tjerë.

Nuk dua ta anashkaloj këtu faktin, në këtë skicë-portret të shkurtër të Sejdo Harkës, se ai është gjithnjë i pandarë edhe në një bashkësi shoqërore, të pagëzuar nga vetë ne, “Kompania lëvizëse”. Në të, jemi “anëtarësuar” disa kolegë e miq, kryesisht, që kemi shërbyer në gazetën “Mësuesi”. Ndër ta, kanë qenë ose janë publicistët e shkrimtarët: i ndjeri Skënder Hasko, Bardhyl Xhama, Viron Kona, Vjollca Spaho e Andon Andoni e të tjerë. Në takimet e përbashkëta, kryetemë e bisedave tona janë shkrimet e librat tanë, vitet e bashkëpunimit dhe të punës në gazetën  e revistën “Mësuesi” etj. Por, me raste, në shoqërinë tonë kanë ardhur “kandidatë” edhe kolegë e miq të tjerë, si:  Pajtim Bejtja, Kozeta Hoxha, Gjovalin Shkurtaj, Pandeli Koçi, Përparim Hysi, Fran Gjoka, Ibrahim Hajdarmataj, Kadri Tarelli, Nuri Dragoi, Zyhdi Dervishi e Bashkim Saliasi dhe deri te publicistët e shkrimtarët shqiptarë, me banim në Boras të Suedisë, Sokol Demaku e Bahtir Latifi.

 

3.

Kur shërbente në rrethin e Përmetit, Sejdo Harka kishte shkruar e publikuar dy libra të vlefshëm profesionalë e metodikë: “Në ndihmë të mësuesve” dhe “Figuracioni në këngët e popullit përmetar”. Më pas, nuk iu dha mundësia të botonte më libra. Ndërsa tani, ka disa kohë që ky mik i yni është përfshirë nga një merak profesional, pra që lidhet me publikimet e tij në shtyp. As vetë ai nuk e di numrin e saktë, por gjatë jetës ka shkruar me dhjetëra e qindra artikuj, si në gazeta dhe revista periodike. Ata janë të gjinive e llojeve të të ndryshme, si portrete, skica, reportazhe, recensione librash, biseda etj. Deri tani, nuk i është dhënë asnjëherë mundësia që, disa prej tyre, t’i tubojë në një libër të veçantë. Ndërsa, para pak muajësh, ai e nisi punën në këtë drejtim dhe, pothuajse, i ka gati disa shkrime të tillë, për t’i botuar në një libër. Por, siç e dinë ata, që janë autorë librash, kjo gjë ka disa punë paraprake, si: përzgjedhja e shkrimeve më të arrirë, ndarja e tyre sipas autorëve ose tematikave etj. Kështu, nuk, kemi “shpëtuar” as ne, disa nga miqtë e tij më të afërt, që të mos marrim pjesë në konsultime ose shprehje mendimesh, për këtë gjë. Kryesorja është, se ne na gëzon fakti që, pikërisht në përvjetorin e 66-të të ditëlindjes së tij, ai libër do ta shohë dritën e botimit. Por jemi të sigurtë që, pas atij, do të vijnë edhe libra të tjerë, gjithashtu, me emrin e tij në ballë.

 

4.

Nuk di nëse do ta kishim marrë vesh, që Sejdo Harka ynë, tanimë, u bë me dy 6-ta në jetën e tij, po të mos bëhej për këtë gjë “shkaktare”, mbesa e vet, Emi. Pra, nga ngarkesa e punëve ditore, ai sikur e kishte “harruar” këtë datë të shënuar për të. Në ceremoninë modeste familjare, për kënaqësinë e të dyve,  ajo kishte sjellë një buqetë me lule të freskëta e ia dhuroi, bashkë me një përqafim e puthje të ngrohtë. Por, me këtë rast, Emi  edhe e kishte “qortuar” sadopak, me këto fjalë të sinqerta: “O, gjyshi, Sejdo, po ti, a do ta shkuash një libër për mua? Se unë e kam lexuar librin, që ka shkruar xhaxhi Murati, për mbesën e tij të dashur, Dorelën…”. Ndoshta, “kritika” dashamirëse e mbesës, do ta bëjë Sejdon qënjë ditë të ulet e të nisi që të shkruajë dhe t’ia kushtojë asaj një libër të bukur.

Në një takim për kafe, ku ishim bashkë me Vironin e Sejdon, ky i fundit u përpoq që t’i “ndreqte”, sadopak, vitet e jetës së tij, siç bëjmë me shaka dhe ne, të moshuarit e tjerë. Por, fatkeqësisht, nuk arriti dot që të bënte gjë, për të qenë. Ngado, që i rrotullonte ata dy numra 6, përsëri shifra e jetës së tij i dilte po e tillë: 66!? Pra, ne nuk mund ta ndihmonin dot dhe as ishim “fajtorë” për këtë gjë!…(ha,ha,ha).

…Ne fund të kësaj skice-portret, ku mund të shkruaja edhe mjaft radhë të tjera, për kolegun dhe mikun e mirë përmetar, Sejdo Harka, po përpiqem që t’i përmbledh edhe mendimet e ndjenjat dashamirëse të të gjithë kolegëve e miqëve të panumërt të tij: “Shumë urime për ditëlindjen, i dashur Sejdo! Jetëgjatësi, shoqëruar me shëndet të plotë dhe krijimtari sa më të frytshme; me gëzime e lumturi, vetjake dhe familjare!”

 

Tiranë, 3 shkurt 2015

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s