C I K Ë L POETIK NGA HAMIT TAKA
-motive nga Çamëria-
KLITHMA E DHIMBJES
Kush na e theu llozine e derës, kush?
Kush na e shoi zjarrin në vatër, kush?
Kush na e vrau zogun e verës, kush?
Kush na e piu gjolin e kaltër, kush?
Kush na i la arat lehona, kush?
Kush na e ther qëngjin e shpresës, kush?
Kush korr barë mbi varret tona, kush?
Kush majm buallin e harresë, kush?
Fol sa të duash,
Thirr sa të duash,
Veç jehonës
S’përgjigjet kush…
KU, KU…
Ku-ku! K-ku!
Veç qyqja këndon.
Shtëpitë e djegura, të rrënuara
Gurë më gurë ajo kërkon;
Xërr-xërr! Xërr-xërr!
Gjinkalla digjet bëhet zhur,
Në plepin e plakur, degëtharë
Ku fëmijët brekët grisnin dikur;
Çivit-çivit! Çivit-çivit!
Dallëndyshet sillen, bëjnë potere
Mbi gurët e baltën e plasaritur
Nga zjarr i mallit bërë gëlqere;
Qiellin gris veç korb i zi
Krraa! Krraa! Krraa!
Kurmin e imët të Çamërisë
Ka gjysëm shekulli që e ha;
MË BIND BILBILI DUKE QARË
Në këto troje hyj si i huaj, si kusar
Jam ndoshta idealisti i fundit
Që e prek këtë parajsë për herë të parë
Me një degëz ulliri, me flatra pëllumbi;
Korr mallin dhe dhëmbjen duaj-duaj
Në lëmën e shprtit i mbledh atje…
Si shinin dikur të parët me kuaj,
Kujtimet era si grurin m’i ngre;
Era mjaltë e aromë qumësht
Zgjohet nga çdo plis e nga çdo pore;
Zanat dalin në mbrëmjen e mugët,
Muzën e thinjur më sjellin për dore;
U thinj muza në pritje të poetëve
T’u këndonin mëngjeseve plot zhurmë,
T’u këndonin ditëve të kaltra dhe netëve
Kur hëna ndriçonte ende aq shumë;
U thinjën zanat e nimfat ndanë gjoleve
Në pritje të djelmoshave çapkënë,
Që t’i shihnin të çveshura vigjëlonin
Se nënat të martohen s’i lënë;
U ronitën lëmenjtë në ara dhe gryka
Në pritje të thekrës dhe grurit të ri,
Të këngës së djaloshit që kuajt i ngiste
Dhe togjeve me drithin flori;
I shtrirë mbi tufëza bari të tharë
Vështroj kaçube trëndafilash të egër,
Askund, asgjë nuk e gjej si më parë
Sa dyshoj për veten mos jam i vdekur;
Po ku shkuan ato pamje, ku fshihen?
Ç’është kjo gjuhë me nojma, pa zë?
Bilbili që nuk di veç në këngë të shkrihet
Tej natës duke qarë, më bind për çdo gjë…
NE VISET E ÇAMËRISE
Në çdo hap mledh lule të thara kujtimesh,
Prek tegele shkronjash në trungjet e ullinjve…
Dikur, në kohë paqeje dhe dëfrimesh,
Etërit u mësonin shkrimin fëmijëve;
Ngrejnë kokën kodrat dhe pllajat e heshtura,
Zgjohen befas nga ëndërra të frikshme;
Nga planimetria e lojës ca shënja të mbetura
Më joshin me gjeste të magjishme;
Si një brengë e kaltër në burimet e fjetura,
Zgjohen nimfat e pakrehura, qajnë me dënesa;
Të vetmet gjurmë e shenja të paprekura
Mes gjurmësh mizore, goditjesh të pabesa;
PEIZAZH
Nëpër fëshfërima trëndafilash, jaseminësh
Ia ndiej frymëmarrjen kësaj toke bujare,
Lumi Kalamas mes dredhash, gurgullimash
Këndon ende këngët krenare;
Para meje habitet udhëtari i devotshëm
I etur për thesare e trille natyrore,
Aroma mandarinash e qitrosh e joshin,
Simfonia e kaltër e viseve jugore;
E ndjellin këto limane piktoreske
Me miklime të qeta, të arta hënore
Askund s’ka dëgjuar ai këngë kaq prekëse
Se kjo që vjen nga ullishtet valëzore;
I mahnitur hedh hapat ngadalë, i hutuar,
Me krahët e kureshtjes përfshin këto troje,
Dhe më thotë se “Kopsht i mrekullueshëm”
Nuk është thjesht një fjalë goje;
Mes legjendash e mitesh-Thesprotia hyjnore
Kumton amanetin dhe brengën e të parëve…
Ky kopsht i natyrës në trojet stërgjyshore
Jo, s’mund t’u përkasë ende barbarëve…
O JU ERERA…
O ju erëra të vendlindjes,
Ç’më risillni moshën e fëminisë!
Sikur të isha mes refleksesh hënore
Mbi lulebardhat e qershisë!
Sikur fyelli i bariut të ma mëkonte
Shpirtin me ëndërra dhe idile,
Dhe Hëna nga lart të vështronte
Siluetën e plepit ngjyrë lile!
Në livadhin me ngjyra brilante
Si ylber të rrija sonte shtrirë,
Sa do doja të ndjeja kësaj nate
Tufa yjesh skërmoqur në çair;
Edhe zogun do doja ta zgjoja
Te foleja në një shkurre gjetheartë
Dhe brengën e mallit t’ia çoja
Zotit në fronin e qiellit lart;
A e di vallë Zoti ç’është malli,
Ç’është largësia, ç’është dëbimi?…
Ai më thotë se duhen të tëra:
Malli, brenga dhe trishtimi;
GJYSHES
Gjyshja ime, që vdekja e ka harruar
Çapitet në kopsht me diell e me shi…
Të përshëndes , gjyshe, kot je trishtuar
Që nipit ia le ti kopshtin trashëgimi;
Ytnip nuk kthehet më në ato vise,
Mos m’u merakos e mos m’u tret si qiri
Vetëm dashurinë tënde dua unë në hise
Dhe kujtimin e gërshetit, pis të zi;
Ndjej mall, një rrënqethje prej rrebeli,
Kur të shikoj sot me thinjat shpurprisur…
I kam kënduar këngë gërshetit gjer te beli,
Që e shpleksje mbi gjoks si ylber i harlisur;
Dhe prapë unë do të thurr vargje të rimuar,
Ti e di vargjet janë pasioni im i keq.
Dikur ty të çelnin lulet nëpër duar
Tani të dridhen, s’të binden më, për dreq;
Po mos më rri në kopsht, në erë e në shi
Se do të marrësh plevitin, o e bukura ime,
Unë do ta paguaj sa t’më kërkojë një njeri
Me zell t’ia bëj kopshtit të gjitha shërbimet;
Buzëqesh ti, gjyshe, o shpirt i papërlyer,
E dlirë si foshnjë , e urtë si shenjtore
Se ashtu vdekja largohet e zhgënjyer
Dhe unë u thurr vargje thinjave hyjnore;
EMIGRACION
Drurët në pyllë u rralluan
Djemtë tanë të bukur u rralluan,
Zogjtë ikën pa na përshëndetur
Një adresë nuk na lanë se ku shkuan;
Arat na mbetën pa lëruar,
Tufat na mbetën pa barinj,
Na mbetën fletoret pa u shkruar,
Na i këndojnë këngët korbat e zinj;
Ne mbetëm zgërbonja të vetmuara,
Zemrat mbetën fole të braktisura,
Gjejmë lodra fëmijësh të harruara
Si relike nga epoka të përmbysura;
Ne gjithë ditën presim që të ngryset,
Lusim ëndrrën që nata të zvarget,
Dhe i themi vdekjes që të niset
Të vijnë djemtë të na hapin varret.